Promovohet libri “Media dhe Integrimi Europian” i Arben Fetoshit

Promovohet libri “Media dhe Integrimi Europian” i Arben Fetoshit

Sot në Qendrën Informative të BE-së në Shkup, me fillim në orën 15:00, promovohet libri i dr. Arben Fetoshit “Media dhe Integrimi Europian”.

Ky promovim mbahet nën përkujdesjen e veçantë të Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare me seli në Shkup. Në këtë promovim, që mbahet nën shenjën e 8 Majit - Ditës së Evropës, pritet të flasin referues nga Shkupi e Prishtina, përkatësisht njohës të fushës së medieve, të drejtës evropiane si dhe të procesit integrues.

Libri i Arben Fetoshit “Media dhe Integrimi Europian” me një metodologji të veçantë shkencore shpalos rolin e pazëvendësueshëm të mediave dhe ndërvarësinë e tyre me politikën në proceset demokratike, shpjegon marrëdhëniet e trazuara ndërmjet politikës, medieve dhe shoqërisë si pasojë e ndikimit të teknologjisë digjitale, dhe duke hulumtuar rastin e Kosovës, e qartëson rrugën e saj të vështirë në Agjendën Europiane.

Shqyrtimi i rolit të medieve në raportin aktual ndërmjet BE-së dhe qytetarëve të saj të rrjetëzuar (homo-net) në kontekst të kërcënimeve nga euroskepticizmi, dhe ekzaminimi i politikës mediale të BE-së si një përpjekje për zgjidhjen ideale në mes të vlerave fundamentale dhe efekteve fragmentare të teknologjisë së Internetit, e bën librin jo vetëm një kontribut për studimet e medieve, por edhe një kornizë praktike për sendërtimin e një partneriteti funksional ndërmjet politikës e medieve në shërbim të demokracisë. Në këtë kuptim, ky libër iu duhet gazetarëve, studentëve dhe zyrtarëve shtetërorë.

Ndryshe, studimi “Media dhe Integrimi Europian” është botim i serisë së botimeve shkencore dhe publicistike i shtëpisë botuese “Orfeu” nga Prishtina.