Haradinaj: Ka argumente të mjaftueshme që të votohet Demarkacioni

Haradinaj: Ka argumente të mjaftueshme që të votohet Demarkacioni

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur, ka miratuar kërkesën drejtuar Kuvendit të Kosovës për tërheqjen e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, jo  i gjithë kabineti qeveritar votoi pro tërheqjes së kësaj marrëveshje. Pasi që tre ministrat serbë abstenuan.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se ata po kërkojnë që Projektligji të tërhiqet nga Kuvendit, pasi që ka pasur zhvillimet e reja, pas deklaratës së përbashkët  të dy presidentëve atij të Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërsa thotë se projektligji së bashku me deklaratën e dy presidentëve, do t’i kthehet sot pasdite Kuvendit dhe se do të jenë të gatshëm që nesër apo pasnesër për seancë, ku pritet të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi.

“ I drejtohem Kuvendit më tërheq ligjin për marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, për ratifikim, me qëllim të inkorporimit në ligj të marrëveshjes së dy presidenteve, pra z. Thaçi dhe z. Vujanoviq. Brenda ditës diku rreth orës 4,  ia kthejmë Kuvendit. Që nesër jemi të gatshëm për seancë. Me siguri seanca  do të ftohet ose nesër ose pasnesër po them. Por pasnesër gjithqysh. Sepse nuk kemi  mundësi me prit më shumë. Por gjasa më të vogla, ka nesër me u thirr”, tha ai.

Haradinaj tha se parlamentit do t’i dërgohet për votim Ligjin së bashku me dokumentet tjera përcjellëse, përfshirë këtu dhe raporti i komisionit të Shpejtim Bulliqit.

“Ne kur i dërgojmë Parlamentit tonë për votim, tani i çojmë ligjin, për dhe dokumentet tjera përcjellëse. Dhe raporti i komisionit shkon në Kuvend, pra i komisionit Bulliqi dhe aneksi,  deklarata. Kosova pra e voton Ligjin dhe aprovon materiale tjera përcjellëse për Mal të Zi,  ata e vlerësojnë”, tha ai.

Ndërsa sa i përket abstenimit të përfaqësuesve serb në Qeveri për tërheqjen e Projektligjit nga Kuvendi Haradinaj, tha se ishte shenjë e mirë që ata ishin prezent në takim.

“ Kjo ishte shumë shenjë e mirë, që ishin në takim të Qeverisë. Zakonisht në disa tema të ndjeshme e keni vërejt kanë munguar. Ta shohim, kemi kohë. Nuk muj me precizu”, tha ai.

Ndërsa thotë se Mali i Zi, s’ka nevojë të shkojë prapa me riratifikim.

“Ata nuk kanë nevojë  me shku prapa në ri-ratifikim. Pra vetëm nëse dojnë. Ndërsa ne nuk e kemi bërë ratifikimin ende dhe ratifikojmë ligjin për marrëveshjen, duke inkorporuar marrëveshjen e presidentëve. Nga ana jonë janë mundësitë që parlamenti ynë me votu dhe marrëveshjen që parasheh korrektimin”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë argumente të mjaftueshme që ta votojnë Projektligjin për demarkacionin.

“Marrëveshja është e nënshkruar nga presidenti Thaçi, po nuk është e presidentit Thaçi. Është marrëveshje e Kosovës me Malin e Zi, në të cilën dhe unë kam punuar. Edhe kjo marrëveshje e nxjerr të drejtën në territor të Kosovës. Dhe të drejtën për lirinë e lëvizjes që është shumë e rëndësishme për qytetarët e vendit.  Tani unë mendoj se ka argumente të qëndrueshme për deputetët që të votojnë.  Shpresojë se do ta shohim që është kështu. Fakti se marrëveshja përfshihet ne ligj dhe ne e votojmë marrëveshjen e  presidentëve,  që parasheh rishikim dhe korrektim, në drejtimin e Qakorrit dhe Kullës dhe nuk e ndal vetëm me këtë, por i jep direkt kohë mendoj se janë argumentet me votu ”, tha ai. .

I pyetur se ku mbet Qakorri, Haradinaj thotë se janë aty ku janë.

“Qaty ku janë njëherë“

Ndërsa thekson se dakordimi nga Mali i Zi për me u korrektu vija në këto dy drejtime,  nuk është bërë me dhunë,  por  është vullnet politik i tyre.