Memorial për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Memorial për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e katër organizatave e shoqërisë civile, të licencuara për të bërë verifikimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Organizatën Qendrën për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës - QKRMT, Medika Kosova, Medika Gjakova dhe Qendrën për Promovimin e Gruas në Drenas.

Veseli u informua rreth procesit të verifikimit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa u falënderua për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për këtë kategori, në aspektin legjislativ dhe atë financiar.

Kryeparlamentari Veseli ka falënderuar përfaqësueset e këtyre organizatave për punën e tyre të bërë deri më tash. Ai ka premtuar se gjatë këtij viti, përballë Kuvendit të Republikës Kosovës do të ngritët një memorial për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, njofton zyra për informim e Kuvendit.

Në këtë takim, është diskutuar edhe mundësia që kjo kategori të përfitojë shërbime shëndetësore falas. Veseli, po ashtu, ka premtuar se do të trajtohen me prioritet problemet e shfaqura në zbatim të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.​