Rruga Lipjan- Magurë ka filluar të dëmtohet ende pa i mbushur një vit

Rruga Lipjan- Magurë ka filluar të dëmtohet ende pa i mbushur një vit

Rruga rajonale Lipjan- Magurë ka filluar të dëmtohet ende pa u mbushur një vit që nga përfundimi i pjesës së parë të punimeve. Banorët e kësaj ane po ankohen, se përveç telasheve të tjera ata po dëmtohen edhe materialisht. Ndërsa në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se riparimet në këtë rrugë do të fillojnë shumë shpejt.

Akoma pa u bërë një vit nga përfundimi i pjesës së parë të punimeve në rrugën rajonale Lipjan- Magurë, ky aks rrugor ka pësuar dëmtime të mëdha. Madje, sipas qytetarëve që më së shumti e frekuentojnë këtë rrugë, gjendja momentale është më e keqe se sa kur rruga ishte e pa
rregulluar.

“Në vjeshtë është rregulluar rruga, por është dëmtuar shumë. Nuk e kanë ndërtua me kualitet. Vetëm e kanë largu një shtresë edhe e kanë vendos asfaltin. Që një vit është funksionalizuar kjo rrugë edhe është dëmtuar shumë, para pak ditës dy goma të veturës i kam dëmtuar”.

Dëmtimet vërehen qartë, madje në disa pjesë rruga është bërë gati e pakalueshme. Abdyl Ymeri, menaxher i projektit për ndërtimin e kësaj rruge nga Ministria e Infrastrukturës, tha për Radio Kosovën se rruga ende nuk është përfunduar dhe se deri me tani ka përfunduar vetëm pjesa
e parë.

Sipas Ymerit, në dëmtimin e rrugës kanë ndikuar reshjet atmosferike si dhe qarkullimi i shumtë i automjeteve. 

 “E kuptojmë shqetësimin e qytetarëve, por si rrugë regjionale është mjaft e ngarkuar, dhe duhet të kemi parasysh teknikisht që një rrugë e cila ndërtohet nën komunikacion, sigurisht që vështirësitë e asaj rruge janë më të theksuara se tek ato rrugë që nuk janë shumë të
ngarkuara”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka siguruar qytetarët se kjo rrugë do të riparohet shpejt, dhe se për dëmet që janë shkaktuar nuk do të ketë shpenzime të tjera, por që këto do të llogariten në shumën që është paraparë për këtë rrugë. 

“Ju garantoj me përgjegjësi të plotë, që mjetet financiare më të cilat kompania e kontraktuar për punën që e ka kryer vitin e kaluar, e që ne është dashur t’ia ndalim si garanci, të jeni të bindur që ato mjete janë në terren dhe nuk jemi në minus", tha ai. 

Gjatësia e rrugës është rreth 9 mijë e 300 metra dhe ndërtimi i saj Ministrisë së Infrastrukturës i ka kushtuar mbi një milion euro. 

Autor: Kosovare Gashi