Dimitrov: Mundet të ndodhin “çudira” për emrin

Dimitrov: Mundet të ndodhin “çudira” për emrin

Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov tha se zgjidhja e emrit do të ishte mrekulli, por se mrekullitë ekzistojnë.

Dimitrov këto komente i bëri gjatë një paneli në kuadër të Samitit të Sofjes, ku theksoi se procesi i integrimit në BE i transformon vendet dhe se do të ishte tragjedi për vendin nëse nuk fillon negociatat për anëtarësim.

"Nuk ka të bëjë me tejkalimin e kapitujve, por me shfrytëzimin e procesit për të ndryshuar. Ne nuk duam të anëtarësohemi nesër, sepse do ta kemi të njëjtin vend. Por procesi i anëtarësimit është mjeti më i mirë që e ka BE-ja për t’iu ndihmuar atyre që duan të reformohen. Ne kemi sfidën e fundit më të madhe në aspekt të problemeve dypalëshe. Mendoj se do të ishte mrekulli nëse do ta zgjidhim, gjithsesi mrekullitë janë të mundshme. Të gjithë kemi nevojë për mrekulli", deklaroi  Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Homologia e tij bullgare, Ekaterina Zaharieva thekson se zgjidhja e problemit të emrit është e domosdoshme në mënyrë që vendi të bëhet pjesë e BE-së.

"Nuk mendoj se njerëzit e Evropës Perëndimore janë të frikësuar nga qytetarët dhe vendet e reja, por shqetësohen se çfarë do të ndodhë kur të bëhen vende anëtare, a do t’i transferojnë problemet e tyre brenda BE-së?! Ne duhet të jemi unik, ky problem i së kaluarës do të jetë pjesë i vendim-marrjes. Pra puna e parë që duhet bërë është të tregojmë se ne mund t’i zgjidhim problemet mes vete dhe të jetojmë në këtë shekull jo në të kaluarën", tha Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Zaharieva shtoi se deri në vitin 2025, dy vende të Ballkanit mund të bëhen pjesë e BE-së. Kryeministri Zoran Zaev ndërkaq duke numëruar arsyet pse vendi meriton të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, theksoi se është momenti që vendet e Ballkanit Perëndimor të kontribuojnë në ndërtimin e një BE-je më të fuqishme.