Rruga Tiranë-Elbasan, Rama: Përfundon brenda vitit

Rruga Tiranë-Elbasan, Rama: Përfundon brenda vitit

Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar ditën e sotme në Elbasan, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se rruga Tiranë- Elbasan do të përfundojë brenda këtij viti.

Duke u kujdesur të theksojë se qeveria e tij ka trashëguar dy gropa financiare lidhur me rrugën Elbasan-Tiranë dhe Qukës -Qafë- Plloçë, Rama u shpreh se brenda këtij viti rruga do jetë e përfunduar.

“Kemi dy probleme të trashëguara, dy gropa, të cilat kemi bërë përpjekje për t’i mbushur, por ende si kemi mbushur, qoftë për arsye të së shkuarës së largët, apo babëzisë së afërt. Kam parasysh rrugën Elbasan Tiranë, apo rrugën Qukës -Qafë- Plloçë.

Ajo që ne kemi vendosur të finalizojmë rrugën brenda vitit, ndërkohë që të ecet më tutje segmentin Qafë-Plloçë që lidh Elbasanin me Korçën.

Si dhe rrugën mes Elbasanit dhe Beratit, ku do i jepet një mundësi e re për të gjitha sipërmarrjet bujqësore” tha kreu i qeverisë, Rama.

Po ashtu, nga ana tjetër Rama ka njoftuar se në Elbasan nuk do të ketë më Drejtori të Bujqësisë, pasi sistemi në fjalë është i degraduar.

 “Më në fund nuk do të  kemi më drejtori Bujqësisë që ishin një sistem i degraduar i së shkuarën. Do të krijohen 8 agjenci, 4 agjenci bujqësie dhe 4 agjenci të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve.  Njëra prej këtyre agjencive të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve do të ketë si qendër Elbasanin. 

Nëpërmjet këtij procesi reformimi ne do të forcojmë Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural më shumë, do të organizojmë shumë më mirë shërbimin e këshillimit bujqësor dhe do të krijojmë instrument real në duart e atyre që kanë nevojë për këshillim bujqësor”, u shpreh Rama.