Supë me oriz dhe rukola

Supë me oriz dhe rukola

Supa me oriz dhe rukola është një recetë e shijshme, e cila i përshtatet çdo stine duke u konsumuar e ngrohtë apo edhe në temperaturë ambienti.

Përbërësit:

2 patate të vogla, të prera në kubik të vegjël, 

1 karotë, të prera në kubik të vegjël, 

1 degë selino, e prerë hollë, 

1 qepë e vogël, e prerë hollë, 

1 dorë rukola,

120 gr oriz (2 filxhanë kafe),

1 thelpi hudhër e prerë hollë,

1 liter lëng perimesh (apo lëng të përgatitur me koncentrate perimesh), 

4 lugë djathë kaçkavall të grirë, 

gjalpë,

vaj ulliri,

kripë, 

piper.

Përgatitja:

Në një tigan të thellë, kavardisim në zjarr të ulët me pak gjalpë dhe vaj ulliri karotën, selinon, qepën dhe hudhrën.

Shtojmë patatet dhe i lëmë akoma dhe për pak minuta, në mënyrë që perimet të marrin shijen e njëra-tjetrës.

Shtojmë orizin, disa garuzhde lëng perimesh, e rregullojmë supën me pak kripë dhe piper dhe e ziejmë me nxehtësi mesatare për rreth 20 minuta (koha e nevojshme që orizi të zbutet).

Në 5 minutat e fundit shtojmë dhe rukolën e prerë hollë dhe e lëmë derisa zierja të përfundojë.

E shërbejmë supën me rukola të spërkatur sipër dhe me 1 lugë djathë kaçkavall të grirë.