Teoria e Matisë dhe perëndimi

Teoria e Matisë dhe perëndimi

Lindja dhe Perëndimi në konceptin tonë paraqesin dy gjëra të ndryshme, pavarësisht koshiences së plotë se në këtë rast jemi viktimave të steriotipeve dhe mendësive kolektive. Megjithatë, historia, edhe ajo e vonë, ka dëshmuar teorinë e Matisit teksa i shpjegonte një miku mënyrat e vizatimit të një peme; me anë të imitimit siç mësohet në shkollat evropiane dhe me anë të ndjenjës siç sugjeron orienti.

Lindja gjithmonë ka ushtruar një ndikim të fuqishëm për kontinentin evropian, duke i dhënë një plotësi të pakufizuar dhe një imagjinatë artistit perëndimor. Në vetvete është një trillim i Perëndimit dhe si i tillë orienti për shumë zbulues të hershëm, tregtar apo dhe artist ishte “parajsa mbi tokë” e veshur me mister ekzotik. Jo rastësisht, artistët të shekullit të njëzetë, si Auguste Renoir e Henri Matisse filluan të krijojnë portrete të femrës së veshur me kostum oriental.

Ajo shfaqej në faza të ndryshme të zhveshjes, e ulur ose e mbështetur me elegancë në një poltron luksoz dhe ekzotik, rrethuar me suvenire dekorativë të mbushur me detaje, ngjyra të ndritshme e kontraste, duke përçuar një atmosferë të ngrohtë tepër joshëse dhe unike. Simbolet vizuale dhe fantazinë e ikonografisë kineze e japoneze, shumë prej artistëve të shek. 19-të e kanë quajtur Bukuri e egër, të padepërtueshme, ose Bukuri e paprekshme. Shoqëria evropiane e asaj kohe e për më tepër elita dhe kritikët e artit filluan ta shihnin veshjen orientale si një formë të mirëfilltë arti.

E panjohur dhe shumë delikate, ajo provokonte polemika dhe paralelisht ndjellte romancë, një eksplorim që të lë pa frymë. Për herë të parë, disenjatorët e modës, të suprizuar nga imagjinata dhe autenticiteti që i karakterizonte, u njohën më gjerë më kulturën kineze dhe në përgjithësi atë lindore, duke e shndërruar veshjen në një vepër origjinale të tyren. Ishte një pikë kthese në mënyrën se si kritikët e artit filluan të shihnin modën apo sesi stilistët interpretuan simbolet vizuale orientale për të krijuar një version fantazi. Fustani perëndimor u pasurua me pëlhura, motive vizuale e silueta, duke u bërë më i preferuar dhe më joshës për femrën e perëndimit.

Shekulli i nëntëmbëdhjetë solli një model të ri për veshjen perëndimore. Mëndafshi nga Kina, shalle dhe pizhame nga India, kimonotë nga Japonia, djellaba-s nga Afrika e Veriut, pa përjashtuar motive arkitekturore lindore, mobilje, arte dekorative, frymëzuan në mënyrë të veçantë një elitë evropiane, e cila ndërtoi një estetikë të bukurisë për të plotësuar shijet dhe dëshirat e tyre të uritura në shekullin më të rëndësishëm përsa i takon artit dhe kulturës.

Edhe sot, stilistët e perëndimit, vazhdojnë t’i referohen skenave më të njohura të orientalizmit- në njohjen e thellë të kulturës së tyre duke e transformuar veshjen si mjet komunikimi midis lindjes dhe perëndimit, frymëzuar nga ngjyrat acide, fantazi dhe detaje pafund, por mbi të gjitha si një formë e mirëfilltë e artit. Vet arti evropian mësoi thelbin e jetës –Të kapësh jo vetëm pamjen e jashtme të një subjekti, por edhe thelbin e saj të brendshëm – energjinë, forcën e jetës, shpirtin e tij./Gazeta-Shqip/