Fuqizimi i bashkëpunimit për librin mes Kosovës e SHBA-së

Fuqizimi i bashkëpunimit për librin mes Kosovës e SHBA-së

Në kuadër të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, zëvendës ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ka pritur sot në takim Dr. Robert D. Montoya, Profesor asistent në Universitetin Indiana dhe zëvendësdrejtoreshën e sektorit për marrëdhënie me publikun në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Erin Molnar Mains.

Në këtë takim zv.ministri Hoti, fillimisht i njoftoi mysafirët për gjendjen e bibliotekave në Kosovë. Ai falënderoi prof. Montoya dhe znj. Mains për vizitën e tyre dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar në përmirësimin e gjendjes së bibliotekave të Kosovës. Po ashtu zv.ministri Hoti i falënderoi për përkrahjen dhe kontributin e dhënë për bibliotekat e Kosovës, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nëpërmjet ambasadës së tyre në Kosovë, kanë realizuar projekte të shumta përmes të cilave është arritur që bibliotekat e Kosovës të pasurohen me literaturë në gjuhën angleze dhe për përkrahjen financiare për Bibliotekat e Kosovës. Zv.ministri, Rexhep Hoti, kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe më tutje duke kërkuar veçanërisht që financimi me libra në gjuhën angleze të bëhet edhe nëpër zona rurale.

Në anën tjetër profesori nga Universiteti Indiana, Robert D. Montoya, tha se ai po qëndron në Kosovë për të përkrahur aktivitetet e Javës së Bibliotekës. Po ashtu ai shprehi gatishmërinë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Kulturës dhe kësisoj të shikohet mundësia se si Ministria mundet t’i përkrahë Bibliotekat Kombëtare, në mënyrë që ato të realizojnë detyrat e përcaktuara me Ligjin për Bibliotekat, me theks të veçantë aftësimin dhe trajnimin e bibliotekarëve në nivel vendi.

Nga ana e profesor Montoya dhe znj. Mains u tha po ashtu se do të ishte me interes zhvillimi i një plani kombëtarë afatgjatë dhe i qëndrueshëm për aftësimin e bibliotekarëve, përmes të cilit do të certifikoheshin të gjithë ata që do të donin të punonin nëpër bibliotekat e Kosovës. Ata theksuan se kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme duke e pasur parasysh se bibliotekarët në Kosovë nuk kanë ndonjë mundësi për shkollimin në fushën e bibliotekarisë në vend.