Ambasada Franceze dhuron botimet e Kadaresë në frëngjisht

Ambasada Franceze dhuron botimet e Kadaresë në frëngjisht

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, ka hapur dyert e Sallës Franceze të Leximit, një hapësirë me destinim kulturor frankofon, në shërbim të leximit, të shkëmbimit të informacionit, të dijes por edhe kënaqësisë estetike.

Gjatë përurimit, me praninë e Ambasadores së Francës, Ministres së Kulturës, personaliteteve dhe kontribuuesve të frankofonisë në Shqipëri, u prezantuan edhe titujt më të rinj të autorëve francezë me të cilët pasurohen fondet e BKSH-së dhe në mënyrë të veçantë kjo sallë e re.

Ky fond i ri, donacion i Ambasadës Franceze, përfshin emrat më të rëndësishëm të filozofisë, letërsisë, antropologjisë, arkitekturës apo artit francez të shekullit XX. Janë rreth 200 tituj, të viteve të fundit, botime nga shtëpitë botuese më të njohura franceze. Studiuesit dhe lexuesit shqiptarë frankofonë do të kenë mundësinë të marrin në dorë, për një njohje më të thellë, botime rreth rrymave letrare, teorive dhe ideve filozofike që dominuan shekullin XX, me ndikim të jashtëzakonshëm në të gjithë kulturën dhe shoqërinë evropiane. Ata do të mund të shijojnë edhe krijimtarinë e plotë letrare të poetit Paul Valéry dhe prozatorët Marcel Proust dhe Milan Kundera.

Krahas tyre vijnë edhe veprat e kritikëve, teoricienëve e filozofëve të rëndësishëm si: vepra e plotë e kritikut e studiuesit të tekstit Roland Barthes; e filozofit Michel Foucault; idetë dhe teoritë e fenomenologjisë së Jacques Derrida-s dhe Gilles Deleuze; intelektualit dhe shkrimtarit Georges Bataille; apo vepra e sociologut Emile Durkheim, etj. Krahas tyre janë edhe veprat e shkrimtares feministe, filozofe dhe kritike Hélène Cixoux, filozofit dhe gjuhëtarit Jean-Michel Henny, poetit Gérard Berréby, shkrimtarit Julien Gracq, Jean Borriel, etj.

Një vend të posaçëm ndër librat e dhuruar nga Ambasada franceze në Tiranë zënë edhe disa botime në gjuhën frënge të Ismail Kadaresë, që vijnë në përkthimin mjeshtëror të Jusuf Vrionit dhe Michel Métais. Kultura franceze, veçanërisht filozofia dhe letërsia ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin filozofik Perëndimor përgjatë shekujve, një pjesë e rëndësishme e tyre janë pjesë e vyer e fondeve të Bibliotekës Kombëtare.

Salla Franceze e leximit, me rreth 3700 libra, të cilat përfshijnë të gjitha fushat e dijes, është një hapësirë e re leximi në Bibliotekën Kombëtare. Ajo do të ketë literaturë në pasur në gjuhën franceze, duke u ardhur në ndihmë të gjithë studiuesve, studentëve dhe lexuesve të kryeqytetit, si edhe përmes veprimtarive të shumta kulturore në shërbim të shkëmbimit të dijes dhe informacionit.

Ngritja e kësaj sallë u bë e mundur falë mbështetjes dhe bashkëpunimit që Biblioteka Kombëtare pati me Ambasadën e Francës në Tiranë, Ministrinë e Kulturës, Aleancën Franceze, Fakultetin e Arteve të Bukura, etj. Përurimi i kësaj sallë të re leximi vjen në kuadër të “Pranverës së Frankofonisë në Shqipëri 2018”.