Zbardhet biseda private mes Enver Hoxhës dhe Stalinit

Zbardhet biseda private mes Enver Hoxhës dhe Stalinit

Zbardhet biseda private mes Enver Hoxhës dhe Stalinit, gjatë vizitës që diktatori shqiptar zhvilloi në Moskë në mars të 1949. Në këtë periudhë Hoxha u vendos në krye të një delegacioni dhe zhvilloi një vizitë blic në Moskë, ku u takua me Stalinin.

Gazeta ka siguruar diskutimin e plotë mes tyre, i deklasifikuar nga arkiva ruse. Aty shihet qartë se si Stalini i kërkon llogari Hoxhës për marrëdhëniet me Jugosllavinë, ndërsa i jep udhëzime se si duhet ta ndërtojë shtetin.

 

23 mars 1949

Biseda Enver Hoxha-Stalin

Pas përshëndetjeve Stalini e pyet Hoxhën nëse kishin udhëtuar mirë. Hoxha miraton dhe më pas i kalon ndjenjat më të thella të mirënjohjes dhe dashurisë nga partia dhe populli shqiptar për gjithçka po bëhet për Shqipërinë. Stalini e falënderon dhe pyet nëse gjithçka e premtuar është dërguar në Shqipëri. Hoxha miraton. Stalini e pyet për pyetjet që ka.

Hoxha: Së pari dua t’ju përshkruaj situatën që po zhvillohet në vend dhe në parti dhe më pas të kthehen në disa çështje ekonomike. Dua t’ju tregoj për nevojat e ushtrisë dhe të përshkruaj situatën në kufijtë tanë.

Stalini: Mund të ngresh çdo shqetësim.

Hoxha: Letrat e partisë bolshevike për komitetin qendror të Partisë Komuniste Jugosllave dhe rezoluta e shpëtoi Shqipërinë nga një katastrofë. Nacionalistët jugosllavë kanë ndjekur disa objektiva kundër Bashkimit Sovjetik, kundër kampit demokratik anti-imperialist dhe kundër vetë Shqipërisë.

Stalini: Dhe kundër myslimanëve.

Hoxha: Po. Nacionalistët jugosllavë të grupit të Titos kanë kryer aktivitete subversive në Shqipëri që prej çlirimit të saj. Komunistët e kishin parë që marrëdhëniet me Jugosllavinë janë të dobëta, por gatishmëria e tyre revolucionare nuk rezultoi e mjaftueshme. Përgjegjësia për këtë bie mbi mua, por një rol ka luajtur besimi i ynë te marrëdhëniet miqësore me jugosllavët gjatë luftës. Siç thotë shprehja peshku qelbet nga koka. Trotskistët jugosllavë kryen intriga brenda partisë shqiptare duke tentuar përçarjen e saj. Në subversionin e tyre ata u mbështetën te Koçi Xoxe, Pandi Kristo dhe të tjerë.

Stalini: A janë sllavë këta?

Hoxha: Po, Xoxe ka lindur në Maqedoni, ndërsa Kristo është nga Korça. Ata janë ortodoksë. Ne e kemi shpejtuar në letrat tona qëndrimin armiqësor të trotskistëve jugosllavë. Nëse nuk i keni marrë letrat atëherë komunistët e ndershëm shqiptarë do të dalin përsëri në mal për të rinisur përpjekjen. Komunistët shqiptarë nuk e humbën kurrë dashurinë dhe besnikërinë për popullin sovjetik dhe partinë bolshevike dhe shokun Stalin.

Stalini: Në letrat nuk ishin sqaruar të gjitha çështjet, pasi asokohe ne nuk dinim gjithçka. Më vonë mësuam se jugosllavët donin të dërgonin një divizion në Shqipëri, jo për qëllimin e mbrojtjes së Shqipërisë nga agresioni grek, por për të përmbysur regjimin. Ne këtë e mësuam vonë, ashtu si dhe shqiptarët.

Hoxha: Shqiptarët kanë lidhje të ngushta me jugosllavët, por për dërgimin e divizionit në Shqipëri menduam se ata e kishin koordinuar më parë me ju.

Stalini: Jugosllavët po përpiqeshin ta dërgonin fshehtas atë divizion atje, por është e mundur që shqiptarët e bënë të dukej se ishte me miratimin e sovjetikëve. Ne i mësuam qëllimet e jugosllavëve vetëm nga informacionet tuaja. Kur i kritikuam, jugosllavët thanë se ishte një gabim dhe kërkuan falje. Sa për qind jo-shqiptarë ka popullsia e Shqipërisë?

Hoxha: Ka pak grekë dhe hebrej dhe 5-6 mijë maqedonas që jetojnë në jug të Shqipërisë.

Stalini: A ka shqiptarë në Jugosllavi?

Hoxha: Ka rreth 1 milionë shqiptarë që jetojnë në Jugosllavi.

Stalini: Çfarë feje kanë shqiptarët?

Hoxha: Kryesisht myslimanë, pjesërisht katolikë në veri.

Stalini: A keni ortodoksë dhe fe të tjera përveç islamit?

Hoxha: Ka rreth 30-35 për qind ortodoksë dhe 10-15 për qind katolikë dhe të gjithë flasin shqip. Pas letrave për partinë bolshevike ne morëm masa kundër nacionalizimit jugosllav si brenda partisë dhe në jetën ekonomike. Ishte e vështirë të bëhej një analizë e plotë e situatës në parti dhe në vend pasi kryesuesi i trotskistëve jugosllavë Koçi Xoxe bëri rezistencë të fortë dhe fshehu shumë gjëra nga partia. Nevojitej kohë për të përcaktuar se cilat kishin qenë aktivitetet e sabotazhit në ekonomi dhe ato subversive brenda partisë nga trotskistët jugosllavë dhe shërbëtorët e tyre. Vendi shkoi në kongresin e partisë e ndërgjegjshme për aktivitetet subversive. Shumë gabime u bënë në parti sepse ajo ishte modeluar sipas modelit jugosllav dhe kishte gabime. Por reagimet për tradhtinë e Titos ishin të forta në Shqipëri dhe përpjekja kundër trotskistëve ishte e bashkuar. Partia u kujdes që në këtë mes të mos dëmtohej ndjenja e popullit shqiptar kundrejt atij jugosllav. Kongresi tregoi se në përpjekjen kundër trotskistëve jugosllavë partia e kishte shëruar veten dhe ishte bërë më e fortë. Kongresi tregoi gjithashtu se partia jonë, megjithëse e re, kishte forcë dhe energji të madhe për ndjekjen e linjës korrekte. Kritika të ashpra ndaj elementëve dhe aktiviteteve pro-jugosllave erdhën nga të gjitha fushat. Gabimet e bëra nga partia u pranuan dhe u përcaktuan mënyrat e korrektimit të tyre. Partia nuk përdori masa të gjera shtypjeje dhe veproi me kujdes duke marrë parasysh se shumë aktivistë kishin besuar me ndershmëri se linja jugosllave ishte korrekte. Prandaj atyre iu dha mundësia të korrektoheshin. Vetëm Koçi Xoxe, Pandi Kristo dhe tre të tjerë u arrestuan. Kristo Themelko i cili ishte një nga përgjegjësit e zbatimit të linjës së dëmshme jugosllave dhe që shprehu armiqësi ndaj Bashkimit Sovjetik, nuk u arrestua, pasi prezantoi të gjithë aktivitetin e tij duke shprehur keqardhje të thellë për sjelljen. Autokritika e ti u konsiderua mjaftueshëm e ndershme dhe objektive.

Stalini: Çfarë posti kishte ky Themelko, ku është tani?

Hoxha: Gjeneral, lider politik i ushtrisë. Ai është në Tiranë tani, është ndaluar nga autoritetet.

Stalini: Çfarë kombësie ka?

Hoxha: Është sllav. Disa kohë më parë qeveria jonë i kërkoi sovjetikëve të lejonin që Themelko të studionte në akademinë ushtarake të Moskës, Lenin.

Stalini: Ç’përgjigje morët?

Hoxha: Fillimisht pozitive, por më pas u shty.

Stalini: Mos donit ta hiqnit qafe Themelkon duke e sjellë në Moskë?

Hoxha: Deshëm ta sillnim Kristo Themelkon në BRSS për ta rehabilituar.

Stalini: A i beson partia politikisht Themelkos?

Hoxha: Partia vazhdon të shpresojë se Themelko do të përmirësohet, por nuk mund t’i besojë politikisht tani.

Stalini: Ju nuk keni nevojë për Themelkon dhe as ne nuk kemi nevojë për atë këtu. Apo e dërgoni këtu pasi trembeni për sigurinë tuaj?

Hoxha: Ai ka dashur gjithmonë të studiojë në akademinë ushtarake të Moskës.

Stalini: Nëse e dëshironi ju, ne do e pranojmë në akademinë e Moskës.

Hoxha: Pas Kongresit ne morën masa të sigurta për spastrimin e partisë nga ata që e kompromentuan veten me lidhjet me trotskistët jugosllavë. Morën masa për përmirësimin e demokracisë brenda partisë dhe refuzimin e dekreteve dhe direktivave të marra nga influenca jugosllave. Kemi marrë masa gjithashtu në ministrinë e Brendshme për ata që lejuan ekzagjerimet dhe veprimet e gabuara ose dashakeqe. Aktualisht po mbajmë zgjedhjet e organizatave të partisë në rajone, duke vënë në krye të partisë shokë besnikë. Ngjarjet patën efektin e tyre negativ brenda organizatave të partisë dhe humbje të disiplinës. Mes elementëve më të dobët u shfaqën tendenca anarkie. Edhe aktualisht, kur lufta e klasave është bërë intensive po dallohen shfaqje oportunizmi. Gjatë luftës kundër subversivit jugosllav, ra disi ritmi i luftës kundër borgjezisë fshatare, pro kjo u bë me qëllim të mos komplikohej situata brenda partisë. Por gjatë kësaj kohe qeveria nuk po merrte kuotat e mjaftueshme të prodhimit nga fshati çka shkaktoi vështirësi të ndjeshme ekonomike. Tregu shqiptar ra në kaos dhe vetëm pas ndihmës sovjetike nisi përsëri puna dhe përmirësimi i situatës.

Stalini: Duket se Shqipëria po krijon fermat kolektive.

Hoxha: Po e vendosëm këtë në Kongres, por nuk do të nxitohemi.

Stalini: Nuk duhet të nxitoheni me këtë. Shqipëria është vend i prapambetur, dhe gjithashtu vend malor. Edhe në Bashkimin Sovjetik nuk ka ferma kolektive në zonat malore. Nëse fermerët shqiptarë nuk kanë fertilizues, të gjalla dhe teknologji, ata duhet t’i ndihmojë shteti, si me punimin e tokës, me të korrat apo me përpunimin e produkteve. Më pas shteti mund të marrë pjesën e tij nga prodhimi, por sesi e ndajnë ata bukën mes tyre, kjo nuk është punë për shtetin. Shteti duhet të ketë ekonominë e tij me traktorë, makineri shirëse dhe të tjera, për t’i dhënë ndihmë fshatarëve nëse e kërkojnë. Kjo nuk është si në fermat kolektive por i jep mundësi fshatarëve të njohin teknologjinë dhe të kuptojnë rëndësinë e saj. Ne prej kohësh i kemi quajtur këto pika huazimi makinerish. Edhe ju duhet ta bëni këtë në Shqipëri për sa kohë që ka shqetësim në sezonin e të korrave. Fshatarët që kanë më shumë tokë do të fitojnë më shumë dhe ata që kanë më pak do të fitojnë më pak. Kjo nuk është luftë kundër borgjezisë së fshatit por i mëson fshatarëve më pak të pasur të punojnë bashkë. A keni borgjezi tregtare ju?

Hoxha: Shqipëria ka borgjezi tregtare por nuk ka dyqane e fabrika pasi ato u shtetëzuan.

Stalini: Kjo nuk është e mirë. Borgjezia kombëtare mund të ndihmojë në prodhimin e mallrave dhe zgjerimin e tregtisë. Shteti në të njëjtën kohë bëhet më i fortë, veçanërisht nëse ka mes tyre elementë që vlerësojnë lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Elementët patriotikë mes borgjezisë duhet të mbështeten dhe jo të refuzohen.Një shembull për këtë mund të merrni nga Kina veriore, ku disa elemente të borgjezisë kineze si pronarë fabrikash të vogla e të mesme mbështesin qeverinë komuniste. Ne i kemi rekomanduar kinezëve të mos i refuzojnë këto elemente. Pjesa patriotike e borgjezisë beson se vetëm komunistët mund të mbrojnë pavarësinë dhe lirinë e Kinës, pasi palët e tjera janë të falimentuara. Kjo pjesë e borgjezisë e ka distancuar veten nga Çang Kai Shek pasi besojnë se partia e tij nuk mund të mbajë Kinën e bashkuar dhe të pavarur. Borgjezia është duke ndihmuar me të vërtetë komunistët. Duhet që Kina është e ndarë në pjesën veriore dhe jugore. Disa grupe tregtare të veriut furnizojnë komunistët me mallra të jugut, përfshi dhe mallra amerikane. Pyetjes se përse sakrifikojnë paratë e tyre duke e bërë këtë, ata i përgjigjen se besojnë se askush tjetër nuk mund t’i rezistojë Japonisë e Amerikës përveç komunistëve. Lenini gjithmonë kishte besuar se nëse revolucioni ka karakter anti-imperialist në mbrojtje të pavarësisë së vendit, atëherë komunistët duhet të bashkëpunojnë me borgjezinë kombëtare. Një bashkëpunim i tillë lejohet në fazat e para, dhe shokët shqiptarë duhet ta mbajnë mend këtë rekomandim të Leninit. Në vendet e demokracive popullore borgjezia e ka njollosur veten me lidhjet e saj me pushtuesit gjermanë e italianë. Prandaj kur erdhën trupat ruse në këto vende borgjezia u tërhoq bashkë me gjermanët. Në Shqipëri nuk erdhën trupa jugosllave apo sovjetike prandaj elementët e borgjezisë qëndruan në vend dhe shqiptarët nuk i vranë ata. Ne nuk duhet t’i largojmë borgjezët që duan pavarësinë e vendit dhe që mund të na ndihmojnë. E njëjta gjë vlen dhe për elemente të intelektualëve, të cilët megjithëse nuk janë dakord me komunistët, besojnë se komunistët mund të mbrojnë pavarësinë e vendit. As ata nuk duhet t’i largojmë. Bolshevikët rusë nuk e ndoqën këtë politikë. Askush nuk e pushtoi Rusinë në kohën e revolucionit dhe askush nuk e kërcënonte, pa marrë parasysh luftën me Gjermaninë. Prandaj revolucioni rus nuk kishte karakter anti-imperialist, fokusi i tij ishte brenda vendit. Ka ndryshim mes asaj që ndodhi në Rusi dhe asaj që po ndodh tani në Kinë Kore apo vende të tjera. Rusia nuk kishte kërcënime të jashtme ndërsa borgjezia e saj nuk ishte patriotike. Ajo i bëri thirrje për ndihmë Francës e Britanisë. Shqiptarët nuk duhet të kopjojnë atë që ndodhi në Rusi por të marrin në konsideratë tiparet lokale. Nëse ka kapitalistë të vegjël që hapin ndërmarrje apo dyqane të vogla Shqipëria duhet t’i lejojë dhe t’i liçensojë, duke i dhënë mundësi të rrisin tregtinë dhe industrinë. Pasi të përmirësohet ekonomia e Shqipërisë atëherë ka një situatë tjetër ku mund të ngrihen përsëri pikëpyetjet mbi borgjezinë. Sa vetë keni ardhur në delegacion?

Hoxha: Tetë, jam unë, kreu i komisionit të planifikimit Spiro Koleka, zëvendësi Koço Teodosi, ministri i tregtisë Vasil Kati, zv. ministri i industrisë Xhafer Spahiu, Shinazi Drogoti, kolonel Nexhip Vinçani, përfaqësuesi tregtar në Moskë, Teodor Fundo.

Stalini: Kush është komandant i ushtrisë?

Hoxha: Unë jam.

Stalini: Populli sovjetik, si bolshevikë kanë parimin e mëposhtëm për ndërtimin e shtetit: nëse shumica është myslimane dhe shumica e kabinetit të qeverisë duhet të jetë myslimane. Nuk mund të shkelen parimet e fesë. Njerëzit nuk mund ta kuptojnë përse shteti nuk drejtohet nga një mysliman nëse shumica është myslimane. Këto janë gjëra elementare, por ata në Jugosllavi nuk i kuptonin. Por kjo nuk do të thotë se në qeveri duhet të ketë vetëm myslimanë. Ne duhet të zgjedhim njerëz të aftë nga minoritetet për të ruajtur unitetin mes njerëzve. Përfaqësimi i minoriteteve siguron stabilitetin e qeverisë. A i keni marrë uniformat e ushtrisë nga BRSS, që kishte kërkuar më parë kreu i ushtrisë?

Hoxha: Nuk kanë ardhur ende por kemi dëgjuar se janë duke ardhur.

Stalini: Është vendosur për t’i dërguar uniformat.

Hoxha: Me lejen tuaj dua të kthehemi në çështjet ekonomike. Plani ynë dy-vjeçar ekonomik supozon ndërtimin e impianteve industriale për prodhimin e tekstileve, pambukut, sheqerit, drurit, dhe nevojave të tjera të vendit. Gjithashtu plani thekson zgjerimin e industrive nxjerrëse dhe burimeve të tjera natyrore. Plani parashikon ndërtimin e linjës naftësjellës Patos-Vlorë dhe një rafineri nafte me kapacitet 150 000 ton në vit. Ndërsa në bujqësi planifikojmë tharjen dhe ujitjen e tokave, pasi nevojat për traktorë janë plotësuar me ndihmat e BRSS.

Stalini: Çfarë hekurudhat do ndërtoni? A keni marrë shinat nga BRSS?

Hoxha: Po ndërtojmë hekurudhën Durrës-Elbasan, vitin e kaluar përfunduam pjesën e parë të linjës Durrës-Peqin 37 km, teksa mbetet pjesa Peqin-Elbasan 30 km. Kemi marrë shinat, vagonët dhe pajisjet. Kemi në plan gjithashtu shtimin e shkollave dhe rritjen e shtretërve në spitale. Për këtë mbështetemi në ndihmën e BRSS. Kemi marrë kredi nga Çekosllovakia, Hungari e Polonia, ndërsa jemi në negociata me Rumaninë. Më pas delegacioni ynë do të shkojë në Bullgari.

Stalini: Do t’ju japim ndihmë sa të mundemi. Shpresoj të kujtoheni të punoni edhe vetë ... /Sot News/