Putinin luftojeni me zjarr

Putinin luftojeni me zjarr

Thuhet se Moska planifikon të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme në SHBA. Në Rusi, gjithashtu do të ketë zgjedhje.

Janusz Bugajski

Opinion i botuar në “The Wall Street Journal”

Agjencia Qendrore e Inteligjencës ka raportuar se Moska po përgatitet të ndërhyjë në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.

Nëse bazohemi në teorinë që mbrojtja më e mirë është sulmi, atëherë pse mos ta shqyrtojë Uashingtoni nisjen e një ofensive kibernetike kundër Kremlinit? Një sulm i shënjestruar mirë mund ta destabilizojë regjimin e Vladimir Putinit.

Më 18 mars, në Rusi do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Rezultati është vendosur tashmë- do të fitojë z. Putin- mirëpo dihet se vendi është i dobët përballë një ndërhyrjeje kibernetike. 

Njëri ndër komponentët kryesorë të një sulmi të fshehtë do të ishte hakimi dhe shpërndarja e komunikimeve zyrtare ruse, me fokus në Kremlin, ministritë e qeverisë, Parlamentin, bizneset kryesore si dhe partitë e nënshtruara politike e korrespondencën private ndërmjet zyrtarëve.

Megjithëse mediat kryesore kontrollohen nga regjimi,  rrjedhjet potenciale të informacionit mund të qarkullojnë përmes medieve sociale, një instrument i preferuar i Kremlinit për dezinformim  në Perëndim.

Në objektiv do të duhej të ishte zbulimi publik i skandaleve më provokative të zyrtarëve më të lartë të Rusisë dhe shtrirjen e qeverisjes së tyre të korruptuar, mënyrën e jetës së tyre luksoze, gënjeshtrat publike si dhe përbuzjen e qytetarëve të rëndomtë.

Posaçërisht të vlefshme do të ishin mesazhet që zbulojnë gatishmërinë e zyrtarëve, oligarkëve dhe burokratëve për të tradhtuar vendin për përfitime personale.

Shërbimet perëndimore të inteligjencës sigurisht posedojnë informacion më të plotë për vjedhjen e buxhetit rus, sesa aktivisti anti-korrupsion Alexei Navalny, i cili është ndaluar të marrë pjesë në garën zgjedhore.

Ofenziva e SHBA-së mund të shkojë përtej zgjedhjeve, si pjesë e një operacioni më të gjerë të ndikimit psikologjik.

Një strategji e tillë do të kishte dy objektiva kryesore: tjetërsimi i publikut nga regjimi dhe provokimi i luftës/trazirave brenda vetë pushtetit.

Zbulimet e detajizuara rreth tradhtisë zyrtare dhe abuzimit financiar mund të nxisin trazira sociale, etnike, rajonale dhe fetare, veçanërisht pasi standardet e jetesës për masën e gjerë vazhdojnë të bien.

Ndryshimi i regjimit më pas do të mbetej përgjegjësi e qytetarëve të shfrytëzuar e manipuluar rusë.

Njëkohësisht, zbulimet e konflikteve brenda elitës qeverisëse do të shkaktonin pasiguri dhe ankth në qarqet qeveritare si dhe do të shfaqnin dobësitë politike të regjimit.

Edhe nëse kjo nuk do të ndikonte në rënien e menjëhershme të z. Putin, megjithatë do të ndihmonte në largimin e Kremlinit nga lufta e tij e pakontestueshme kibernetike kundër demokracive perëndimore.

Disa mund të thonë se një sulm i tillë kundër Moskës do të ishte provokues dhe do të përshkallëzonte mosmarrëveshjet ndërmjet SHBA-së e Rusisë.

Megjithatë, mungesën e një përgjigjeje efektive të SHBA-së ndaj ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e fundit, Kremlini e percepton si dobësi dhe paaftësi.

Sulmi ndaj demokracisë amerikane vazhdon edhe sot e kësaj ditë, kryesisht shkaku i mungesës së një kundërsulmi adekuat dhe pasojave të kufizuara që kanë lënë sanksionet financiare tek zyrtarët rusë.

Përveç kësaj, Moska gjithsesi do të akuzojë Amerikën për ndërhyrjen në zgjedhjet e veta. Uashingtoni gjithashtu do të mund të arrijë diçka.

Përktheu: Zejnepe Qorraj, RTK