Hani i Elezit dhe Universiteti i Gjilanit me “Marrëveshje Bashkëpunimi

Hani i Elezit dhe Universiteti i Gjilanit me “Marrëveshje Bashkëpunimi

Kryetari i Komunës Rufki Suma priti në takim pune Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, Rektorë i Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan.

Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi fillimisht e uroi Kryetarin Suma me rastin e rizgjedhjes në mandatin e tretë në krye të komunës së Hanit të Elezit duke shtuar se rasti i tij po diskutohet në tërë Kosovën si shembull se ai që punon gjithmonë do të ketë edhe përkrahjen e popullit.
Në takim Kryetari i Komunës Rufki Suma dhe Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi Rektorë i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan biseduan për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Sipas z.Kosumit në Universitetin “Kadri Zeka”, në Gjilan aktualisht janë duke studiuar mbi 6000 studentë në katër Fakultete dhe nëntë programe mësimore në nivelin Bachelor dhe Master.
Një numër i këtyre studentëve janë edhe nga komuna e Hanit të Elezit që është një arsye që Komuna e Hanit të Elezit dhe Universiteti “Kadri Zeka”, të zyrtarizojnë një “Marrëveshje Bashkëpunimi” me qëllim të përbashkët - përkrahjen e studentëve gjatë studimeve dhe identifikimin e iniciativave për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithëmbarshëm socio-ekonomik të rajonit ekonomik të dy institucioneve.
Bashkëpunimi ndërmjet dy Institucioneve do të përfshijë:
a. Mundësimin e mbajtjes së punës praktike për studentët e UKZ-së, nëpër drejtoritë komunale të Komunës së Hani i Elezit;
b. Përkrahjen e studentëve të Komunës së Hani i Elezit me bursa studentore komunale;
c. Institucionalizimin e bashkëpunimit reciprok dhe të ndërsjellë në sferën e ofrimit të ndihmës për ngritjen e kapaciteteve të studentëve të UKZ-së;
d. Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese;
e. Shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional;
f. Bashkëpunimin në organizimin e aktiviteteve dhe/ose projekteve lokale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët;
g. Shkëmbimin e eksperiencave, praktikave dhe ekspertëve;
h. Zhvillimin e programeve hulumtuese, projekteve kërkimore-shkencore, dhe projekteve të tjera të cilat janë me interes të të dy institucioneve;
i. Organizimin e përbashkët të konferencave, trajnimeve, seminareve, ngjarjeve kulturore dhe bashkëpunimeve të tjera profesionale.
Ndërsa Kryetari i Komunës Rufki Suma duke falënderuar Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi për kontributin e tij në shumë zhvillime të rëndësishme në Kosovë si dhe në punën e tij si Rektorë i Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan, tha se Komuna e Hanit të Elezit zotohet se do të përkrahë të gjitha iniciativat e Universitetit me qëllim të ngritjes të cilësisë të arsimit të lartë.
Komuna e Hanit të Elezit do të jetë partnere sa i përket pikave të të dakorduara të bashkëpunimit si dhe për të përfituar nga ekspertiza profesionale nga Universiteti “Kadri Zeka” që janë të nevojshme veçmas në: idetë, projektet lokale dhe ndërkombëtare, pilot -projektet dhe programet e caktuara që kanë segmente të rëndësishme të angazhimit në interes të komunës.