Shkollat tona të varfra në përputhje me kohën dhe kurrikulën e re

Shkollat tona të varfra në përputhje me kohën dhe kurrikulën e re

Mësimdhënësit në Kosovë vazhdojnë ta zhvillojnë procesin mësimor në kushte mjaft të rënda, duke përdorur ende mjete të vjetra të punës, derisa vendet e rajonit e më gjerë kanë avancuar në këtë drejtim. Ata kërkojnë pajisjen e shkollave me mjete të konkretizimit dhe teknologji, për një proces mësimor të përafërt me vendet e rajonit e më gjerë.

Mësuesja e ciklit të ulët shkollor, Albina Jakupi, thotë se në kushtet aktuale që punojnë mësimdhënësit është e vështirë të arrihet suksesi i dëshiruar. Ajo kërkon mjete të avancuara të punës, në mënyrë që nxënësit të zënë hapin me bashkëmoshatarët e tyre evropianë.

“Problemet më të mëdha ne si mësimdhënës i hasim në infrastrukturën shkollore. Shumë gjëra neve na duhet t’i kërkojmë nga prindërit, pasi shumë pak na ofron shkolla. Duhet të kemi më shumë mjete të konkretizimit.”

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën, se ka pasur investime në ndërtimin e objekteve të reja shkollore, por siç tha, mungojnë kushtet elementare të punës. Ai tha se mësimdhënësit në Kosovë vazhdojnë ende të punojnë me shkumës e tabelë të zezë, ndërsa në vendet e tjera ka avancuar mësimi digjital.

“Teknologjia ka ecur në mënyrë marramendëse. Shteti ynë po ndan  pak buxhet për arsimin, për t’i furnizuar shkollat tona me mjetë të konkretizimit, të cilat duhet të jenë në përputhje me kohën dhe kurrikulën e re, por shkollat tona janë tepër të varfra.”

Ministria e Arsimit është e vetëdijshme për kushtet e punës me të cilat punojnë mësimdhënësit. Këshilltari në këtë ministri, Valmir Gashi, tha për Radio Kosovën se mësimdhënësit punojnë ende me mjete klasike, por, siç tha, në bashkëpunim me donatorët, janë duke bërë përpjekje që të përmirësohen ato. 

“Kemi ndarë një numër të konsiderueshëm të tabelave të zeza, rreth  njëmijë. Nuk janë digjitale, por janë të avancuara. Sa i përket tabelave digjitale, është projekt i kushtueshëm, por do ta kemi parasysh në momentin kur të fillojë mësimi tërëditor.”

Ndërkohë, një numër shumë i vogël i shkollave në vend janë të pajisura me kompjuterë, e më së keqi në këtë drejtim janë shkollat në vendet rurale. Mësuesit me mjetet e tyre financiare detyrohen të gjejnë materiale të ndryshme për lëndë të caktuara, për t’ua shpërndarë nxënësve gjatë procesit mësimor. Sipas tyre, investimi në teknologji nëpër shkolla, shihet shumë larg.

Autor: Albana Karaj