Sinidkalistët e arsimit të vendosur për grevë

Sinidkalistët e arsimit të vendosur për grevë

Edhe pse ministri i Arsimit, dje i ka dorëzuar Qeverisë projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 1990-1999, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, është e vendosur që të vazhdojë grevën e paralajmëruar për nesër.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha për  KosovaPress se pa marr garancën nga Komisioni Parlamentar për Arsim se projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit për periudhën 1990-1999 do të kalojë në Parlament nuk do i ndërpresin  grevën e paralajmëruar për 14 dhe 20 shkurt.

“Për ne nuk do të thotë punë e kryer pse ligji ka shkuar por ne kemi informacione të sakta nga MASHT-i se vërtet ligji ka shkuar në Qeveri por ne do të vazhdojmë me veprimet tona  sindikale të shohim çfarë do të bëjë Qeveria në mbledhjen e radhës,  a do të debatojë për ligjin. Nëse po nëse ata e votojnë dhe e nisin procedurën për Parlament ne menjëherë do të kontaktojmë me Komisionin Parlamentar për Arsim të shohim se çfarë po thonë ata, sepse ata mund të thonë që e dërguam në Parlament e pastaj ai të ngel sikurse tani e nga viti 2013 të ngelet në sirtar”,  tha Jasharaj.

Sipas tij  greva e nesërme një orëshe do të mbahet  ashtu siç është paralajmëruar.

Duke u shprehur i  dëshpëruar me Qeverinë e Kosovës a Jasharaj deklaroi se në dhjetë vjetorin e pavarësisë së vendit ekzekutivi   do të duhej t’i shpërblejë mësimdhënësit e asaj kohe me ligjin për vitet 90’ dhe 99’.

“Qeveria e Kosovës po themi na dëshpëroi ngase është dashur për hir të një dekade të pavarësisë për të cilën mësuesit  punuan në atë kohë t’i shpërblej me ligjin për vitet e nëntëdhjeta, këtë nuk e ka bërë deri sot dhe prandaj ne do të vazhdojmë me veprimet sindikale”, tha Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut ka apeluar për mirëkuptim nga nxënësit dhe prindërit, pasi sipas tij këto veprime i kanë ndërmarrë  për historinë e arsimit shqiptar në vitet e okupimit.

Në Ministrinë e Arsimit bëjnë të ditur se Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 1990-1999 dje i është ridërguar Qeverisë dhe së shpejti pritet të kalojë në Kuvend.

Valmir Gashi, këshilltar për media i ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, tha se ky projektligj gjatë vitit të kaluar është dërguar në Qeveri, mirëpo për shkak të mos planifikimit të duhur financiar ekzekutivi ka kërkuar që  i njëjti të rishikohet.

“Projektligji për statusin e punëtorëve të viteve 90’-99’ne sipas zotimit të ministrit është dërguar në Qeveri që vitin e kaluar, mirëpo me kërkesë të Qeverisë është kërkuar nga Ministritë përkatëse dhe palët e përfshira në këtë projektligj që të rishikohet edhe njëherë rreth planifikimit të kostos financiare. Grupi punues e ka rregulluar këtë çështje ka përfunduar dhe është dërguar prapë në Qeveri dhe presim që qeveria shumë shpejt ta kaloj në kuvend”, tha Gashi për KosovaPress.

Sipas Gashit ata të  cilat do të përfitojnë nga ky ligj janë ndarë në dy kategori,  varësisht nga periudha kohore se sa kanë kontribuuar në arsim gjatë viteve 1990-1999.

“Kategoria e parë është e atyre të cilët kanë kontribuuar nga 5 deri në 10 vjet dhe ata do të përfitojnë 70 përqind të pagës bazë në arsimin fillor dhe kategoria e dytë është nga 1 deri në 5 vite të cilët do të përfitojnë në 65 për qind të pagës bazë në arsim fillor”, tha ai.

Përveç, mësimdhënëseve për kontributin e dhënë në arsim gjatë kësaj periudhe nga ky projektligj do të përfitojnë edhe individët të cilat i kanë dhënë shtëpitë e tyre për të zhvilluar mësimin, personeli i administratës,etj.

SBASHK  të shtunës ka vendosur që të mërkurën(nesër)  në orën e parë të mësimit të mbahet grevë, ndërsa nëse Qeveria nuk reflekton,  më 20 shkurt do të vazhdojnë me grevë në 2 orët e para të mësimit.

Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit për vitet 1990-1999 ka qenë edhe pjesë e marrëveshjes së nënshkruar më 5 qershor 2017 në mes të koalicionit PAN që tashmë është në Qeveri dhe Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës e Kosovës.