Festë flamujsh në sheshet e Prishtinës

Festë flamujsh në sheshet e Prishtinës

Në kuadër të aktiviteteve festive për 10 vjetorin e pavarësisë së shtetit, gjatë ditës së sotme ndërtesa e Qeverisë është mbuluar me flamurin e Kosovës, derisa mbi qendrën e Prishtinës, e cila tanimë është dekoruar, kanë fluturuar parashutistët e Federatës Aeronautike me flamujt e Kosovës.

Derisa sheshet e kryeqytetit gjatë ditës së djeshme janë dekoruar me ngjyrat e flamurit, logon dhe numrin dhjetë, ende nuk dihet agjenda e Presidencës, e cila organizon ngjarjet me të cilat do të shënohet kjo festë.

Për 15 minuta parashutistët fluturuan mbi qendrën e kryeqytetit për të vazhduar pastaj mbi Dardani, Breg të Diellit dhe Mat.

Kryetari i Federatës Aeronautike, Shkëlqim Krasniqi tha se aktiviteti me parashutistët ka qenë në përkujdesjen e Këshillit Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë dhe Komunës së Prishtinës.

“Këshilli Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, është nën patronatin e Presidencës dhe për shkak që mbahet në lokacionin e Prishtinës, përmes kuvendit komunal, drejtorisë për sport, na kanë kontraktuar dhe na kanë lutur nëse mundemi ta bëjmë një organizim gjatë këtyre 10 ditëve, për shkak që fluturimet varen plotësisht nga moti, tri katër ditë më herët e kemi vërejtur që e premtja do të jetë ditë e mirë dhe vendosëm që bashkarisht t’i organizojmë disa aktivitete”, tha ai.

Sipas tij, njëri nga velat e parashutës ka qenë i punuar me simbolin e flamurit të Kosovës.

“Njëri nga velat e parashutës komplet fabrikisht është e punuar me flamur të Kosovës...”Në bazë të kërkesës së Këshillit Organizativ flurimi ishte 10-15 minuta mbi qendrën e ngushtë të qytetit dhe pastaj ata kanë vazhduar fluturimin mbi pjesë të tjera të qytetit mbi Dardani, Bregu i Diellit, Mat me qëllim që në 13:10 të mbyllet aktiviteti”, tha ai.

Parashutistët që po fluturonin në qiellin e hapur të Prishtinës pos flamurit të Kosovës që po valëvitej, me vete kishin marrë edhe logon që shënon 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës aktiviteti me parashuta do të vazhdojë gjatë ditëve në vazhdim në Suharekë, Prizren dhe Istog.

Ndërsa, zyra e Presidencës ka shpallur 10 ditë festë për shënim të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.