Pacolli: Keq që Shpend Ahmeti u largua nga Vetëvendosje

Pacolli: Keq që Shpend Ahmeti u largua nga Vetëvendosje

Nënkryetari i Prishtinës nga Aleanca Kosova e Re, Selim Pacolli, ka thënë në emisionin Ju Flet Prishtina në Klan Kosova se është bërë keq që u largua Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje dhe që u nda kjo parti.

Ai, duke komentuar largimin e Ahmetit dhe të një grupi të deputetëve dhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pohoi se tash VV-ja do jetë shumë më e dobët.

“Keq që u nda Vetëvendosje. Pa dashur të luajë rolin e avokatit të Vetëvendosjes apo subjektit të ri, unë konsideroj që VV-ja ka qenë një subjekt që e ka mbajtur një balancë politik dhe ashtu siç ishin të bashkuar sigurisht se ishte një opozitë shumë më e mirë, shumë më e fortë”, tha Pacolli, transmeton Klan Kosova.

“Mirëpo në këtë pozicion që janë sot janë vetëm dy subjekte dhe si të tilla nuk e di sa do të mund të gjejnë rrugën e bashkëpunimit mes vete. E shoh si vendim të gabuar të deputetëve që u larguan nga Vetëvendosje”.

“Me duket se ky është një sindrom i partive shqiptare në Kosovë që sa ta marrin vetën nuk gjejnë më gjuhë të përbashkët”.

Megjithatë Pacolli ka siguruar se ky zhvillim nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e koalicionit që ka me Vetëvendosjen e me Ahmetin.