Emrin e ka dashuri

Emrin e ka dashuri

Poezi nga: Ali Podrimja

Për këtë tokë gjaku ka rrjedhur e prindërit tanë

kryet e kanë lënë; kambana të mëdha kanë mbetur
në jetën tonë për këtë tokë ata që nuk janë më –
e ju si të doni quajeni këtë tokë – muze emrin e ka,
dashuri emrin e ka; o si të doni quajeni
por asnjë fjalë të keqe për prindërit tanë,
njerëz të mirë, asnjë fjalë, se kujtimi na i verbon sytë.

Asnjë fjalë të keqe, thashë, se ata gjithçka janë bërë
për këtë tokë, se ata ishin trima mbi trima
dhe, – nëse ndokush ka vdekur duke kënduar –
ata vdiqën maje hanxharit të dushmanit me këngë në gojë,
nëse ndokush s’ka kthyer nga rruga – ata i
kërkuam;
nëse ndokush ka dashuruar me jetë lirinë – ata
ishin.

Se ata mikun kurrë në besë nuk e kanë prerë
dhe, – nëse ndokush ka vdekur duke kënduar,-
ata vdiqën maje hanxharit të dushmanit me këngë në gojë, –
nëse ndokush s’ka kthyer nga rruga, – ata i
kërkuam,
nëse ndokush ka dashuruar me jetë lirinë, – ata
ishin.

E ju si të doni quajeni këtë tokë – muze emrin e ka,
dashuri emrin e ka; o si të doni, vetëm
mallkim jo
se për këtë tokë gjaku ka rrjedhur, i nxehtë ka
rrjedhur…