Mashtroi banorët, në pranga biznesmeni i njohur në Tiranë

Mashtroi banorët, në pranga biznesmeni i njohur në Tiranë

Pasi u arrestua 3 vite më parë nën akuzën se kishte mashtruar pronarët e truallit se do t’u jepte apartamente pas ndërtimit të pallatit, Namik Pelivani është arrestuar sërish për mashtrim me shitjen e një apartamenti.

Arrestimi i tij u bë pasi ka mashtruar shtetasin A.L., të cilit i ka marrë 65 000 Euro dhe 3 350 000 lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 107.69m2, në zonën e Yzberishtit, apartament të cilin e kishte shitur më parë me kontratë noteriale fiktive në vitin 2013 dhe të rinovuar në vitin 2016, për t’i krijuar besueshmëri klientit.

Po sipas policisë Pelivani nuk ka përpiluar fatura shitjeje tatimore duke kryer transaksione monetare jashtë zyrave të noterit dhe jo me bankë, me qëllim shmangien e deklarimit të të ardhurave.

Në cilësinë e provës materiale të dyshuarit iu sekuestruan: 6 kontrata noteriale si dhe dokumente të ndryshme si certifikata, skica apartamentesh dhe 1 aparat telefoni celular.

Mësohet se Namik Pelivani është proceduar më parë edhe 5 herë të tjera nga policia për vepra të ndryshme penale.

Materialet proceduriale në ngarkim të shtetasit të mësipërm, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga nenet 143/2 dhe 180 e Kodit Penal.

Top Channel