Eros e thanatos

Eros e thanatos

(Mbi vëllimin dygjuhësh “La tua robinja/ Kam me ardhë si deka’ të Donika Dabishevcit)

Nga Gëzim Hajdari 

Mosmarrëveshja kozmike midis eros e thanatos (Dashurisë dhe Vdekjes) ka frymëzuar për mijëra vjet filozofë, artistë dhe këngëtarë nga lashtësia gjer në ditët e sotme, nga Esiodo e Safo tek D’Annunzio. Mistiku Shën Giovanni della Croce ishte i mendimit se ‘vdekja mund të jetë dashuri’. Ndërsa Giacomo Leopardi, nga maja e “Kodrës të pafundësisë”  pohonte: “Dy gjëra të bukura ka në botë, “Dashuria dhe Vdekja”. Erosi është esenca e vërtetë hyjnore, energjia vitale dhe forca krijuese e jetës, ndjenja më intime e unit tonë, shpirti i thelbit të gjërave, i cili ndër shekuj është bërë frymëzim dhe sfilitje për poetët e çdo epoke.

Mjafton të ndërmendim poetin e famshëm latin Catullo, «Vivamus mea Lesbia, atque amemus/ jetojmë Lesbia ime dhe dashurojmë». Vargje përvëlues që mbartin misterin e ekzistencës njerëzore.

Tema e eros-it dhe e thanatos-it përshkon me një forcë të vrullshme vargjet e vëllimit «Robnesha jote» të poetes së re kosovare, Donika Dabishevci. Dyzetë e shtatë poezi të cilat flasin për pasionet dashurore, erotike dhe sensuale, për jetën, për rrjedhën e kohës, për sfilitjen e për vdekjen. Shkruar me një gjuhë tejet të kursyer dhe lapidare, vargjet ekzistencialë të Dabishevcit, zë i veçantë i poezisë shqiptare të Kosovës, mbesin në kujtesen e lexuesit.

Përmbledhja «Robnesha jote» hapet me një poezi-lutje në të cilën vashëza e re fton të dashurin e saj që t’mos ketë frikë, por t’i bashkohet asaj për të ndarë së bashku ndjenjën e dashurisë. Trupi i saj i arrirë fërgëllon, shpirti vibron, pasioni i përflaket. Është çasti më i pritur për të dashurën e dehur me dëshirë dhe eros, që gëzon e vuan në të njëjtën kohë. Mbartë në gjak zjarrin, simbol i fuqisë dhe rinisë. Dhe ndërkohë ëndërron aktin sublim në të cilën i dashuri do t’i dhurojë linfën vitale siç dëshmojnë këto vargje:

«Mos u tkurr,

shpërthe si vrushkull gjaku.

 

Shndritma zemrën,

përflakma trupin.

Dhe po: Buzën.

Qenie e dobët që do lutje:

buzën».

Vetëm në krahët e dashurisë e vëmë re vlerën e jetës dhe sensin e ekzistencës të qenies njerëzore mbi Tokë. Dashuria e vërtetë është përmbushja e vetvetes me gëzim për ta bashkëndarë pastaj me të dashurin pa pendime dhe nosotalgji. T’i dhurosh tjetrit atë që je, sugjeron Donika. Në fund të fundit, kemi lindur për t’u dashur, jo për t’u urryer, këshillon Sofokliu. Erosi ne vargjet e saj përjetohet jo vetëm si gjendje fizike, por edhe si përvojë e brëndshme, si kremtim i dashurisë dhe i të përditshmes:

«Krejt jeta flen çasteve

kur rrxohem n’prehën tandin

japim veç ato

që kemi tani».

Autorja s’ka frikë të ‘zbulojë’ trupin‘ dhe pasionet e erotike dhe të jetojë lirinë e saj shpirtërore. «Gjëja më e bukur është ajo që dashurojmë», shkruan Saffo. Ndaj poetja nga Prishtina i drejtohet të dashurit me një gjuhë shumë sensuale:

«Due me t’pas’ krejt,

t’zhveshun

dej n’asht

e me vlu

e me u shkri

me shpërthye».

Vashëza-grua dëshiron që ta dashurojnë siç din të dashurojë një burrë i vërtetë. Lëkura e saj dridhet, përplotë me dëshirë pret çastin e shumëpritur që të rrëmbehet nga krahët e eros-it. Përfytyron skenën intime në të cilën gjogu i të dashurit shijon epshin e saj duke u ngjyrosur me të kuqen e ‘korijes’ së përflakur; dëshiron të ndjehet grua nëpërmjet kënaqësisë erotike. E gjitha kjo shprehet me një gjuhë direkte e me një pasion të papërmbajtur:

«Hajde,

merrmë,

prekmë,

dujëm,

çmendëm,

hi aty – ku veç ti di me hi,

banm’ me u n’ie gru».

Është pikërsisht ky dyzim i fortë ekzistencial që josh Verbin e Donika Dabishevcit. Eros e thanatos, te bashkë-pranishëm e kundërshtarë në poezinë e saj, krijojnë atmosfera erotike të një sensualiteti te mrekullueshëm poetik.

«Lem me gërmue çmendunisht n’ty/

Du me i lagë buztë e xhindosuna,

me t’lshue poshtë grykës,

e me u dehë me ty».

Janë vargje erotikë të panjohur gjer dje për poezinë femërore shqiptare. Gjatë diktaturës të Enver Hoxhës, në Shqipëri, trajtimi i temave ekzistencialë dhe metafizikë ishin të ndaluara. Fjalët: “prekje”, “puthje”, “eros”, “me u dashuru”, “thanatos”, “gjak i natës së parë”, “epsh”, “marrëzi” ishin të papajtueshme për moralin dhe censurën komuniste. Moto e të ashtuquajturit “realizëm socialist” ishte: «Poeti duhet të jetë syri, veshi dhe zëri i klasës proletare». Dashurohej në emër të Partisë, erosi dhe kënaqësia dashurore ishin shprehje që i përkisnin moralit dhe estetikës borgjeze të  shoqërisë reaksionare e të shthurur Perëndimore.

Nga vite ’90 e këtej, poezia femërore shqiptare ka nisur të zbulojë gjithë ndrojtje emocionet e trupit dhe të shpirtit, si dhe ndjenjat dhe kënaqësinë femërore nëpërmjet dashurisë, si rrugëtim njohje dhe vërtetësi jete, si paqe e brendshme dhe liri. Dashuria përfshin tërë virtytet e botës  shpirtërore, dhe e udhëheq individin drejt realizimit të tij, drejt përjetësisë. Eros do të thotë bukuri e trupit dhe e shpirtit, lartësim mistik, përndritje.

Ndjenja erotike nxjerr në pah trupin femëror dhe kultin e kënaqësisë, por jo shpesh krijon lumturi dhe paqe të brendshme. Pendime, malle dhe sfilitje krijojnë shqetësime në shpirtin njerëzor duke e detyruar këtë të fundit të jetojë midis arsyes dhe marrëzisë.  Sa më shumë autorja përhumbet në krahët e erosit, aq më shumë hija e thanatosit e kërcënon dashurinë e saj. Ndaj e ndjen se të dashurosh do të thotë: gëzim dhe frikë. «Dashurisë – thotë Esenini – nuk i kërkohet premtime/ me dashurinë njihen vetëm gëzime dhe hidhërime». Është një luftë e përditshme, dhe është pikërisht kjo ana hyjnore dhe mizore e dramës njerëzore:

«I panjohun mund t’jetë

veç çasti që mblatoi

këtë joshje t’egër,

çmendunisht thell’».

Të dashurosh për Dabishevcin do të thotë t’i japësh besën dëshirës, dashuria për të është atdheu i vërtetë i njerëzimit. Ndjenja dashurore është më e fortë sesa vdekja, dhe kjo e fundit s’e shuan dot nevojën për t’u dhuruar:

«Ke lshue rrajë gzimi

e mort mjelle n’mue

dashnija e dhimta

epshi e zija jem»

«e ma e fortë se deka

asht’ dëshrimi jem për ty».

Forca e saj shndërron në flakë e hi çdo kërcënim të thanatos-it:

«Jam msue me hi n’zjerm

n’pluhun e hi gjithçka me kthy».

Megjithë luftën e ashpër të përditshme në këtë mosmarrëveshje kozmike: «S’muj me ia kuptu tana grishjet shpirtit», për poeten kosovare ia vlen gjithnjë ta pranosh sfidën e fatit për pushtimin e vlerës së vërtetë të dimensionit poetik, shpirëror dhe intelektual.

Dabishevci zgjedh erosin për të larguar vdekjen si një sfidë: «Bash s’due me t’pa ma». E vetëdijshme për faktin se “motra vdekje” na shoqëron çdo ditë, poezia e saj mund të lexohet edhe si një dialog midis dashurisë, jetës dhe thanatos-it. Të dashurosh do të thotë të jetosh, por në të njëjtën kohë nënkupton kënaqësi dhe vuajtje që shkojnë përtej sferës vetjake, duke u bërë një përvojë shpirtërore e thellë dhe kozmike. Vetëm kush percepton një dimension të tillë mund të zbulojë në poezi jetën, dhe tek jeta dashurinë e cila bashkon dhe projekton në të ardhmen, për t’u shpërbërë pastaj në tingull, zë, zjarr i shenjtë dhe këngë pezull në kohë e hapsirë: pra, të vdesësh për të jetuar dhe dashuruar ndryshe:

«Nji ditë as ti e as unë,

s’kemi me kenë ma

kemi me humbë,

kemi me u zhba».

Vjen nje çast kur dashuria tokësore shndërrohet në dashuri kozmike, si pjesë e gjithësisë, e prehërit të origjinës. Është akti suprem i tërësisë së dashurisë njerëzore. Atëherë çdo gjë përmbushet si plotësi shpirtërore, si metaforë e bashkimit universal në të cilën secili prej nesh, në vetminë kozmike, ndjehet sadopak robinjë si në vargjet e mëposhtëm:

«e t’kam dashtë prap

si prej fillimit

 

Por ta lamë me kaq

folim n’ni jetë tjetër

kur dytë do t’jem gjethe».

Ajo ç’ka dallon vargjet e Donika Dabishevcit është aspekti sensual dhe fizik i dashurisë, di të komunikojë me trupin dhe femëroren e saj. Poetja kosovare zotëron një fuqi krijuese të madhe. Gjuha e saj poetike, mbështjellë me një shije orientale, është e fuqishme dhe tërheqëse pa rënë në shprehje të rëndomta të erotizmit të përdalë, dhe synon bukurinë si pikëmbërritje. Ia vlen ta theksojme se poezitë në shqip janë shkruar në gegërisht.

Kjo përmbledhje në dy gjuhë, botimi i të cilës është parashikuar në vitin 2017 nga shtëpia botuese romana, Ensemble, përfaqëson botimin e parë të një zëri të vërtetë femëror të Kosovës në Itali.