Tahiri: 2018-ta vit i fuqizimit të sundimit të ligjit

Tahiri: 2018-ta vit i fuqizimit të sundimit të ligjit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, shprehet i bindur se qytetarët do t’i shohin ndryshimet në sistemin e drejtësisë. Ai thotë se sistemi i drejtësisë ka arritur mjaftueshëm në dekadën e parë të shtetit të Kosovës, ndonëse ende ka vend për fuqizimin e saj.

Në një intervistë për KosovaPress, Tahiri tha se në dekadën e dytë të pavarësisë së Kosovës do të jetë fuqizimi i sistemit të drejtësisë në vend.

Madje sipas tij, dhjetëvjetori i dytë do të fuqizojë sundimin e ligjit, ekonominë e vendit, arsimin. Tahiri ka përmendur edhe sfidat dhe ngecjet që ka pasur sistemi i drejtësisë që nga viti 2008.

 “Si Qeveri dhe ministër i Drejtësisë, përpjekja ime e parë ka qenë rritja e buxhetit për Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial. Janë këto dy këshilla që ne i menaxhojmë me prokurorë, me gjyqtarë. Kam shkuar në dy drejtime, të shtohet numri i tyre për aq sa kemi nevojë, posaçërisht për atë që po hyjmë në fazat përmbyllëse të EULEX-it dhe duhet të plotësohet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve nëpër ato institucione të gjyqësorit dhe prokurorisë ku ata kanë qenë pjesë e prej qershorit nuk do të jenë”, tha Tahiri.

Ndër të arriturat më të mëdha të sistemit të drejtësisë për dhjetë vjet pavarësi, Tahiri e thekson shtrirjen e gjyqësorit në veri.

Ai përmend themelimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë ku sipas Tahirit adresë e qytetarëve që jetojnë në atë pjesë do të jenë gjykatat e Kosovës.

Ministri Tahiri thotë se prioritet i tij është nxjerrja e legjislacionit dhe fuqizimi i gjyqësorit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ai thotë se këtë do ta bëjë me anë të ndryshimit të Kodit Penal të Kosovës, Kodit të Procedurës Penale, ligjit për kryeprokurorin dhe ligjin për Agjencinë Kundër Korrupsion.     

 “Do të rriten ndjeshëm dënimet sa i përket çështjeve që lidhen me aferat korruptive, po ashtu do të zgjatet afati i parashkrimit të lëndëve, do të thotë ky ka qenë një problem që vazhdimisht është theksuar, që si rezultat i mungesës së efikasitetit po arrihet të parashkruhen shumë lëndë që lidhen me krim të organizuar dhe korrupsion, do të rritet pra afati i parashkrimit të lëndëve. Në anën tjetër rritja e numrit të prokurorëve, gjyqtarëve që do të ndodh gjatë vitit 2018 me shtimin e buxhetit që kemi bërë. Ndryshimi dhe ashpërsimi i këtyre masave nuk kam pikë dyshimi që viti 2018 do të jetë vit i fuqizimit të sundimit të ligjit dhe do të jetë vit i luftimit më të ashpër të korrupsionit dhe dukurive tjera negative që lidhen me keqpërdorimin e parave publike”, tha Tahiri.

Duke folur për Kodin e Procedurës Penale, Tahiri tha se është duke u punuar intensivisht në plotësim ndryshimin e tij, derisa afatin e fundit e ka dhënë fundin e marsit që të përfundojnë ndryshimet.  Megjithatë, shprehet i gatshëm t'a zgjatë këtë afat nëse i kërkohet nga grupi punues.

Tahiri e sheh të nevojshme edhe ndryshimin e ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit, por pa e cenuar pavarësinë e këtij institucioni. Ai thotë se ka propozuar edhe heqjen e një numri të madh të zyrtarëve për deklarimin e pasurisë, siç janë asamblistët e kuvendeve komunale.

 “Nuk mund të konsiderohet njëjtë sikur një qoftë deputet apo ministër, ose një asamblist i kuvendit komunal, i cilitdo kuvend komunal qoftë ai. Fokusin duhet ta kemi në Qeveri, parlament, gjyqësor, prokurori dhe jo në nivelet të cilët janë të papushtetshëm dhe mundësia që të ndodhin afera korruptive janë të vogla”, tha Tahiri.

Ministri i  Drejtësisë, ka folur edhe për kriteret që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, për të cilat thotë se janë në rrugë të mirë në përmbushjen e të gjitha kërkesave.

 “Unë mendoj që tashmë jemi në rrugë të drejtë edhe sa i përket çështjeve që ndërlidhet me liberalizimin e vizave, kemi një angazhim të madhe dhe KPK-së, edhe të KGJK-së, si dy institucione tepër të rëndësishme në monitorimin e punëve të gjykatave ku janë këto rate që lidhen me liberalizim të vizave. Kjo është çështje që ndërlidhet direkt tek agjencionet ligj-zbatuese dhe unë si ministër do të shkoj deri aty ku nuk e cenoj pavarësinë e tyre.

Ndërsa, rreth strategjisë së publikuar javë më parë nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, Tahiri tha se pikërisht ato çështje që parashihen aty, janë paraparë në rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë.

 “Shumica e çështjeve, ato vetëm një fjali mungon, sepse shumicën e atyre çështjeve i kemi paraparë në rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë. E kam thënë edhe më herët që duhet të fillojmë një reformë të thellë të rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit dhe shumë prej atyre çështjeve që adresohen në këtë raport ne tashme i kemi në plan të punës me rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë. Aty mungon fjalia e rishikimit  funksional të sistemit të drejtësisë që duhet të ndodh, ne të gjitha ato do t’i adresojmë, padyshim se ajo na jep drejtim të qartë se kah duhet të fokusohemi”, tha ai.

Kur foli për situatën në burgje, ministri i Drejtësisë tha se janë shumë më mirë se sa në vendet e rajonit. Derisa për të metat, thotë se nuk duhet fajësuar drejtuesit e Shërbimit Korrektues, pasi nuk kanë pasur kushte. Për të ngritur edhe me tutje nivelin e sigurisë dhe kushtet në burgje,  Tahiri tha se kanë shpallur konkursin për 70 oficerë korrektues, derisa në pjesën e dytë të vitit do të dal edhe një konkurs për 70 të tjerë, duke ngritur kështu në 140 numrin e oficerëve të rinj korrektues që do të punësohen.

Ndërsa, duke komentuar përfundimin e mandatit nga Misioni i EULEX-it, ministri Tahiri ka thënë se ata janë të gatshëm që t’i marrin të gjitha kompetencat në duart e tyre.

E kur është pyetur për iniciativën për zhbërjen e dhomave të specializuara, Tahiri tha se ai do të vazhdon të punoj në bazë të ligjeve në fuqi, ndryshimeve kushtetuese të vitit 2015 dhe ligjit për dhomat e specializuara.

Tahiri edhe një herë ka kundërshtuar ashpër miratimin e dy rekomandimeve nga Kuvendi i Kosovës pas një debati për dënimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

 “Miratimi i atyre rekomandimeve në Kuvendin e Kosovës është cenim i punës së gjyqësorit dhe i pavarësisë së gjyqësorit dhe Policisë së Kosovës. Në asnjë rrethanë dhe asnjë moment qofshin deputetë, ministra kushdo qoftë ne duhet të jemi të kujdesshëm që mos ta cenojmë punën e gjyqësorit dhe prokurorisë së Kosovës. Këto janë institucione tepër të rëndësishme në zbatimin e ligjit, në fuqizimin e zbatimit të ligjit dhe tendenca të tilla për ta dëmtuar imazhin e gjyqësorit janë të papranueshme. Ato rekomandime janë të papranueshme. Unë e kam shikuar mundësinë t’i dërgoj edhe në Kushtetuese mirëpo, rekomandimet nuk mund t’i dërgoj meqë nuk i parasheh Kushtetuta”, theksoi Tahiri.

Ministri Tahiri nuk ka dashur të komentoj raportimet për falsifikimin e provimit të jurisprudencës nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi, duke thënë se ai do të punojë me ta në bazë të funksioneve që kanë, por që nuk do të komentoj asgjë rreth këtyre raportimeve.