Konsensusi rreth dialogut me Serbinë vështirë i arritshëm

Konsensusi rreth dialogut me Serbinë vështirë i arritshëm

Faza përmbyllëse e dialogut me Serbinë, është një prej temave që është diskutuar në dy tryeza të organizuara nga partitë politike, njëra nga LDK-ja, tjetra nga PDK-ja. Megjithatë, konsensusi për këtë temë vazhdon të mbetet i largët. Analistët thonë se do duhej qysh moti të kërkohej konsensusi për këtë çështje. Vetëvendosje, ndërkaq, kërkon vlerësim të dialogut të deritashëm.

Arritja e një konsensusi mes partive politike rreth dialogut me Serbinë, nga analistët politikë, shihet si një proces i vështirë. Analisti Imer Mushkolaj thotë se pengesa kryesore për arritjen e këtij konsensusi është presidenti Hashim Thaçi, për faktin se po tenton që të jetë ai udhëheqës i dialogut me Serbinë, pa u bërë vlerësim i dialogut të deritashëm, një pjesë të të cilit e ka udhëhequr ai.

“Ka jashtëzakonisht shumë probleme në arritjen e një konsensusi dhe nuk besoj që ky mund të arrihet shpejt. Mund të ketë imponim me idenë që presidenti Thaçi mund t’i udhëheqë bisedimet edhe në bazë të një të ashtuquajture platformë që ia ka ofruar atij kryeministri Haradinaj, mirëpo nuk besoj se do të ketë konsensus në masë të madhe të bisedimeve, që ai të jetë udhëheqës i bisedimeve”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Kjo përpjekje për  gjetjen e konsensusit për dialogun, sikurse edhe për çështje të tjera të rëndësishme, sikur që ishte demarkacioni me Malin e Zi, sipas Artan Muratit, nga KDI-ja, do duhej të ndodhte shumë më herët. Ai megjithatë e vlerëson angazhimin e partive për të gjetur konsensus për dialogun.

“Ndoshta mund të ketë përafrim, mirëpo prapë nuk pres që këto tryeza të marrin dhe të shuajnë të gjitha çështjet e hapura mes partive politike, mirëpo mund të gjendet ndoshta një mes ku nuk do t’i prishte parimet e asnjërës prej subjekteve dhe do të mund të krijohej një platformë sado e vogël e bashkëpunimit”, tha Murati.
Arritjen e konsensusit për fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë, e bën më të vështirë edhe qasja, sidomos e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, sipas anëtares së kryesisë së saj, Tinka Kurti, kërkon të bëhet vlerësim i dialogut të deritashëm.

“Ne jemi për një vlerësim të dialogut të deritashëm me Serbinë, meqë kemi vite të tëra që dialogohet me Serbinë dhe ende nuk kemi një vlerësim të përgjithshëm”, tha Kurti.

Në dy tryezat e deritashme të organizuara nga LDK-ja dhe PDK-ja, është diskutuar mes tjerash edhe për fazën përmbyllëse të dialogut me Serbinë. Tryeza e radhës do të organizohet nga Vetëvendosje. Nëse do të diskutohet për dialogun apo për ndonjë temë tjetër nacionale dhe për datën e mbajtjes së tryezës, pritet të vendos kryesia e Vetëvendosjes që, sipas zyrtarëve të saj, do të mbahet gjatë këtyre ditëve.

Autor: Bajram Lani