Jasharaj paralajmëron përshkallëzim të grevës nëse s`reflekton Qeveria

Jasharaj paralajmëron përshkallëzim të grevës nëse s`reflekton Qeveria

Sot i tërë arsimi i Kosovës është në grevë dyorëshe. Greva do të mbahet në dy orët e para të mësimit të paradites dhe në dy orët e para të mësimit të pasdites në të gjitha shkollat e Kosovës, kurse Universitetet do të jenë në grevë nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se greva dyorëshe në institucionet arsimore, është organizuar pasi që kishte reflektim të pamjaftueshëm të Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të punësuarve në arsimin e Kosovës.

“Greva e sotme është unike. Unë besoj që qeveria të reflektojë dhe ne mos të marrim veprime sindikale. Qeveria të veprojë jo me deklarata, por me punë konkrete”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Ai ka ftuar që të përpilohet ligji për punën e viteve të 90’ta dhe qeveria ta procedojë atë pa vonesa.

Për të diskutuar për situatën e tanishme kryesindikalisti Jasharaj, sot do të ketë takim me kryeministrin Ramush Haradinaj.