Shërbimi 24 orësh në Kardiologjinë Invazive jep rezultate

Shërbimi 24 orësh në Kardiologjinë Invazive jep rezultate

Puna 24 orë në Kardiologjinë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë që buxhetit të Kosovës t’i kursehet mbi 1 milion euro. Kardiologët thonë se nga fillimi i muajit shkurt e deri më tani, me sukses janë trajtuar rreth 300 pacientë me probleme në zemër.

Që nga fillimi i muajit shkurt, kur ka nisur shërbimi 24 orë në Klinikën  Kardiologjike Invazine dhe Kardiokirurgji, nuk ka ndodhur më as një skandal dhe  as referime të pacientëve në klinikat private, siç kishte ndodhur më parë. Këtë e pohon  edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të  Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, dr. Tefik Bektashi. Ai tha për Radio Kosovën se ka të tillë që këtë shërbim nuk po e shohin me simpati:

“Çuditërisht, ndoshta ka në mesin e QKU-së njerëz, që unë e kam përshtypjen nuk po e shohin me simpati këtë punë dhe ndoshta ende ka obstruksione aktive. Por, përkrahja është institucionale dhe nuk e kam ndërmend, jo vetëm unë por as koleget e mi, që të mendojmë për gjëra të tilla.”

Një nga pacientët, me emocione, shprehet për trajtimin mjekësor që ka marrë në Kardiologjinë Invazive.

“Më mirë nuk ka, unë jam i kënaqur sa në tokë dhe qiell. Se, na për me pare kishim vdekur moti... shko atje e paguaj 1 mijë euro, 2 mijë, 4 mijë.. a këtu kush nuk ka përmend pare, edhe faleminderit prej mjekëve sa në tokë e qiell, Të trajtohesh pa pare, fjalë nuk kam…”

Kardiologu Bekteshi shpjegon për të arriturat e punës 24 orë në Kardiologjinë Invazive.

”Janë realizuar 286 procedura deri në këtë moment, prej  tyre 159 janë vendosje me stenda, në infarktin akut të miokardit diku 82. Nëse e shprehim në aspektin material, do të thotë kursim të buxhetit janë diku rreth 1 milion euro.”

Dr. Bekteshi, shpreson se Ministria e Shëndetësisë, në  vazhdimësi do ta sigurojë dhe furnizojë me stenda këtë klinikë, në mënyrë që pacientët të marrin shërbimin e duhur dhe në kohën e duhur.

 

Autor: Vaide Morina