Grubi: SHBA po përkrah integrimet euroatlantike të Maqedonisë

Grubi: SHBA po përkrah integrimet euroatlantike të Maqedonisë

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Artan Grubi, deklaroi se SHBA-ja me nota optimiste e shohin zgjidhjen e mosmarrëveshjen me emrin dhe japin përkrahje të gjithanshme për integrimet euroatlantike në Maqedoni.

Grubi është pjesë e delegacionit parlamentar të Maqedonisë i cili është për vizitë zyrtare në Uashington dhe i cili mbrëmë mori pjesë në Mëngjesin kombëtar të lutjeve që tradicionalisht organizohet nga presidenti i SHBA-së.

Ai për MIA-n deklaroi se ka pasur takime të suksesshme me 13 kongresmenë dhe senatorë dhe ka qenë në takim pune me këshilltarin special të zëvendëspresidentit të SHBA-së, Majk Pens, të ndihmës zëvendësit të sekretarit shtetëror për mbrojtje Laura Kuper dhe është takuar me Ves Miçel, zëvendësi i ri i sekretarit shtetëror për Evropë dhe Euroazi i cili erdhi në vendin e Ji Hojt.

Grubi është pjesë e Këshillit kombëtar për integrime dhe kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Kongresin amerikan.

"Në të gjitha takimet mora përkrahje të madhe për perspektivat euroatlantike të Maqedonisë. Jam i befasuar nga optimizmi që mbretëron këtu në lidhje me zgjidhjen e kontestit me emrin dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE", tha Grubi.

Përkrahja nga Qeveria e SHBA-së vjen edhe për qëllimet reformuese dhe konsolidimin e brendshëm të institucioneve. Thekson se sinjalet pozitive që vijnë nga Uashingtoni duhet të shfrytëzohen.

"Përkrahje vjen nga çdo anë, nga Stejt Departamenti, nga Shtëpia e Bardhë dhe nga Pentagoni. Prandaj Maqedonia duhet sa më shpejt t'i zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet e hapura me fqinjët dhe ta vulosë të ardhmen e saj euroatlantike. Ky është viti ynë dhe mund të arrijmë sukses", deklaroi Grubi.

Sipas tij, problemi me emrin pothuajse është zgjidhur. Në javët e ardhshme duhet të dakordohen detajet, që marrëveshja me Greqinë të jetë një zgjidhje me dinjitet dhe kompromis për të dyja palët.

"Me Greqinë filluam të bisedojmë në gjuhën e miqësisë, dhe jo përmes shënjestrës së historisë dhe të kaluarës si deri më tani. Kemi masa për ndërtimin e besimit, tashmë i riemërtuam autostradën dhe aeroportin. Identitetin, kulturën, emrin dhe shtetin do t'i mbrojmë vetëm nëse jemi pjesë e familjes së madhe evropiane", theksoi Grubi.

Ai shprehu keqardhje për dekretin e panënshkruar për Ligjin e gjuhëve nga ana e presidentit Gjorgje Ivanov, i cili e ktheu ligjin në rilexim në Kuvend.

"Ivanovi ka humbur shansin të jetë president i pranuar për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, duke përfshirë edhe shqiptarët dhe të lerë gjurmë në përfundimin e pjesës normative nga Marrëveshja e Ohrit", tha Grubi.

Grubi deklaroi se ligji i gjuhëve i shfrytëzon të gjitha obligimet nga kjo marrëveshje, që integrimi i bashkësisë shqiptare në Maqedoni të kompletohet, por Ivanovi këtë e ka penguar. Theksoi se për herë të parë në historinë e Republikës së Maqedonisë ndodh që presidenti i shtetit të kthejë ligj me flamur evropian, për herë të parë ndodh të parashtrohen 36,000 amendamente edhe kjo në lexim të tretë.

Grubi thotë se autor i këtij ligji është respektivisht VMRO-DPMNE ja.

"Këtë ligj ata e pranuan më 29 janar të vitit 2017 dhe tani parashtrojnë amendamente për bllokimin e të njëjtit. Ky patriotizëm i tyre është aq absurd dhe qytetarët duhet ta dinë se kjo bëhet vetëm për qëllime politike ditore", tha Grubi