Fermerët të stimulohen nga shteti për prodhimin e mishit

Fermerët të stimulohen nga shteti për prodhimin e mishit

Prodhimi vendor i mishit nuk mjafton për plotësimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës. Prandaj kompanitë kosovare këtë mungesë po e plotësojnë duke rritur importin nga vendet e ndryshme.

Njohësit e zhvillimeve ekonomike thonë se institucionet shtetërore  duhet t’i stimulojnë fermerët për të investuar në këtë sektor duke dhënë më shumë grante e subvencione.

Kosova nuk i përmbushë kërkesat e qytetarëve për furnizim me mish. Të dhënat e Doganës tregojnë se nga produktet ushqimore më së shumti importohet mishi dhe produktet e tij. E sipas pronarit të Fabrikës për Përpunimin e Mishit “Meka”, Burim Piraj, shpeztarët dhe blegtorët vendorë duhet të rrisin kapacitetet prodhuese.

“Kosova nuk i plotëson kërkesat për mish të shpezëve e as për mish të gjedhit, dhe për këtë arsye importet janë shumë të mëdha. Duhet të kalojë kohë shumë e gjatë që blegtorët dhe shpeztarët kosovarë t’i ngrehin kapacitetet e veta për të qenë të aftë që të furnizojnë tregu e Kosovës”, tha Piraj.

Piraj konsideron se që nga paslufta fondi i bagëtive është zvogëluar  shumë dhe interesimi i qytetarëve për t’u marrë me blegtori dhe shpeztari është shumë i vogël. Sipas tij, duke pas parasysh veshtirësitë me të cilat ballafaqohen prodhuesit vendorë, nuk pritet që ky problem të zbutet në një afat të shkurtër kohor. Ndërkohë njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa, konsideron se fermerët kanë nevojë për më shumë përkrahje.

“Është e rëndësishme të stimulohen fermerët me masat me politikat fiskale në doganë duke përkrahur edhe me subvencione grante e edhe me mekanizma të tjerë. Kosova është vend i vogël, nuk ka nevojë të importojë mish nga jashtë”, tha Bellaqa.

Bellaqa mendon se importi i mishit nga vendet e largëta nuk mund të jetë i sigurt për konsum. Ai konsideron se Kosova duhet të prodhojë më shumë mish, ndërsa shteti duhet të rrisë doganën për import të mishit nga vendet e tjera.

Departamenti për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën kanë thënë se prioritetet për politikat bujqësore për sektorin e mishit në të ardhmen do të orientohen në, standardet e klasifikimit, standardet e prodhimeve të mishit, implementimi i sistemeve të sigurisë së ushqimit, rritjen e buxhetit si dhe promovimi i bashkëpunimit të prodhuesve dhe përpunuesve të mishit.

Autor: Arbenita Marmullaku