Tahiri: Kodi Civil do të ndikojë edhe te sistemi gjyqësor

Tahiri: Kodi Civil do të ndikojë edhe te sistemi gjyqësor

Ministria e Drejtësisë ka prioritet nxjerrjen e ligjeve bashkëkohore dhe harmonizimin e tyre me Bashkimin Evropian dhe standardet ndërkombëtare.

Kështu tha ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, në kampanjën informuese ”Çfarë do të thotë Kodi Civil për ju”.

Ai ka thënë se Kodi Civil , prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve duke ndikuar në rregullimin e marrëdhënieve pronësore , kontraktuese, familjare, trashëguese dhe në fusha të tjera.

“Ministria e Drejtësisë  me ndihmën e Komisionit Evropian, ka filluar punën tashmë në hartimin e Kodit Civil dhe draftet e para veç se ekzistojnë . Avancimi i tyre duke i adresuar problemet praktike do ta avancojë sistemin e drejtësisë në Kosovë . Përkrahja e të gjitha institucioneve në procesin e hartimit të kodit civil është tepër e rëndësishme. Në veçanti do të përmendja rolin e sistemit gjyqësor i cili çdo ditë ka të bëjë me implementimin praktik të këtij legjislacioni“, tha Tahiri.

Ai ka ftuar të gjitha institucionet që të japin kontributin në procesin e hartimit të Kodit Civil. Duke treguar rëndësinë e këtij ligji ai tha se ky proces gjatë hartimit do të jetë transparent.

“Përmes Kodit Civil të adresojë ndër të tjera, harmonizimin dhe modernizimin në fushën civile duke evidentuar konfliktet e ligjeve dhe përmirësimin e zbatimit të ligjit, respektimin e standardeve ndërkombëtare , në fushën e të drejtave të njeriut , respektimin e të drejtave të barabarta të gjinive, fuqizimin e të drejtave pronësore  të grave dhe të drejtës së trashëgimisë , sqarimin dhe sigurimi i të drejtave pronësore për të gjithë qytetarët , përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë si çështje kryesore drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimin në tregun e përbashkët evropian”, tha Tahiri.

Kosova ka ligje të mira në këtë fushë, tha Tahiri duke shtuar se harmonizimi i tyre është i domosdoshëm për të reflektuar edhe zhvillime të reja në veçanti në kuadër të legjislacionit të BE-së.