Në Bjeshkët e Rugovës: Një Retrospektivë mbi Poezinë e Azem Shkrelit

Në Bjeshkët e Rugovës: Një Retrospektivë mbi Poezinë e Azem Shkrelit

Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck (shkurt, 2010)

Azem Shkreli lindi me 10 shkurt të vitit 1938, në fshatin Shkrel në bjeshkët e Rugovës, afër Pejës, në perëndim të Kosovës. Ai humbi të ëmën kur ishte vetëm dy vjeç dhe u rrit nga gjyshja, e cila vdiq po ashtu kur ai ishte akoma djalë i ri. Megjithëkëtë, ai pati një fëmijëri të sigurt dhe stabile. Pas arsimit fillor në fshatin Nakëll, ai ndoqi shkollën e mesme në Prishtinë prej nga u diplomua me 1961. Ai pastaj vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës dhe u diplomua, me 1965, për gjuhë dhe letërsi shqipe.

Si student, Shkreli kishte filluar të shkruante për gazetën ditore “Rilindja” dhe punoi si sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nga viti 1960 deri me 1975, ai punoi si drejtor i Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë. Për një kohe ai u bë anëtar i trupit ekzekutiv të Shoqatës e Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Më 1975, Shkreli u bë drejtor i “Kosovafilmit” – një post ky që e mbajti deri kur u dëbua nga administrata e re serbe, me 1991.

Poeti qe jashtëzakonisht i preokupuar për mirëqenien e Kosovës. Dëshira e tij kryesore ishte t’i përkushtohej kauzës së të drejtave themelore dhe lirisë e popullit të tij. Ai kaloi një kohë në Gjermani, në vitet nëntëdhjetë, pasi që e kishte gruan të sëmurë, e cila kërkonte trajtim mjekësor, gjë që ajo nuk mund ta merrte në Kosovë. Megjithëkëtë, ai vendosi të mos rrinte jashtë vendit me familjen e tij, por të kthehej në Prishtinë, ku jetonte i vetëm. Ky ishte një vendim i rëndë për t’u marrë, por ai ishte i vetëdijshëm së nuk kishte zgjidhje tjetër, pos ta respektonte këtë. Kur u ftua në një vizitë tremujore në Villa Waldberta në Bavari, me 1993, ai u shqetësua shumë dhe mezi qëndroi gjashtë javë.

“…Katër net që një gur,
po më rrjedh pikë-pikë Kosovë”
(Nga poezia “Villa Waldberta”)

Shkreli punoi pa pushim dhe nuk e humbi asnjëherë nga vështrimi qëllimin e pavarësisë së bashkëkombësve të tij shqiptarë të Kosovës. Tragjikisht, ai nuk arriti të përjetonte realizimin e ëndrrës së tij. Më 25 maj të vitit 1997, ai ndërroi jetë në Aeroportin e Prishtinës, sapo shkeli në tokën e atdheut të tij, në mbarim të një vizite në Gjermani.

Azem Shkreli filloi të shkruante në vitet e hershme gjashtëdhjetë. Vëllimet e tij të para me vjersha “Bulzat”, Prishtinë 1960, dhe “Engjujt e rrugëve”, Prishtinë 1963, trajtojnë kryesisht kujtime nga rinia e tij, por pothuajse nuk kalojnë përtej kësaj si burim frymëzimi. Shkreli i konsideronte këto libra gati si të parakohshëm dhe ushtrime të thjeshta në të shkruar. Ato së shpejti u pasuan nga romani “Karvani i bardhë,” Prishtinë 1961, që u botua në Beograd dy vjet me vonë, i përkthyer në serbisht.

Vëllimi “E di një fjalë prej guri, Prishtinë 1970, është përmbledhja e parë që zbuloi vokacionin e vërtetë poetik që do merrte poeti. Ndërkaq ishte përmbledhja “Nga Bibla e heshtjes”, Prishtinë 1977, ajo që solli, në të vërtetë, Azem Shkrelin si një kontribuues, mbase më të madh, në poezinë bashkëkohore shqipe, në veçanti të vargut modern nga Kosova dhe si një nga zërat me origjinale. Vëllimet e tjera janë thjesht një konsolidim i themeleve që hodhi në “E di një fjalë prej guri”.

Shkreli shkroi edhe romane, tregime, drama, pjesë teatrore, skenarë filmash, ese dhe përmbledhje letrash – në veçanti “Zoti nuk është shqiptar”, Tiranë 1996. Ai ishte redaktor, autor teksti dhe bashkautor i dokumenteve dhe dëshmive të përmbledhura në “Trokitje në ndërgjegjen e Europës”, Prishtinë 1992. Kjo e fundit ishte një botim klandestin i shtypur nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, anëtar aktiv i të cilit ishte Shkreli.

Përkundër prirjeve të tij të shumta, Azem Shkreli ishte në rend të parë poet gjatë tërë jetës së tij dhe botoi dhjetë përmbledhje poezish nga viti 1960 deri më 1997. Veprat e tij janë përkthyer në serbisht, gjermanisht, rusisht, sllovenisht, maqedonisht, arabisht, italisht dhe anglisht, kjo e fundit sidomos në vëllimin “Kënga e hutinit”, Prishtinë 1989, përkthyer nga John Hodgson. Shkreli është quajtur “mjeshtër i fjalës” dhe shkrimet e tij kanë pasur ndikim te pothuajse të gjithë poetët kosovarë të brezit të ri.

Duke rrjedhur nga “Bjeshkët e Nemuna” shkëmbore dhe të egra të Kosovës Perëndimore, Shkreli kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij madhore jo në atë ambient rural, por në qytetin e Prishtinës. Megjithatë, shumë nga poezitë e tij dalin nga bjeshkët e dashura dhe legjendare të Rugovës.

“…Damar i plasur në trupin tim të bjeshkës.
Atë ditë e sot po kërkoj
Diç të humbur rrjedhave përpjetë.
Gurrë e Martin Bogës,
Dhimbe që rrjedh e kulluar dashurive të mia”
(Nga poezia “Gurrë e Martin Bogës”)

Me kalimin e kohës, ai ishte gjithnjë e më i ndërgjegjshëm së nuk do të mund të kthehej më për të jetuar në këtë rajon, ngaqë ishte nevoje më të madhe gjetiu. Kosova ishte pjesë integrale e ekzistencës së Shkrelit. Ishte themeli i tij i lartë moral dhe ajo kishte përparësi mbi të gjitha angazhimet e tjera. Ai citohet nga e bija të ketë thënë: “Ne nuk e kemi luksin që të mos brengosemi së çfarë do të ndodhë me kombin tonë.” Kombe të tjera më të mëdha gjithmonë kishin vendosur së çfarë të bënin me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Ata kishin parasysh në rend të parë interesat e tyre dhe kishin pushtuar tokat shqiptare. Shqiptarët u konsideruan qytetarë të rendit të dytë në shumë vise ku ata banonin.

“A ka vallë fatpër kombet e vogla? Ato hyjnë dhe dalin
nëpër dyer të tragjedive të mëdha”
(Ismail Qemali bej Vlora, Babai i pavarësisë shqiptare)

Azem Shkreli e shihte Kosovën dhe tërë kombin shqiptar me një prioritet të madh dhe askush nuk e dinte këtë fakt dhe nuk e respektonte atë përkushtim më shumë së e shoqja. Ajo ishte një mbështetëse e përkushtuar dhe kritikja e tij më e afërt dhe më e mirë. Ajo jetonte me fëmijët në Gjermani për vite me radhë, për shkak të shëndetit të saj të ligë dhe drejtonte punët e shtëpisë në mungesë të tij. Ai bartte një barrë të rëndë, por asnjëherë nuk vuri në dyshim përzgjedhjen e tij.

Shkreli ishte mik i ngushtë i avokatit Bajram Kelmendi dhe ata të dy ishin të pandashëm gjatë periudhës midis vitit 1994 e vitit 1997. Kelmendi dhe të dy bijtë e tij u vranë nga forcat serbe me 24-25 mars të vitit 1999 dhe Shkreli do të mund të kishte pësuar të njëjtin fat po të ishte gjallë gjate periudhës së dhunshme dhe represive që do të pasonte.

“…Herët e mbolla hijen time nën diell dhe sepse
Kishim zjarr në shtizë, thekër në flokë dhe thinja
Kishim maje kishash, maje moshash, maje varresh,
Sepse gjak më kishte, gjuhë më kishte gjethi më mallkuan”
(Nga poezia “Anatema”)

“Kudo që të ndodhem, do ta mbaj frymën e fundit derisa të shkel në tokën e Kosovës”, kishte deklaruar Shkreli:

“…Liria thinjet bukur, nuk plaket,
Kur vdiset, është e pavdekshme,
Kur vdes, i bëjmë vend ne dhe të atdheut
Liria është Kosova, s’kam më fjalë të lirë”
(Nga poezia ”Lirikë për Lirinë’)

Azem Shkreli e shihte vetë Shqipërinë si një mëmëdhe demokratik të të gjithë shqiptarëve dhe përpiqej të ruante lidhje kulturore me të sa me shumë që të ishte e mundur. Megjithatë, ai doli disi i zhgënjyer pas rënies e skemave piramidale në Shqipëri, më 1997, dhe shëndeti iu dobësua. Ëndrrat e tij për të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe të Kosovës u lëkundën dhe ai përjetoi një trazim të rëndë emocional dhe zhgënjim. I kapluar nga një ndjenje e fajit dhe pafuqisë, ai të paktën e dinte së ishte munduar shumë ta nxirrte Kosovën nga kanosja e stuhisë që po vinte dhe së ai kishte përdorur diplomacinë në përpjekje që të ndihmonte Shqipërinë të dilte nga vështirësitë e saj.

Një ditë të bukur pranvere ai i tha së shoqes se e kishte kapluar një mall i madh të “shkonte në shtëpi” dhe ai papritur la Gjermaninë. Mbase ai pati një parandjenjë me stresin tepër të madh për ta duruar. Ai vërtet priti derisa aeroplani nuk preku token e Kosovës, pas disa orësh, para së ai të nxirrte frymën e fundit.

”Sonte
Qava për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava”
(Nga poezia, “Këngë e turpshme”)

Shkreli ishte humanist dhe kishte besim në potencialet e njerëzimit. Ai ruante një optimizëm më të matur. Vetë populli i tij ia çmonte modestinë dhe përunjësinë, dhe ai konsiderohej në mase të madhe si “poet i madh dhe si njeri i madh”. Një malësor në shpirt, ai i rrinte besnik fuqisë e fjalës: “fol pak dhe thuaj shumë”. Ai ndiqte traditat malësore të urtësisë, integritetit, mirësjelljes dhe parimeve të Kodit të lashtë të Lekë Dukagjinit, që përfshinte besim apo fjalën e dhënë të besimit, një traditë e ngrohtë e mikpritjes dhe mbrojtjes së të huajve. Si një evropian, intelektual i fundit i shekullit njëzet, ai rrëmonte thellë në çështjet politike, historike, kulturore, morale dhe shkencore. Ai ishte në gjendje të shihte “vizionin e madh” të shqiptarëve dhe kishte një ndjenjë të mprehtë të historisë së trazuar të Shqipërisë dhe të pozitës e saj të ndjeshme në Evropë.

“Mbi flokë Bizmarkësh,
I bie Europës borë,
Krisma, flamuj të fajshëm
Ngulur në një harrim
Një gur nëpër kohë
Shqepon gjëmim i gjorë,
Këtu rrjedh gjak,
Epika e popullit tim”
(Nga poezia “Përmendore për Mic Sokolin”)

Shkreli kishte një afri të ngushtë me poetin Migjen (1911-1938) dhe zhgënjimet e tyre, dëshpërimet dhe preokupimet shoqërore, ishin të ngjashme. Ai mëtonte të vazhdonte luftën e Migjenit kundër shtypjes dhe padrejtësisë.

“…E ngre grushtin Tënd t’fortë për ta thye
Skeletin e sëmurë t’vjeshtës vare mbi ne e kreshta,
Por fryma e fjala pezmit me lidhen nyje.
Dikush po qan. Dhimbja, apo vjeshta?”
(Nga poezia, “Me Migjenin”)

Duket sikur ai u ndikua në vitet e tij të hershme edhe nga poezia e Martin Camajt (1925-1992), një poet nga Shqipëria Veriore, i cili jetoi në Kosovë dhe në Jugosllavi për një kohë pas ikjes së tij nga Shqipëria, më 1949. Camaj kishte botuar dy vëllimet e tij të para me poezi në Prishtinë: “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953, dhe “Kanga e vërrinit”, Prishtinë 1954, që ishin të frymëzuara nga malet e Veriut të Shqipërisë, ndaj të cilave ai kurrë nuk humbi lidhjen, përkundër viteve të gjata në ekzil dhe pamundësisë e kthimit. Sikur Camaj, edhe Shkreli ruajti devotshmërinë ndaj së njëjtës kulture malësore. Në dallim nga Camaj, Shkreli e kaloi tërë jetën e vet në vendin e tij të lindjes.

“…Më lër dhe pakëz, me lër, Gur i Martinit,
T’ia mbaj dorën në krah si andej në Malësi,
T’ia ftoh shkrumet e mallit e të mërgimit
Dhe do shkoj s’do rrij.
Pse gurët dhe poetët nëpër botë
I dashka të shpërndarë ky dhe i yni,
Zi nuk mbajmë, po kurrë mos qofsh e kotë
Dhembje në Gur Martini”
(Nga poezia “Te Guri i Martinit”)

Kthimi në Rugovë i jepte atij gjithmonë ndjenjën e përkatësisë dhe të plotnisë. Ai ndihej pranë rrënjëve atje dhe ishte në gjendje të ripërtërihej dhe të merrte energji të reja shpirtërore. Poeti i përshtatej emocionalisht ambientit të majave shkëmbore, bimëve dhe luleve alpine, krojeve të ftohta malore, drerëve dhe zogjve grabitqarë, dhe fshatrave të vegjël, banorët e patrembur të të cilëve rropateshin me jetën në peizazhet jomirëdashëse. Rugova ishte në njëfarë mënyre nëna e tij dhe ai ruajti një raport besnik dhe ushqyes me “të”. Kujtime të ngrohta jetësore me gjyshen e tij dhe me familjen e tij të gjerë e vërshonin atë sa herë që kthehej në shtëpi.

“…Po kthehem
E rrepta, e mira
Po kthehem
Përsëri
Po takohem me ty
Si me nënën”
(Nga poezia “Rugova”)

Lexuesit e Azem Shkrelit ftohen në imazhe kullotash të gjelbra, te qengjat që thithin, te lisat e mëdhenj, te kodrat e veshura me pisha, kasollet prej guri, lahutave, varrtarëve të mvrejtur, kuajve që kullosin, pushkët me strall, plisat e bardhë të veshjes tradicionale shqiptare, qivurët funeralë, veshjet e nuseve dhe tryezat me bukë e kripë. Shtëpia, vatra dhe trashëgimia ishin në zemrën e vlerave të poetit. Zogjtë simbolizonin lirinë, fluturimin, trazimin, lëvizjen dhe ndjeshmërinë. Gurët i flisnin atij për përherësinë, qëndrueshmërinë, fuqinë, historinë dhe një kujtim postmortor. Dheu do të thoshte toka e bekuar, atdheu, të ushqyerit, mbijetesa, dhe paraqiste, gjithashtu, edhe atë që ishte rrëmbyer apo që ishte zhdukur – atë që toka mëmë do të thoshte për të mërguarin e përmalluar në diasporë Me kalimin e viteve, shumë anëtarë të familjes e gjerë Shkreli kishin mërguar në pjesë të tjera të Evropës dhe të Amerikës Veriore

“Lamtumirë në trasta, lamtumirë në ajër,
Në sy lamtumirë…
Koha në dysh po këputet, orë e trishtë po rri
Mbi kokë me sopatë të madhe,
Trupa të avullt të grave, motmote të njoma,
Ofshe të nënave, na pritni,
Le të rriten bimët e fëmijët, etja le ta marrë
Zogun e zërin e krypën.
Vetëm udhët le të plaken, le t’i zbardhet floku
Nisjes sonë, jo kthimit.
Udhë e zeza, gjarpër i gjatë, na hëngre.
Na shpure përtej harrimit”
(Nga poezia, “Nisja e mërgimtarëve”)

Bimët dhe drunjtë ishin sinonime të njerëzve. Ato paraqisnin jetën, ringjalljen, vazhdimësinë e familjes dhe së ardhmes së tij, si dhe ofronin një lidhje me të kaluarën dhe paraardhësit e tij. Rrënjët, trungjet, degët dhe gjethet merrnin formë njerëzore. Gjaku kishte disa ndërlikime, në mesin e të cilave ishte fisi i tij, forca jetësore, vdekja dhe të vdekurit, shprehja e emocioneve, dhembja, mundimi, krenaria, trimëria, lufta dhe lidhja me çdo njeri tjetër të gjallë.

“…Po ikim ngagjaku im motive të verdha,
Po ikim nga gjaku ose një herë tjetër
Po lindim mes bimëve të tjera”
(Nga poezia ”Motive të verdha”)

Azem Shkreli kishte një dashuri të madhe për gjuhën dhe qëndiste në një pjesë të madhe poezinë e tij me kuptime të dyfishta apo të trefishta. Ai kënaqej me lojën me fjalë dhe kishte një ndjenjë subtile dhe të butë të humorit. Shumë fraza, bekime, terma dhe shprehje nga dialekti i Kosovës kishin humbur apo ishin harruar, por ai i ktheu sërish në jetë në faqe të shtypur. Disa nga ligjërimet e tij do të kuptoheshin sot vetëm nga brezi më i vjetër i malësorëve të Rugovës, por, përmes shkrimeve të tij, këto nuanca do të vazhdojnë të jetojnë. Gjuha shqipe qëndron e vetme në drurin indoevropian dhe ka degën e veçantë. Lidhjet me grekët dhe ilirët përshkojnë poezitë e Shkrelit. Ai kishte dhuntinë e përshkrimit të dramës të së kaluarës së turbullt të popullit të tij.

“Solli së pari
I ra dhëmbi motit të brishtë
Në teh të saj u mpreh drita
Shkelën akrobate dhe dhembje
Solli së dyti, një kokë
Më e shkurtër jeta e të ndjerëve
Tani preke me thua dhe dëgjo
Gjëmim ngjarjesh të vrigëllimta”
(Nga poezia “Shpata”)

Ndonëse Shkreli rrethohej nga një kulturë dominuese myslimane, ai shkroi edhe për tema të krishtera, siç janë ringjallja dhe shëlbimi. Ai besonte te fisi i tij dhe tek ajo që Pashko Vasa (1825-1892) e quante njëherë si feja e shqiptarisë. Përgjithësisht, ai mendonte së Zoti apo zotat i kishin harruar, apo i kishin braktisur shqiptarët dhe së ishte në duart e popullit të tij të siguronte fatin e vet dhe të ndihmonte veten të dilte nga paracaktimi i fatit të tij të zi.

“Erdha këtu
Të më pagëzojnë pa emër.
Erdha këtu
Të më bekojnë pa kurorë.
Erdha këtu
Të më shëlbojnë pa temjane.
Erdha këtu
Që t’i kryqoj dy rrugë.
Erdha këtu, miq
Që t’u lutem njerëzve për Zotin”
(Nga poezia “Në Shën Naum”)

Ai gjente kënaqësi në gëzimin e plotë të krijimit dhe gjente prehje në artin dhe kënaqësinë e vetë poezisë.

“Mos shkruani sonte poezi,
As heshtjen si unë mos e shkruani
Ndizeni një varg si qiri
Dhe zjarrin e së pathënës e vuani.
Dëgjoni si dhemb e pathëna,
E beftë, e bukur. Poezi
S’është lot i qiriut as hëna,
Është push i një etje dhe shi”
(Nga poezia “Këngë me miq”)

“…Ku të bartin katër rugovas, shpirti rronpërzier me shkrepa,
Vdis malsorçe, harrimi le të rritet me fier, me luleborë”
(Nga poezia “Projekti”)

Lexuesi anglishtfolës apo dygjuhësor tani ka mundësinë t’ i shijojë fjalët e këtij poeti të mirënjohur, që lindi në një botë të ashpër, por magjike të gurëve në formë vezësh, gurgullimash uji, hijesh nimfash dhe drerësh në dritën e hënës. Le të rrojë kujtimi i Azem Shkrelit edhe shumë përtej fierit dhe dëborës, në luadhet e malësisë së Rugovës!