Jonuz: Vizita e Stoltenbergut, afati i fundit për reflektim

Jonuz: Vizita e Stoltenbergut, afati i fundit për reflektim

Maqedonia të harrojë anëtarësimin në NATO dhe BE pa zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

” Kjo ishte porosia e Sekretarit gjeneral të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili para dy dite për herë të parë ateroi në Maqedoni, për të takuar krerët e shtetit.

Por analisti Agim Jonuz thotë se porosia e Stoltenberg është me madhe se kaq. Sipas tij, vizita e Stoltenberg në Maqedoni sinjalizon afatin e fundit për reflektim pozitiv në përmbushjen e kushteve për anëtarësim në NATO dhe BE.

“Mesazhet të cilat ai i dha, ishin se ka ardhur koha e fundit dhe se jemi të paralajmëruar se kemi shansin tani ose asnjëherë më. Nëse kemi vullnet, që besoj se kemi, për të shkuar para, do të duhet që sa më shpejt ta zgjidhim çështjen e emrit. Vet vizita e tij për ne është një gjë e madhe pasi që ajo do të thotë „Dorë e zgjatur” për Maqedoninë. Nëse ne jemi të vetëdijshëm për ndihmën që na ofrojnë NATO dhe strukturat euro-atlantike, atëherë do të kuptojmë që është koha e fundit që të përkushtohemi maksimalisht dhe ta instrumentalizojnë këtë tentim”- deklaroi analisti Agim Jonuz.

Në takim me kryeministrin Zaev, Stoltemberg tha se Aleanca nuk do të përfshihet në çështjet komplekse të Maqedonisë me fqinjët, mirëpo do mbështes dhe do ta inkurajoj vendin që sa më shpejt ta zgjidhë këto probleme.

“Nuk ka plan B. Nuk ka rrugë tjetër për tu bërë pjesë e NATO-s pa e zgjidhur kontestin e emrit me Greqinë. Mendoj se është e rëndësishme që të jeni ambicioz por edhe më e rëndësishme është që të jeni real. NATO merr vendime me koncensus. Ne ju inkurajojmë që t’i zgjidhni çështjet komplekse, por ne si NATO nuk do e zgjedh problemin e emrit me Greqinë”- deklaroi një ditë më herët Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg.

Fjalimi i kreut të NATO-s para deputetëve të Maqedonisë, la të nënkuptojë se vetëm raportet e mira me fqinjët dhe reformat lehtësojnë rrugën drejt integrimeve euro-atlantike. Stoltenberg tha se Qeveria e re po frymon pozitivisht dhe shpreson që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s.

Ai gjithashtu përshëndeti ratifikimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Kësaj marrëveshje dje i dha dritë jeshile Parlamentin bullgar me 186 vota pro, asnjë kundër ose të përmbajtur.

Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov e quajti si zgjatje të dorës vendimin e djeshëm, duke thënë se shpreson që Maqedonia ditë e më parë të zgjidh problemin edhe me Greqinë dhe të anëtarësohet në NATO dhe BE.