Dimitrov në Sofje në takim joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së

Dimitrov në Sofje në takim joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së

Gjendja në Ballkanin Perëndimor, me theks në procesin euro-integrues në rajon, si dhe situata në Siri dhe Korenë Veriore, do të jenë temat në të cilat do të diskutohet në sesionet e takimit joformal të Këshillit për punë të jashtme të Bashkimit Evropian (Gimnih), që më 15 dhe 16 shkurt do të mbahet në Sofje, ndërsa në të cilin do të marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov.

Nikoqir i takimit është zëvendëskryeministrja dhe ministrja bullgare e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva, vendi i të cilës është kryesuese aktuale me BE-së.

Në takimin joformal do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e Unionit për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, shefat e diplomacive të 28 vendeve-anëtare, si dhe ministrat e punëve të jashtme të pesë vendeve kandidate nga rajoni Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Dimitrov në Sofje mbërrin nesër, ku është paraparë të ketë takime bilaterale me presidentin e Bullgarisë Rumen Radev, kryeministrin Bojko Borisov dhe me kolegen e tij Zaharieva.

Dimitrov dhe Zaharieva në takimin e nesërm, siç kumtoi MPJ-ja, është paraparë t’i këmbejnë dokumentet e ratifikuara të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.

Me këtë në mënyrë praktike do të përfundojë procedura formale për hyrje në fuqi të Marrëveshjes, pas ratifikimit të tij në Kuvendin e Maqedonisë më 15 janar dhe Parlamentin bullgar tre ditë më vonë.

Gimnih është kështjellë në pjesën perëndimore të Gjermanisë, e cila ishte shtëpi për mysafirë e qeverisë të Gjermanisë së dikurshme Perëndimore. Ky është vendi ku u mbajt takimi i parë joformal i shefave të diplomacive të BE-së nga viti 1974.

Këto takime janë joformale, ndërsa pjesëmarrësit kanë mundësi që të diskutojnë për çështje aktuale, ndërsa pas debateve nuk miratohen deklarata ose konkluzione formale.