Rreziqet e plasaritjes atlantike

Rreziqet e plasaritjes atlantike

Marrëveshja e re e BE-së për mbrojtje rrezikon dobësimin e NATO-s dhe të huajsimin e SHBA-së nga aleatët e saj të Atlantikut. Nëse Pakti PESCO mes anëtarëve të BE-së çon drejt copëtimit të resurseve dhe pajisjeve nga NATO-ja atëherë disa vendim-marrës mund të thonë që kandidati Donald Trump ishte i saktë kur pretendonte që Aleanca Veri-Atlantike tashmë është e vjetruar.

BE-ja lancoi paktin e “Bashkëpunimit të Përhershëm të Strukturuar për Siguri e Mbrojtje” (PESCO) në fund të vitit 2017, projekt i shtyrë kryesisht nga Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja. Zyrtarët dhe gjeneralët amerikanë janë në ankth sepse disa iniciativa në “PESCO” mund të tërheqin resurset nga NATO-ja. Në vizitën e tij të fundit në Selinë e NATO-s në Bruksel, Sekretari i Mbrojtjes James Mattis u tha homologëve të tij evropianë që SHBA-ja është përkrahëse e “PESCO”-s vetëm nëse plotëson aktivitetet e NATO-s.

Një iniciativë e dobishme e “PESCO”-s do të ishte ulja e kërkesave ligjore që ngadalësojnë lëvizjen ushtarake mes shteteve evropiane në rast të ndonjë krize. Ky ka qenë fokusi madhor për NATO-n që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 2014. Megjithatë, Pentagoni brengoset që “PESCO” mund të ndërlikojë problemin duke krijuar dy tërësi rregullash, njërën për BE-në dhe tjetrën për NATO-n.

Mbi të gjitha, Mattis dëshiron ta fokusojë Evropën tek modernizimi dhe ndarja e barrës. Vetëm pesë shtete arrijnë kriterin prej 2% të BPV-së në shpenzime ushtarake. Uashingtoni gjithashtu po i shtyn anëtarët e NATO-s që të përmbushin një kriter tjetër po aq të rëndësishëm, duke ndarë së paku 20% të buxhetit të tyre të mbrojtjes për pajisje ushtarake. Më pak se gjysma e Aleancës kishte përmbushur këtë kërkesë vitin e kaluar.

Përkrahësit e “PESCO”-s argumentojnë që iniciativa nuk do të jetë në kundërthënie me NATO-n. Nëse PESCO rezulton me mandat të kufizuar për një forcë të vogël ndërkombëtare për reagim ndaj krizave, që lufton piraterinë dhe kontrabandimin, shpëton anijet në rrezik, ofron ndihmë humanitare, si dhe kontribuon në luftën kundër terrorizmit, atëherë kjo do të ishte e vlefshme. Një rezultatet tjetër potencialisht pozitiv nga PESCO do të ishte integrimi i industrisë së fragmentuar të mbrojtjes së BE-së.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar BE-në që të mos vendosë masa proteksioniste duke përjashtuar kompanitë amerikane nga procesi i tenderimit për pajisje ushtarake. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka theksuar që përpjekjet e BE-së për të rritur buxhetin e mbrojtjes brenda paktit ishin të mirëseardhura, por vetëm nëse kjo do të koordinohej me NATO-n. Ai gjithashtu paralajmëroi që BE-ja nuk mund t’i zërë vendin Aleancës në garantimin e sigurisë evropiane. Në vend të kësaj, BE-ja duhet të bashkojë forcat e sigurisë brenda NATO-s, organizatës më efektive të sigurisë që mban SHBA-në në Evropë, si dhe ruan paqen në Evropë.

Autor: Janusz Bugajski Analist i politikave