Bugajski, sfidat e Kosovës që nga arritja e pavarësisë 10 vjet më parë

Bugajski, sfidat e Kosovës që nga arritja e pavarësisë 10 vjet më parë

Janusz Bugajski, ekspert i çështjeve të Ballkanit në Uashington, i ndjek zhvillimet në Kosovë prej gati 30 vjetësh dhe thotë se ndryshimet atje janë të jashtëzakonshme. Ai ka qenë për herë të parë në Prishtinë në vitin 1990. Kush mund ta përfytyronte në atë kohë se Kosova do të ishte bërë shtet i pavarur apo do të kishte sot marrëdhënie kaq të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera perëndimore, thotë zoti Bugajski.

Në këtë intervistë, analisti flet për sfidat e Kosovës që nga arritja e pavarësisë 10 vjet më parë.

Zoti Bugajski, Kosova është njohur nga rreth 115 vende dhe është anëtare e dhjetëra organizatave ndërkombëtare. Por Serbia ka ndërmarrë një fushatë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare. A mendoni se Bashkimi Evropian i ka luajtur kartat e tij me efektivitet për ta ndalur këtë fushatë? Në fakt, pesë nga vendet e tij anëtare ende refuzojnë ta njohin Kosovën, sidomos Spanja.

Janusz Bugajski: Nuk mendoj se Bashkimi Evropian është treguar sa duhet i fortë. Ndoshta tani me nismën e re të Komisionit Evropian, Kosova dhe vendet e tjera mund të ecin përpara shumë më shpejt drejt anëtarësimit në BE. Por kjo duhet të përfshijë normalizimin ose pranimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Prishtinës dhe Beogradit.

Por a ka Brukseli një strategji se ku duhet të çojnë përfundimisht bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë? Ku po shkon në fakt ky proces?

Janusz Bugajski: Ka një objektiv përfundimtar, që është njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi i ndërsjellë në Bashkimin Evropian, por nuk ka një strategji. Pra nuk ka të përcaktuar një numër të mjaftueshëm hapash konkretë brenda një kalendari të caktuar kohe, me pjesmarrës të përcaktuar për të arritur rezultate të përcaktuara dhe ky është problem. Procesi nuk ka qenë shumë i disiplinuar dhe nuk i ka mbajtur palët sa duhet nën presion. Këtu është çështja.

SHBA kanë qenë sponsorizuesi kryesor i pavarësisë së Kosovës. A mundet që Amerika të ofrohet përsëri për t’u bërë një ndërmjetës i rëndësishëm mes Kosovës dhe Serbisë, edhe për shkak se Kosova është në vijën e frontit të një lufte të re të ftohtë të Rusisë me Perëndimin?

Janusz Bugajski: Kjo është pikërisht ajo që do të donin të shihnin një numër analistësh, duke përfshirë edhe veten time. Gjatë disa viteve të shkuara, SHBA janë tërhequr një hap prapa. Jo se nuk janë përfshirë, por e kanë lënë iniciativën kryesisht në dorë të Bashkimit Evropian. Dhe ne po i shohim rezultatet, që janë të përziera: Ka patur suksese, por ka patur edhe mangësi, pra ka shumë gjëra që mungojnë. Mendoj se me një përfshirje të drejtpërdrejtë amerikane mund të arrihej shumë më tepër. Sepse nuk është fjala vetëm për Kosovën. Serbia gjithashtu bëhet më e vemendshme kur ka një përfshirje të Shteteve të Bashkuara.

Sa i mundur është një skenar destabilizimi i Moskës në Kosovë, pas grushtit të dështuar në Mal të Zi? A mund të shkaktojë Rusia konflikt të armatosur? A mund të përfitojë Rusia nga polarizimi etnik siç është ai në Veri të Kosovës?

Janusz Bugajski: Po. Regjimi i Putinit në Moskë shfrytëzon, manipulon dhe përfiton nga konfliktet në terren. Jo dosmodo i krijon konfliktet por i nxit ato, paguan njerëz, politikanë të korruptuar për t’i nxitur ato, nxit konflikte etnike. Këto nuk është e thënë të ndodhin në Kosovë, por mund të ndodhin në një vend fqinj dhe ta tërheqin Kosovën në një konflikt. Një nga skenaret mund të ishte një ndarje si ajo në Bosnje, që mund të tërhiqte Serbinë në një konflikt me Kroacinë. Unë nuk jam në brendësi të planeve dhe strategjive që ka Kremlini, por mund të përshkruaja një numër strategjish që mund të ndiqte Kremlini për të destabilizuar rajonin.

Me sa di, ju e keni vizituar Kosovën shumë shpesh vitet e fundit. Çfarë po ndodh në Veriun e saj? A është bërë Veriu një strehë e sigurtë për krimin e organizuar? Kush e ka kontrollin e vërtetë në këtë pjesë të Kosovës dhe a ka rrezik që aty të përfshihet edhe Rusia?

Janusz Bugajski: Kam frikë se Veriu i Kosovës po bëhet pak a shumë si ato konfliktet e ngrira, ku lëvizjet separatiste të mbështetura nga Rusia po marrin kontrollin, me elementë kriminalë, me mungesën e rendit, me kufijtë ku hyn e del kushdo dhe ku qeveria qendrore nuk ushtron autoritetin e saj. Kjo gjendje më kujton Trans-dnistrian, Osetinë Jugore dhe rajonin e Donbasit. Pra, është si një konflikt i ngrirë dhe i pazgjidhur edhe pse ky rajon është pjesë e Kosovës. Çelësi këtu është që SHBA të bindin Bashkimin Evropian për të rivendosur autoritetin qendror të Kosovës, zbatimin e ligjit përmes policisë, kontrollin e kufirit, sistemin e drejtësisë e të tjera. Dhe mendoj se serbët e atjeshëm do të përfitonin më shumë nga këto gjëra se sa përfitojnë nga kriminaliteti.

Udhëheqësit e Kosovës thonë se strategjia e re e Bashkimit Evropian për Ballkanin nuk përmban qartësinë e duhur për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit. Cili është komenti juaj?

Janusz Bugajski: Kosova duhet të kalojë nëpër proceset që ka kaluar çdo vend tjetër, duke filluar me marrëveshjen e asocim-stabilizimit, për të përmbushur të gjitha kërkesat, për të ndërmarrë reformën e gjyqësorit dhe reformat e tjera. Anëtarësimi në BE nuk është një proces i menjëhershëm. Ai kërkon kohë, por kërkon edhe përpjekje dhe reforma. Nëse Kosova i plotëson këto, ku përfshihet edhe kufiri me Malin e Zi, kjo do të ishte një shtytje e jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës. Kosova ka shumë detyra shtëpie për të kryer. Veç atyre që thamë, këtu hyn edhe fillimi i procesit për krijimin e një force të armatosur, një ushtrie të Kosovës, me vështrimin drejt një anëtarësimi të ardhshëm në NATO.

Ende po dëgjojmë zëra për një ndarje të mundshme të Kosovës, kësaj here ato vijnë nga ministri serb i Mbrojtjes, zoti Vulin. Serbët thonë se po zhvillojnë një dialog të brendshëm mbi Kosovën duke hedhur përsëri në publik këtë ide. A shihni ndonjë lëvizje në këtë kuptim, apo është kjo thjesht riformulimi i një ideje të vjetër?

Janusz Bugajski: Mendoj se kjo është një lloj fantazie dhe nuk do të ndodhë. Nuk mendoj se as Uashingtoni dhe as Brukseli nuk e marrin seriozisht. E vetmja mënyrë me të cilën mund të realizohet ndonjë lloj ndryshimi territorial do të ishte që së pari Beogradi dhe Prishtina ta njihnin njëri-tjetrin si dy shtete të pavarura dhe pastaj, nëse dëshirojnë, mund të fillojnë të negociojnë çdo lloj shkëmbimi territorial. Nuk mendoj se Kosova do të ishte e gatshme të jepte ndonjë territor, as Serbia të jepte ndonjë pjesë të Luginës së Preshevës. Pra, hapi i parë në çdo gjë, do të ishte njohja reciproke dhe pastaj varet nga të dy vendet. Ne e pamë këtë në rastin e ish-republikës së Çekosllovakisë. Kur dy vendet e krijuara pas ndarjes e njohën njëri-tjetrin, mes tyre pati disa rregullime territoresh. Mendoj se kjo do të ishte e vetmja mënyrë./VoA