Një park arti në Kinostudio

Një park arti në Kinostudio

“Shokë dhe engjëj”, një frymëzim që kthehet sërish në atdhe, edhe pse jo në Gramsh. Një projekt që do të vijë së shpejti në Tiranë si një bashkëpunim mes  Ministrisë shqiptare të Kulturës dhe Rajonit të Pulias në emër të shkrimtarit me origjinë shqiptare, Antonio Gramshi.

Ministrja Mirela Kumbaro në një intervistë pas nënshkrimit të marrëveshjes më 6 mars me presidentin rajonal të Pulias, Michele Emiliano, bëri të ditur se bëhet fjalë për një park arti i cili do të ndërtohet në Kinostudio dhe do të jetë një ndërthurje e skulpturave dhe instilacioneve jo vetëm moderne, por edhe një përballje me të kaluarën.

“Kënaqësia më e madhe që marrim nga ky projekt nuk është vetëm raporti njerëzor por edhe ai kulturor që ne kërkojmë të reflektojmë nëpërmjet institucioneve tona. Është një dialog kulturor mes Shqipërisë dhe Pulias, dy vende të cilat tashmë kanë realizuar një sërë projektesh së bashku. Vlen të përmend suksesin e bienales të një viti më parë. Tani fillojmë një projekt tjetër i cili ka muaj që po përgatitet dhe bazohet në filozofinë e Antonio Gramshit, i cili kërkon të dialogojë me të tashmen dhe të shkuarën. Kjo do të jetë një rrugë e hapur drejt nxitjes së debatit kulturor aq të nevojshëm edhe në periferi të kryeqytetit.”

Ky bashkëpunim kulturor gjurmon një linjë imagjinare mes burgut të Turit në Pulia dhe rrethinave te Tiranës.

Familja e Antoni Gramshit pasi u largua nga qyteti i Gramshit u vendos në Itali, aty ku lindi edhe Antonio i cili vite më vonë do të vuante dënimin në burgun e Turit, ku shkroi “Fletoret e burgut.”

Frymëzuar nga shkrimet dhe filozofia e tij, artisti Alfredo Pirri ka dizajnuar skulpturat që do të vendosen në këtë park arti.

Po kështu, Ministrja Mirela Kumbaro dhe Presidenti Michele Emiliano dakordësuan edhe bashkëpunimin me Teatrin e Operës dhe Baletit që këtë vit do të shtrijë kalendarin e turneve edhe në teatrot e Rajonit të Pulias.