Pacolli: Ka shumë hapësirë për investimet Kosovë-Bullgari

Pacolli: Ka shumë hapësirë për investimet Kosovë-Bullgari

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së Sofje, ka marrë pjesë në Forumin e Biznesit të odave të tregtisë dhe industrisë të Kosovës dhe Bullgarisë.

Ai gjatë kësaj vizite ishte i shoqëruar nga homologia e tij bullgare Ekaterina Zaharieva.

Presidenti i Odës bullgare, Zvetan Simeonov, përshëndeti dy ministrat dhe bëri thirrje për nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve që janë kaq afër. Ai vlerësoi integrimin evropian të vendit të tij që dha efekte në rritjen e ekonomisë bullgare.

Ndërsa, përfaqësuesi i Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hivzi Dragidella, gjithashtu shprehu kënaqësinë që dy ministrat ishin të pranishëm në këtë aktivitet.

Ministrja bullgare  e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, tha se diplomacia ekonomike është shtylla e diplomacisë dhe do të ishin të lumtur nëse nga ky forum do të ketë iniciativa të reja për bashkëpunim.

Ministri i Jashtëm Pacolli tha se e vlerëson shumë krijimin e marrëdhënieve ndër njerëzore prej Forumeve të tilla, sepse sipas tij nuk ka biznes të mirë pa marrëdhënie të mira midis njerëzve të tij. 

“Mos mendoni se tregu në Bullgari është i tkurrur, megjithëse shikoni se shumë gjëra janë në vendin e tyre. Aq më shumë në Kosovë, ku ne kemi nevojë për shumëçka dhe ka shumë punë të pakryer ende. Zgjeroni horizontin tuaj me kreativitet,” u shpreh ministri Pacolli.

Ndryshe, bashkëpunimi ekonomik midis dy Kosovës dhe Bullgarisë gjatë vitit 2017 ka shënuar rritje dhe ka arritur në pothuaj 70 milionë euro.

Bullgaria me Kosovën bashkëpunojnë në fushën e përpunimit të mallrave, prodhimin e plastikës, pijeve, transportit.