Qeveria investon me gjashtë projekte në Mitrovicë

Qeveria investon me gjashtë projekte në Mitrovicë

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi në lidhje me gjashtë projekte vlera e të cilave kap shumën rreth 2.5 milionë euro.

Ministrja Albena Reshitaj, duke thënë se këto projekte janë jetike për Mitrovicën, ka premtuar se do të jetë e përkushtuar edhe në të ardhmen që këtij qyteti t’ia ndryshojë pamjen për të mirë.

 “Dua të them që ne ia kemi borxh qytetarëve të Mitrovicës, sepse ata na besuan neve dhe ne do ta dëshmojmë se me të vërtetë jemi të përkushtuar që kësaj Mitrovice t’ia ndryshojmë pamjen për të mirë. Këto projekte janë jetike për Mitrovicën. Ne do të vazhdojmë dhe ky është vetëm fillimi… Të gjitha këto projekte kapin shumën mbi 2.5 milion euro”, ka thënë Reshitaj.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, tha se është hera e parë prej që ka ardhur në pushtet, që ka përkrahje nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, këto projekte kanë qenë tepër të nevojshme për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, ndërsa shpreson se përkrahje të tilla të ketë edhe nga ministritë tjera.

 “Është hera e parë në histori që prejse  kam ardhur unë që ka përkrahje kryetari Bahtiri prej qeverisë së Republikës së Kosovës…Unë e dija pse isha atëherë pro që një pjesë e përgjegjësisë të Qeverisë së Republikës së Kosovës ta marrin njerëz të devotshëm të AKR-së. Dhe këta njerëz të devotshëm po tregojnë rezultate jo vetëm në Mitrovicë, por në çdo qytet të Kosovës dhe unë falënderoj të gjithë ministrat nga AKR-ja të cilët janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme…Unë falënderoj shumë ministren që ka sjellë 6 projekte për Mitrovicën, të cilat kanë qenë tepër të nevojshme dhe shpresojmë se edhe në të ardhmen do të kemi projekte të tilla jo vetëm nga kjo ministri, por edhe nga Ministri tjera”, theksoi Bahtiri.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli, ka përgëzuar kryetarin Bahtiri për përfitimin e këtyre projekteve, duke thënë se në Mitrovicë është bërë një qeverisje e veçantë në krahasim me komunat tjera.

Pacolli ka bërë thirrje edhe deputetëve tjerë që ta mbështesin qytetin e Mitrovicës për shkak të specifikave të saj.

Ndryshe, projektet të cilat do të realizohen në bazë të këtij memorandumi janë kopshti botanik në Mitrovicë, ndërtimi i ujësjellësit dhe kanalizimit në Mitrovicë, kanalizimi në fshatin Frashër, rregullimi i shtratit të lumit Ibër, pastaj të lumit Sitnicë, si dhe ndërtimi i shtëpisë së peshkatarëve në liqenin akumulues.