Në Athinë optimizëm i matur, në Shkup i përmbajtur

Në Athinë optimizëm i matur, në Shkup i përmbajtur

Çështja për emrin do të jetë një prej temave kryesore të takimit të shefit të diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për Evropë dhe Euroazi, Ues Miçel, i cili sot vjen në Maqedoni.

“Mendoj se gjithsesi se takimi do të nisë me këtë çështje. Ky do të jetë rast i bukur që ta njoftojmë me dinamikën në procesin për tejkalim të dallimit rreth emrit”, tha Dimitrov.

Dimitrov thotë se situata me negociatat me Greqinë po ndryshon çdo ditë dhe nga kjo varet optimizmi për zgjidhje eventuale. Maqedonia, theksoi ai, bën gjithçka që të vihet deri në kompromis dinjitoz i cili ashtu do të përjetohet nga të dyja palët. Nuk frikësohemi, thekson, t’i shikojmë problemet në sy, por nuk varet gjithçka nga ne.

“Nuk është gjithçka në duart tona. Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje që do t’i mbulojë brengat e të dyja palëve në kuptim të dallimit midis shtetit të Maqedonisë dhe rajonit Maqedonia në Greqi, por dinstiksion që do të jetë dinjitoz dhe nuk do të ndërhyjë në çështjet e identitetit të të dyja palëve. Dy shtete evropiane në shekullin 21 të cilët ndajnë rajon gjeografik Maqedonia duhet të gjejnë mënyrë se si të ndajnë edhe trashëgimi të tilla kulturore, madje edhe atëherë kur nën termin nënkuptojnë gjëra të ndryshme ose vendosin theks të veçantë”, tha Dimitrov duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën për shtyp me kolegun e tij polak Jacek Çaputoviq.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë nuk saktësoi se kur do të vijë në Maqedoni kolegu i tij grek Nikos Koxias i cili duhet ta sjellë projekt-marrëveshjen greke për zgjidhje të kontestit.

“Në vijim është harmonizimi midis Ministrisë tonë, asaj të Greqisë dhe Zyrës së ndërmjetësuesit Metju Nimic, në kontekst të disa datave dhe hapave të ardhshëm. Sapo të mbyllet kjo, unë pres që të jetë nga fundi i javës, i sinkronizuar, njëkohësisht do të njoftohet opinioni edhe tek ne edhe tek ata saktë për atë se kur do të pasojë ajo vizitë, cili do të jetë hap i ardhshëm…”, tha Dimitrov.

Shtoi se edhe pse opinioni ka nevojë që të njoftohet me rrjedhën e negociatave, nuk është mirë që publikisht të plasohen të gjithë informatat.

Kryeministri Zoran Zaev paraprakisht deklaroi se dëshiron që Maqedonia dhe Greqia në bisedimet për kontestin rreth emrit të gjejnë zgjidhje, e cila do t’i ruajë dinjitetin dhe identitetin e dy palëve.

“Sipas meje, bisedimet të cilat zgjasin na afrojnë drejt zgjidhjes. Kuptohet, nuk është e lehtë me mesazhet që dërgohen në opinion, punohet për çështje serioze, e cila 25 vite nuk mund të zgjidhet: Nuk do të jepja komente të hollësishme për shkak se sinqerisht dëshiroj zgjidhje të këtij problemi shumëvjeçar, i cili do t’i ruajë dinjitetin dhe identitetin e dy palëve në bisedimet”, tha Zaev.

Ai nuk dha përgjigje kur saktë pret në Shkup të arrijë ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Koxias.

Në ndërkohë, në një intervistë për gazetën greke “DokumentoN, Koxijas theksoi se nevojitet ndryshim i Kushtetutës, që emri të jetë edhe për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm, por edhe të evitohen akuza të ardhshme se janë shkulur dispozitat kushtetuese.

“Ndryshimi i Kushtetutës të mikut dhe fqinjit, nënkupton, e para implementimi i erga omnes-it, gjegjësisht përdorim të emrit të ri në të gjitha rastet. në nivel të brendshëm dhe ndërkombëtar, si dhe për evitimin e mospajtimeve të ardhshme që do të dilnin pa këtë ndryshim. E dyta, se në të ardhmen do të evitohej një Qeveri tjetër te fqinji të kërkojë sqarim për shkeljen e Kushtetutës, nëse Marrëveshja ndërkombëtare del nga kompetencat”, thotë shefi i diplomacisë greke, ndërsa për mospajtimet për të cilat flet, sqaron se në periudhën e globalizimit kur përdoren dy emra të ndryshëm një për përdorim ndërkombëtar, tjetri për përdorim të brendshëm atëherë mospajtimet janë të pashmangshme.

Sipas Koxiasit, zgjidhja nuk duhet të jetë “njëri t’ia imponojë mendimin e tij tjetrit”, por në pako marrëveshjen që do t’i përmbajë kompromiset e domosdoshme reciproke.