Reagon Serbedzija, Luan Kryeziun e konsideron gënjeshtar

Reagon Serbedzija, Luan Kryeziun e konsideron gënjeshtar

Aktori Rade Serbedezija ka reaguar pas deklaratave të regjisorit Luan Kryeziu, i cili ka thënë se është duke punuar në një film për Adem Jasharin. Kryeziu kishte thënë se aktori serb nga Kroacia, Serbedzija, është ofruar për ta luajtur rolin e Adem Jasharit, por se ky e ka hedhur poshtë këtë mundësi, pasi bëhet fjalë për një aktor serb.

Për më tepër, në reagimin e tij, erbedzija është pajtuar me kualifikimet e medieve serbe, të cilat e kanë quajtur kriminel heroin Adem Jasharin.

Ndaj këtyre deklaratave të cilat janë transmetuar gjerësisht në mediet e ish-hapësirës  jugosllave e sidomos në ato serbe, ka reaguar aktori Rade Serbedzija, i cili njihet edhe për rolet e tij në Hollywood.

Serbedzija ka thënë se deklarata e Kryeziut është gënjeshtër duke thënë se ky regjisor vetëm ka dashur të marrë vëmendje. Madje, ai ka thënë se do të ishte e pakuptimtë që atij t'i ofrohej roli i Adem Jasharit, e për më të tepër do të ishte e pakuptimtë që ta pranonte një rol të tillë.

Serbedzija madje u ka dhënë të drejtë medieve serbe, të cilat në raportimet e tyre e kanë quajtur kriminel Adem Jasharin.

“Plotësisht është e pakuptimtë që mua të më ofrohet ta luaj atë rol, siç edhe është e pakuptimtë që kushdo të besojë që unë do ta pranoja një rol të tillë. Megjithatë, më vjen mirë që shumica e shtypit serb i ka vlerësuar drejt këto tregime”.

Më pas ai ia ka dërguar një porosi Luan Kryeziut.

“Nëse dëshiron me u marrë me art të vërtetë, ai regjisori i ri i filmit duhet ta dijë që e vërteta është kushti i parë për t’u bërë artist”, ka shkruar Serbedzija në reagimin e tij që ia ka dërguar televizionit të Beogradit N1.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë deklaratën.

Deklarate lidhur me filmin shqiptar per Adem Jasharin

Lidhur me shkrimet në portalin Telegraf dhe me siguri edhe ne gazetat tjera, te cilat nuk i kam lexuar, pasi qe gjendem ne Los Angeles ku jam duke marrë pjesë ne filmimet e nje seriali televiziv dhe nuk kam kohe te merrem me intrigat e mediave, se kinse unë vet përmes mikut tim Enver Petrovcit i jam ofruar një regjisori të ri shqiptar të filmit që të luaj në filmin e tij për Adem Jasharin. Deklaroj se kjo është një gënjeshtër.  Kjo është përpjekje e një regjisori të ri që të tërheq vëmendjen  tek vetja dhe projekti i tij, duke keqpërdorur emrin tim.

Plotësisht është e pakuptimte që mua të më ofrohet t’a luaj atë rol, sic edhe është e pakuptimte që kushdo të besoj që unë do t’a pranoja një rol të tillë. Megjithatë më vjen mirë që shumica  e shtypit serb i ka vlerësuar drejt këto tregime.

Atë regjisor të ri të filmit do ta porosisja se kam qenë shok i shumë aktorëve shqiptarë të mëdhenj, Bekim Fehmiut, Faruk dhe Istref Begollit, Enver Petrovcit dhe shume të tjerëve... dhe se të gjithë i mbaj në zemër dhe në kujtimet e mia, jo vetëm si aktorë të mëdhenj por si njerëz të ndershëm dhe të mirë, të cilët kanë qenë krenar dhe të sinqertë.

Nëse dëshiron me u marrë me art të vërtetë, ai regjisori i ri i filmit duhet ta dijë që e vërteta është kushti i parë për t’u berë artist.