Pas mbylljes fabrikat importojnë 30 mijë litra vaj si lëndë të parë

Pas mbylljes fabrikat importojnë 30 mijë litra vaj si lëndë të parë

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Mitrovicës, Hysni Ahmeti, ka thënë se nuk do të lejohen dy fabrikat për përpunimin e vajrave motorikë të punojnë pa leje të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndonëse pas mbylljes së tyre nga inspektorët njëra ka vazhduar të prodhojë vajra motorikë.

Dy fabrika, njëra për përpunimin e gomave deri në përfitimin e vajrave industrialë dhe fabrika për riciklimin e vajit të përdorur më parë deri në përfitimin e vajit industrial, ndonëse janë mbyllur nga inspektorët komunalë të Mitrovicës kanë vazhduar të punojnë sa herë që mund t’u ikin inspektorëve.

Në Drejtorinë e Inspektoratit të Mitrovicës kanë thënë se inspektorët komunalë janë duke i vëzhguar me vëmendje dy fabrikat që ditë më parë i ka mbyllur për shkak të aktiviteteve të tyre prodhuese pa leje përkatëse dhe të ndotjes së ambientit.

“Siç dihet, më 15 maj Inspektorati Komunal ka mbyllur fabrikën për përpunimin e gomave deri në përfitimin e vajrave industriale ‘BN 01 Rycikling’ SHPK dhe fabrikën për riciklimin e vajit të përdorur më parë deri në përfitimin e vajit industrial ‘Bass Partners’ për shkak të ndotjes së ambientit dhe të veprimtarisë pa leje përkatëse”, ka thënë drejtori i Inspektoratit në Komunën e Mitrovicës Hysni Ahmeti, i cili ka shtuar se inspektorët vazhdimisht janë në vëzhgim të këtyre fabrikave për të pamundësuar vazhdimin e prodhimit në mënyrë ilegale. /Zëri