Chabert: Rezultatet nga dialogu, të dhimbshme për Kosovën dhe Serbinë

Chabert: Rezultatet nga dialogu, të dhimbshme për Kosovën dhe Serbinë

Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të bëhet në përputhje me kushtetutën e Kosovës, dhe do të veprojë në konsultim me autoritetet e Prishtinës. Chabert po ashtu thotë se ushtria është një e drejtë e Kosovës si shtet sovran.

Ai në një intervistë për KosovaPress ka vlerësuar se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është çështje për të cilën duhet të tregohet pjekuri, përgjegjësi dhe një frymë kompromisi.

Së fundi u përmend edhe mundësia që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të jenë ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, Chabert duke thënë se për formatin e dialogut vendosin palët, ka shpalosur edhe mendimin se normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë do të bëhet përmes kompromisit që do të jetë i dhimbshëm për të dy palët.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është para së gjithash një çështje për të dy vendet, të cilat duhet të tregojnë pjekuri, përgjegjësi dhe një frymë kompromisi. Kjo do të thotë të pranosh kohën për të bërë koncesione për të ecur përpara. Disa nga këto koncesione mund të jenë të dhimbshme për Serbinë, si edhe për Kosovën. Ne duhet të jemi të përgatitur për faktin se pavarësisht nga marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve , negociuar në kuadër të dialogut, nuk do të ketë unanimitet as në popullatë dhe as në klasën politike,  në Beograd apo Prishtinë. Secila palë  duhet të ketë bërë kompromis  në pika shumë të ndjeshme për opinionin e tyre publik në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Bashkimi Evropian po ndihmon në përparimin në këto negociata nëpërmjet lehtësimit të tyre  dhe mbështetjes materiale shumë të rëndësishme. Ky është një proces që Shtetet e Bashkuara gjithashtu mbështesin dhe inkurajojnë. Kjo është e rëndësishme sepse Shtetet e Bashkuara zënë vend jetësor në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës dhe Ballkanit”, ka vlerësuar ai në përgjigje përmes postës elektronike.

Chabert shtoi se varet nga autoritetet e Kosovës që të përcaktojnë se si duhet të organizohet dialogu me Serbinë dhe përbërja e delegacionit brenda vendit. Ai ka thënë se është shumë pozitive që Presidenti dhe Kryeministri kanë rënë dakord për krijimin e një mekanizmi negociues gjithëpërfshirës në Kosovë.

Ambasadori komentoi edhe arrestimin dhe deportimin e së ashtuquajturës Zyra e Serbisë për Kosovë, Marko Gjuriq, veprim ky i cili ndryshoi formulën e ekzekutivit- me daljen e Listës Serbe- së paku deklarativisht nga qeveria.

“Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshje më qëllim të përcaktimit të modaliteteve për mundësimin e lëvizjes së autoriteteve serbe në territorin e Kosovës. Këto marrëveshje duhet të respektohen, por edhe të zbatohen me përpikëri nga të dyja anët, duke shmangur ndonjë provokim ose mbingarkim. Është e rëndësishme që lista Serbe të jetë aktive dhe e pranishme në qeveri, është interesi i të gjithëve, përfshirë edhe serbët e Kosovës.  Kjo gjithashtu është ne frymën e kushtetutës”, u shpreh ai për KosovaPress. Duke kujtuar se në po të njëjtën javë me rastin Gjuriq, pati edhe zhvillime të tjera me peshë të madhe. Për çështje orësh Kosova deportoi gjashtë shtetas turq, të njohur edhe si “gylenistë”.

Ambasadori tha se kjo nuk është një zgjedhje që duhet bërë ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. “Pozicioni i Francës për çështjet e të drejtave të njeriut është krejtësisht i qartë dhe të drejtat duhet gjithmonë të respektohen plotësisht, në çfarëdo vendi dhe çfarëdo rrethane. Kjo sigurisht është veçanërisht e rëndësishme për vendet që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian. Nuk është një zgjedhje që duhet bërë ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, por parimeve universale pjesë e Kartës e Kombeve të Bashkuara. Çdokush, pavarësisht nga origjina dhe mendimet e tij, duhet të ketë të drejtën e mbrojtjes me ligj dhe gjyqtar”, u shprehet tutje ambasadori francez.

Duke mos lënë anash marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, që pas tri vitesh zvarritje gjeti miratim nga deputetët e Kosovës, Didier Chabert e sheh këtë si një hap të rëndësishëm që duhet të mirëpritet.

“Ky është një hap përpara, së pari në marrëdhëniet mes dy vendeve, pastaj për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. Sa i përket kësaj dhe në kuadër të liberalizimit të vizave, Bashkimi Evropian do të kryejë së shpejti një vlerësim të plotë dhe rigoroz të progresit të bërë nga Kosova në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më pas, qeveria kosovare do t’i dorëzojë misionit evropian një raport i cili do të  përmbajë përparimin konkret në këtë luftë. Nëse vlerësimi është pozitiv, Komisioni Evropian do të përgatisë një projekt propozim  për liberalizimin e vizave, i cili mund të paraqitet në Këshill në gjysmën e dytë të këtij viti”, tha ai.

Kosovën e presin edhe dy çështje mjaft të rëndësishme: Asociacioni i komunave me shumicë serbe, dhe Gjykata Speciale. Chabert kujton se Asociacioni është i paraparë me planin e Martti Ahtisarit.

“Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës është paraparë në planin e Ahtisarit. Ai ka qenë gjithashtu  subjekt i dy marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë në vitin 2013 dhe 2015. Këto marrëveshje parashikojnë se statuti i Asociacionit do të hartohet sipas ligjeve të Kosovës dhe do t’i dorëzohet  nën kontroll  të Gjykatës Kushtetuese. Ky asociacion, krijimi i së cilit është një pikë e rëndësishme për komunitetin serb të Kosovës, mund të veprojë vetëm në konsultim me institucionet e Prishtinës dhe jo kundër tyre. Sa i përket Gjykatës Speciale, është çështje e hetimit të fakteve kriminale që mund të jenë kryer në Kosovë nga individë dhe jo nga institucione.

Duhet treguar  mbështetje për viktimat,  dhe institucionet e Kosovës, sigurisht, do të ndihmojnë në përcaktimin e fakteve dhe në dhënien e drejtësisë për ata që kanë vuajtur”, shprehet ambasadori francez.

Temë e ndjeshme tha ai, mbetet krijimi i Forcave të Armatosura (FAK), për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri- për këtë nevojiten edhe votat e deputetëve serbë.

Ambasadori i Francës vlerëson se Kosova gëzon të drejtën e një force të armatosur. “Kosova ka të drejtë të ketë një forcë të armatosur sepse është një vend plotësisht sovran dhe i pavarur. Ajo dëshiron të afrohet me NATO-n dhe një ditë t’i bashkohet Aleancës Atlantike. Prandaj është e rëndësishme që transformimi i FSK-së të bëhet në koordinim me NATO-n dhe vendet mike të Kosovës. Meqenëse ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga anëtarësia e tyre në komunitet, është e dëshirueshme që rruga  kushtetuese te favorizohet sa më shumë që të jetë e mundur”, ka komentuar Chabert për KosovaPress.

Ambasadori gjithashtu ka thënë se ka shumë probleme që prekin popullsinë e Kosovës  të cilat bëjnë që të rinjtë të pyesin veten dhe të brengosen për të ardhmen e tyre. “Në këtë kontekst të vështirë, përmirësimi i sistemit shkollor dhe atij universitar, i cili ende vuan nga shumë vonesa dhe mangësi, duhet të jetë një prioritet i lartë, pasi kjo ndikon jo vetëm në zhvillimin njerëzor dhe social të vendit, por edhe në zhvillimin e tij ekonomik.  Kjo është një nga fushat ku Bashkimi Evropian mund të bëjë shumë për të ndihmuar Kosovën, me kusht që ajo të fillojë rrugën e reformës. Është e vërtetë që banorët e Kosovës presin shumë në lidhje me  këto fusha, para së gjithash nga qeveria, por edhe nga Parlamenti, i cili duhet nga ana e tij të votojë shpejt ligjet e nevojshme dhe pa e ndërruar natyrën e tyre. Për këtë, është e rëndësishme që shoqëria civile, ashtu si media, të mbeten të mobilizuar në mënyrë që të mbajnë vëmendjen e klasës politike në shqetësimet reale të qytetarëve”, ka thënë Chabert.