KH: Shtatëdhjetë e tetë për qind e viktimave të dhunës fizike janë gra

KH: Shtatëdhjetë e tetë për qind e viktimave të dhunës fizike janë gra

Gjendja me barazinë gjinore në vend mbetet vetëm angazhim deklarues i autoriteteve, vlerësojnë nga Komiteti i Helsinkut me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Në kumtesën e dërguar me rastin e 8 Marsit theksohet se gratë në Maqedoni ende ballafaqohen me diskriminim në bazë gjinore në të gjitha proceset shoqërore, pa pasur mbrojtjen e të drejtave të tyre. Mes grupeve më të prekura theksohen punëtoret e tekstilit, gratë nga mjediset rurale, gratë rome, gratë viktima të dhunës dhe gratë me aftësi të kufizuara.

Sipas Komitetit të Helsinkut, ratifikimi i Konventës të Këshillit të Evropës për parandalimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare e njohur si Konventa e Stambollit është hapi më i rëndësishëm që Qeveria e ka bërë në luftën kundër dhunës ndaj grave, në disa raste të dhunës ndaj grave dhe keqpërdorimit seksual ndaj vajzës në Shtëpinë "25 Maji" janë shembuj se nuk funksionon tërësisht sistemi i mbrojtjes.

"Për këto shkaqe kërkojmë shteti urgjentisht të fillojë me ndryshimin e kornizës ligjore dhe mbledhjen e të dhënave statistikore për regjistrimin e të gjitha formave të dhunës së bazuar gjinore, të sigurojë servise për gra dhe vajza viktima të dhunës dhe t'u sigurojë mbrojtje të gjitha grave të drejtat e të cilave çdo ditë shkelen", thuhet në kumtesë.

Të dhënat statistikore tregojnë se 78 për qind e viktimave të dhunës fizike janë gra, ndërsa 98 për qind e dhunuesve në dhunën familjare janë burra.

Nga vitit 2008 deri në vitin 2016 janë regjistruar 70 femicide (vrasje të femrave) prej të cilëve 15 kanë ndodhur në periudhën 2013 - 2016. Mbi tre të katërtat e rasteve të dhunës familjare nuk janë paraqitur në asnjë shërbim të qasshëm publik. Mbi 80-të për qind e të punësuarave në industrinë e tekstilit, lëkurës dhe këpucëve janë gra dhe ato janë një prej punëtoreve më pak të paguara me 35 për qind pagë më të ulët mesatare nga paga në nivel shtetëror.