Shënohet Dita e Tokës, kërkohet që ambienti të jetë prioritet

Shënohet Dita e Tokës, kërkohet që ambienti të jetë prioritet

“Një botë pa ndotje të plastikës", është motoja kryesore e shënimit të Ditës Botërore të Tokës, që vendi ynë e ka shënuar në qytetin e Rahovecit përmes aktiviteteve të pastrimit të deponive dhe mbjelljes së drunjtëve.

Ceremonia kryesore e shënimit të kësaj ditë është mbajtur në parkun e qytetit të Rahovecit, ku ka marrë pjesë edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Alben Reshitaj, e cila tha se janë në këtë komunë për të bërë apel në mbrojtje të tokës.

Reshitaj tha se Kosova si vend në zhvillim mund të bëjë shumë në mbrojtje të tokës, por sipas saj kjo mund të arrihet vetëm nëse shteti dhe shoqëria bëhen bashkë.

Po ashtu, ajo potencoi se si ministri kanë bërë një strategji për aktivitete të ndryshme në mbrojtje të tokës, e që një nga to është menaxhimi i mbeturinave.

"Po planifikojmë një strategji nacionale të menaxhimit të integruar të mbeturinave  dhe shumë shpejt do të dalim me veprime tone konkrete. Por, të mos harrojmë se qytetari ynë e ka një përgjegjësi që bashkërisht të mbrojmë mjedisin. Do të doja që ne të mos kemi më nevojë të fillojmë me gjoba mandatore, të fillojmë të kërkojmë që ata të paguajnë, sepse ju e dini që ndotësi paguan. Mirëpo, kam besim të plotë që qytetarët tanë vetë do ta pastrojnë dhe do ta mbrojnë vendin", tha ministrja.

E para e ministrisë së Mjedisit nga Rahoveci u zotua se janë duke punuar në fuqizim të inspektoratit të qendrës dhe një bashkëpunim të ndërsjellët me inspektoriatin e komunave.

Ndërsa, nikoqiri i këtij aktiviteti, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i cili tha se jo rastësisht është zgjedhur komuna që ai drejton për shënim të këtij aktiviteti, pasi sipas tij, kjo komunë ka tokën më të mirë, të pasur dhe të punueshme.

Latifi pati disa kërkesa nga MMPH për të arritur një mjedisë edhe më të pasur për qytetarët e komunës që drejton.

"Ne do t'i kërkonim këtu pikërisht në këtë ditë të shënuar, në këtë ditë të rëndësishme të tokës një transfer stacion për mbeturina, që do të ndihmonte në menaxhimin dhe kontrollin më të mirë të mbeturinave që janë të shumta gjithandej në komunën e Rahovecit. Ne do t'i kërkojmë mbështetje në trajtimin e shtretërve të lumenjëve dhe problemet, sepse kemi shumë probleme me vërshime të vendbanimeve dhe përmbytje të tokave bujqësore", tha ai.

Gjithashtu, ai kërkoi mbështetje në kolektorin e ujërave të zeza, në rregullimin e hapësirave ekologjike dhe për krijimin e mjediseve gjelbëruese.

Kurse, Lorik Muçaj, nga OJQ Green Center ka ftuar qytetarët të jenë më të kujdesshëm ndaj ambientit, si dhe qeverisë i ka bërë apel që të mbështeten më shumë organizatat mjedisore.

"Ftoj të gjithë qytetarët anë e mbanë Kosovës që të jenë sa më të kujdesshëm me sjelljet e tyre karshi mjedisit. Ne më të vërtet si organizata dhe përfaqësues të shoqërisë civile kemi vështirësi që të bëjmë investime të mëdha dhe konkrete, por për ato janë institucionet qendrore dhe lokale të cilat duhet të përkujdesen. Por, çka mund të themi është se të gjitha organizatat e në veçanti organizatat aktive në menaxhim të mbeturinave kanë nevojë për më shumë përkrahje nga qeveritë, nga komunat. Por, mbi të gjitha nga qytetarët", tha ai.

Si pjesë e aktiviteteve për shënimin e Ditës së Tokës është organizuar edhe një garë në vizatim dhe pikturë ndërmjet nxënësve të kësaj komune, ku si temë kanë pasur "Toka dhe mjedisi jetësor", derisa tri punimet më të mira janë shpërblyer me mirënjohje.

Po ashtu, ministrja Reshitaj, kryetari Latifi së bashku me organizatat për mbrojtje të ambientit kanë mbjellë drunjë dekorativ në parkun e qytetit të Rahovecit