Hoxhaj: Kosova s’pranon status të vëzhguesit në OKB

Hoxhaj: Kosova s’pranon status të vëzhguesit në OKB

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka folur për fazën e fundit të dialogut me Serbinë. Ish-kryediplomati kosovar ka thënë se fundi i këtij procesi do ta bëjë Kosovën me ulëse në OKB.

Hoxhaj ka hedhur poshtë mundësinë që Kosova të bëhet vëzhguese në Kombet e Bashkuara, duke fituar një status të ngjashëm me Palestinën. Duke komentuar në një intervistë për Gazetën Express, rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, zëvendëskryeministri thotë se ky mekanizëm do të marrë statusin e personit juridik kur Kosova të bëhet anëtare e OKBsë.

Ndryshe, Hoxhaj ka folur edhe për zgjedhjet në PDK duke thënë se ende nuk dihet se kush do të jenë kandidatët për të parin e partisë.

“Është herë të flitet dhe paragjykohet për epilogun e kryetarit të partisë apo strukturave të tjera. Pra në këtë fazë nuk mund të dihet kush do të jetë kandidat për kryetar të partisë dhe nëse do të jetë një apo më shumë kandidat” thekson ai.

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës ka komentuar edhe zgjedhjet presidenciale të së dielës në Mal të Zi duke thënë se vota për Milo Gjukanoviq do të jetë përcaktuese për të ardhmen europiane të këtij shteti. Ndërkohë që njëri nga kundërkandidatët e Gjukanoviq, është shprehur se do ta shfuqizojë vendimin për njohjen e Kosovës nëse i fiton zgjedhjet.

“Pikërisht kjo deklaratë është një ftesë për shqiptarët që të votojnë pro Gjukanoviqit, i cili mbi të gjitha interesohet që ky vend të lëvizë drejt të ardhmes së tij në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe avancimi i këtij vendi drejt NATO-s dhe BE-së do të jetë edhe avancim për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi” ka theksuar Hoxhaj.

Z. Hoxhaj cilat janë pritjet tuaja për fazën e fundit të bisedimeve me Serbinë. Cila do të jetë korniza kohore, sa do të zgjasin, mund ketë koncesione të reja nga pala kosovare dhe çfarë prisni se do të ndodhë në fund: do ta pranojë Serbia faktin që Kosova ekziston si shtet apo prisni njohje formale?

Hoxhaj: Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian. Si e tillë, ne mbesim të përkushtuar për ta përmbyllur në një afat sa më optimal këtë proces por me disa parametra të caktuar. Së pari, që faza e fundit e dialogut të jetë e matshme dhe me qëllime konkrete. Së dyti, që Kuvendi i Kosovës të miratoj platformën për bisedime e cila në përmbajtje do të reflektoj pikëpamjet dhe qëndrimet e të gjitha forcave politike parlamentare. Pra, unë pres që hartimit të platformës t’i paraprijë një debat i brendshëm politik e shoqëror i cili reflekton unitetin e forcave politike për të folur me një gjuhë në kilometrin e fundit të dialogut. Situata e tanishme sa i përket dialogut duhet të marrë një drejtim të ri, më dinamik dhe padyshim të kaloj në një fazë të re. Pritjet e Kosovës janë të qarta dhe nuk do të ketë kurrfarë lëvizje nga to. Marrëveshja e obligueshme ligjore sikurse përmendet për Serbinë në Strategjinë për Zgjerim të BE-së për ne është njohje e ndërsjelltë dhe ulësen në OKB. Fatkqësisht deri më tani, kemi parë një Serbi e cila është destruktive dhe luan lojë të dyfishtë duke u përpjekur të minoj në çdo moment shtetndërtimin e Kosovës. 

A prisni që Kosova të sigurojë ulësen në OKB. Dhe, eventualisht, a është i pranueshëm opsioni që Kosova të marrë statusin e vëzhguesit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së ngjashëm me Palestinën? Po thuhet se ky është propozim gjerman?

Hoxhaj: Kosova është shtet i pavarur dhe kthim mbrapa nuk ka. E tillë do të jetë përherë. Besoj fuqishëm që Kosova një ditë do të jetë anëtare e OKB-së. Por unë nuk besoj se ky proces do të jetë i lehtë, aq më pak nëse varet totalisht nga Serbia. Megjithatë, përfshirja e partnerëve ndërkombëtarë në ndërmjetësimin e dialogut dhe mësimet e nxjerra të tyre në të kaluarën se nuk do të pranojnë shtete të reja në BE me probleme të vjetra – janë vetëm disa nga parametrat që besoj se Kosova do të ketë ulëse në OKB. Mbi të gjitha, është një e drejtë e saj sepse ka shumë më shumë atribute shtetërore se shumë shtete në botë që ekzistojnë me vite dhe janë anëtare të OKB-së. Për Kosovën, çfarëdo oferte tjetër për Kosovën në OKB më pak se shtet anëtar me të drejta të plota është e papranueshme dhe aspak e qëndrueshme.

Serbia do të dalë me një platformë. Dihet që do të jetë diçka që nuk e merr parasysh shtetësinë e Kosovës. Sigurisht Vuçiq do të tentojë të bëj negociata mbi bazën e kësaj platforme. Cili duhet të jetë reagimi i Kosovës ?

Hoxhaj: Fillimisht nuk duhet të paragjykojmë mbi atë çfarë do të përmbajë platforma e Vucict për Kosovën – nëse ekziston diçka e tillë e aq më pak që unë të komentoj për diçka që nuk e kemi parë në publik ende. Krejt çfarë dihet janë qëndrimet zyrtare e publike të politikanëve në Serbi që thënë të drejtën janë jashtë realitetit ku jetojnë. Në vitin 2018, unë besoj se politikanët serbë duhet ta kuptojnë kohën që po e jetojnë dhe realitetet e reja gjeopolitike përreth. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të ketë kthim mbrapa. Sa më parë që e njohin këtë gjendje aq më herët do të lirohen nga ankthi të cilin e kanë në raport me Kosovën.

Partitë opozitare janë shprehur kundër që fazën e re të dialogut ta udhëheq Presidenti i vendit. A mendoni se megjithatë do të ketë mundësi që në këto negociata të shkohet me ‘ekip uniteti” dhe a është e nevojshme kjo?

Hoxhaj: Pa dashur të komentoj për qëndrimet e partive politike opozitare, ajo cfarë unë mund të them është se megjithatë kam parë dhe shoh një gatishmëri të të gjitha partive politike parlamentare për të kontribuar në temën e dialogut. Ato janë të vetëdijshme për procesin ku ne po hyjmë me Serbinë dhe është mirë që e ndjejnë peshën e përgjegjësisë dhe duan të marrin pjesë aktivisht. Kjo është një gjë e mirë dhe natyrisht mbi këtë vullnet politik duhet të ngritet edhe platforma e ardhshme e dialogut që do të diskutohej e miratohej në Kuvendin e Kosovës. Roli i Presidentit në këtë proces është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Në fund të të fundit është edhe një rol kushtetues që i takon si përfaqësues i politikës së jashtme të Kosovës.

Pasi Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mbeti për fund dhe për  të do të negociohet në Bruksel ka frikë se Serbia mund të nxjerr një mekanizëm që do të shkaktojë telashe të reja? A ka mundësi që ky Asoaciacion të akomodojë kërkesat e serbëve dhe të Beogradit pa e krijuar një Republika Srpska në Kosovë?

Hoxhaj: Çfarëdo përpjekje për ngjashmëri mes Kosovës dhe Bosnjes apo Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me Republika Srpskën janë të papranueshme dhe aspak të ngjashme me njëra tjetrën. Ja dy situata dhe realitete të ndryshme. Megjithatë, ne në qeveri kemi proceduar me themelimin e grupit punues por mendimi im është se themelimi i Asosacionit si person juridik do të nodhë në atë moment kur Kosova të anëtarësohet në OKB. Prandaj çfarëdo hapi tjetër i njëanshëm që ndërmerret në lidhje me këtë proces, vetëm sa e dëmton dhe krijon vonesa të panevojshme.

A do të ndodhë liberalizimi i vizave sivjet?

Hoxhaj: Kosova ka përmbushur me sukses të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, së fundi duke votuar edhe Demarkacionin – njërën prej cështjeve kyçe që e ka mbajtur të bllokuar këtë proces për gati tre vite. Prishtina e ka thënë fjalën e saj. Tani është momenti që edhe BE-ja ta thotë fjalën e saj të shumëpritur. Besoj që pas 17 Prillit, kur do të bëhen publike raportet vjetore për shtetet e rajonit të ofrohet një qartësi e plotë për lëvizjen e lirë të qytetarëve në zonën Shengen që unë besoj të ndodhë këtë vit.

PDK-ja këtë vit do të përballet me zgjedhje të brendshme. Kryetari i PDK’së bëri një deklaratë interesante duke thënë se përfituesit  në këtë parti më nuk do të lejohen të jenë pjesë. Çfarë në fakt do të ofrojë subjekti juaj përveç që do ta rikonfirmojë Kadri Veselin përsëri në krye, së paku kështu besohet se do të jetë?

Hoxhaj: Kosova është në një shpejtësi të re, prandaj kjo shpejtësi ka nevojë për energji të reja, për njerëz të rinj dhe ka nevojë për një gjeneratë të re në politikë. Në vazhdimësi PDK-ja ka pasur një filozofi politike që ka ndryshuar atë që është dashur si dhe ka ruajtur atë që ka qenë e nevojshme. Mirëpo se cili do të jetë ndryshimi, cila do të jetë përmasa e ndryshimit dhe çfarë nënkupton ndryshimi, nuk mund të them tani në fillim të një procesi zgjedhor.  Por pritjet dhe përkushtimi ynë është që të ketë një hapje të madhe dhe reformë të thellë. Pra PDK-ja i ka hyrë një procesi zgjedhor të mirëfilltë duke nisur nga të rinjtë, pastaj do të vazhdohet me forumin e gruas dhe së fundit me strukturat qendrore. Është herë të flitet dhe paragjykohet për epilogun e kryetarit të partisë apo strukturave të tjera. Pra në këtë fazë nuk mund të dihet kush do të jetë kandidat për kryetar të partisë dhe nëse do të jetë një apo më shumë kandidat. Prandaj, PDK-ja është e hapur për pozitën e kryetarit, që do të thotë se mund të garojë kushdo që ia merr mendja se mund ta fitojë mbështetjen e anëtarësisë dhe të strukturave udhëheqëse të PDK-së. Por diçka duhet që PDK-ja do të dal shumë e konsoliduar dhe e reformuar pas këtij procesi zgjedhor të brendshëm dhe shumë të nevojshëm.

Mali i Zi më 15 prill do të përballet me zgjedhjet presidenciale, ku në garë janë shtatë kandidatë. Kryeministri Haradinaj bëri thirrje që shqiptarët në Mal të Zi ta votojnë Milo Gjukanoviqin. A ndani të njëjtin mendim, ose kush, sipas jush i përfaqëson më së miri interesat e shqiptarëve atje?

Hoxhaj: Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi këtë të diel janë zgjedhjet gjeopolitike në vitin 2018. Votat në këto zgjedhje janë votat më gjeopolitike sepse do të përcaktojnë drejtimin nga do të lëviz Mali i Zi. Prandaj, është shumë e rëndësishme që qytetarët të përcaktohen të dielën për të vazhduar orientimin pro-perëndimor me në krye Milo Gjukanoviq i cili orientim e ka sjellë pavarësinë e këtij shteti, ka ndërtuar raporte të shkëlqyera me Kosovën dhe sot është më afër se të gjitha shtetet e rajonit në rrugën evropiane. Këto vitet e fundit kanë treguar se nga e orientojnë shqiptarët votën e tyre jo vetëm për kandidatin, por ku do të jetë Mali i Zi, ku do të jenë shqiptarët dhe ku do të jenë Kosova e Shqipëria.

Në po këtë garë kandidat për president është edhe Marko Milaçiq, I cili është zotuar që nëse arrin të bëhet president do ta tërheq njohjen e Malit të Zi Për Kosovën, sa janë gjasat të ndodh kjo?

Hoxhaj: Pikërisht kjo deklaratë është një ftesë për shqiptarët që të votojnë pro Gjukanoviqit, i cili mbi të gjitha interesohet që ky vend të lëvizë drejt të ardhmes së tij në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe avancimi i këtij vendi drejt NATO-s dhe BE-së do të jetë edhe avancim për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. Prandaj, deklaratat e tilla nuk kanë asnjë vlerë as për raportet tona ndërshtetërore e as për realitetin politikë në Mal të Zi apo Kosovë. Kosova dhe Mali i Zi do të jenë çdo herë shtete të pavarura.

Ka kohë që përflitet për influencën ruse në Ballkan. Dihet tentim puçi për rrëzimin  e pushtetit në Mal të Zi, pastaj ndikimi në Serbi, Maqedoni dhe në Kosovë kryesisht nëpërmjet përfaqësuesve serbë dhe Veriut? A ka vend për shqetësim dhe në terma konkretë çfarë do të ishte ai ndikim, çfarë do të prodhonte në terren?

Hoxhaj: Fatkeqësisht ka një interesim në rritje të Rusisë për Ballkanin dhe për ndikim sa më të madhe, veçmas në disa shtete ku edhe ka lidhje tradicionale historike dhe ekonomike. Ky duhet të jetë një shqetësim i përhershëm për miqtë tanë ndërkombëtarë sidomos BE-në dhe shtetet e Ballkanit. Ne e kemi ngritur në vazhdimësi shqetësimin tonë lidhur me prezencën e shtuar ruse në Serbi dhe përpjekjet për të ndikuar aty ku të mundet.