Sarrazin: BE do të vazhdojë me zgjerimin

Sarrazin: BE do të vazhdojë me zgjerimin

Spanja ka probleme të brendshme dhe është për të ardhur keq që Rajoy nuk ishte në samitin e Sofjes. Gjermania angazhohet për normalizimin e raporteve dhe afrimin e Serbisë dhe Kosovës me BE, thotë Manuel Sarrazin.

DW: Zoti Sarrazin, dikush e ka thënë njëherë se zgjerimi i BE është si një pulë pa kokë - kërcen dhe vrapon por de fakto është e ngordhur. Pajtoheni ju me këtë pohim?

Manuel Sarrazin: Jo. Zgjerimi i BE ka pasur me siguri kohëra më të mira por edhe më të vështira. Mendoj se në vendet që presin zgjerimin ekziston një përcaktim dhe dinamikë e fuqishme për zgjerimin. Kjo ekziston edhe tek vendet e rëndësishme evropiane. Mendoj se edhe të pa kokët mund të bëjnë shumë punë. Kush e di legjendën për Klaus Störtebekerin, e di se çfarë po them. (Pirati habsburgas të cilit ia kanë prerë kokën në vitin 1401, i është premtuar se do të kursehen të gjithë shokët e tij, nëse ai pa kokë parakalon pranë tyre. Legjenda thotë se ai me kokë të prerë ka kaluar pranë 11 shokëve të tij, por kryetari i bashkisë nuk e ka mbajtur premtimin dhe i ka vrarë të gjithë, vërejtje e autorit).

Sinqerisht: në BE nuk ekziston gatishmëri për zgjerim, edhe sikur ato sot të ishin të gatshme. Dhe anasjelltas, edhe po të ekzistonte gatishmëria për zgjerim, vendet e Ballkanit nuk janë as afër realizimit të detyrave...

Procesi i zgjerimit bazohet së pari tek plotësimi i detyrave dhe më pas ky argument mund të përdoret për zgjerimin. Disponimi për zgjerimin nuk është aq i keq, mendoj unë. Zgjerimi ende paraqet një prej politikave më të suksesshme të BE. Unë nuk shqetësohem për këtë proces, nëse shtetet i arrijnë rezultatet e pritura, besoj se gatishmëria e BE nuk do të mungojë.

Po çfarë vlejnë këto fjalë, kur presidenti francez Macron thotë se BE së pari duhet t'i zgjidhë problemet e veta, e pastaj të merret me zgjerimin?

Agjenda e Selanikut është e qartë. Në Sofje është nënvizuar me pëlqimin e presidentit francez edhe njëherë se Ballkani Perëndimor e ka të hapur perspektivën e anëtarësimit. E qartë është që BE duhet t'i kryejë detyrat e veta dhe kjo është në interesin e Ballkanit Perëndimor. Tek e fundit, ato duan të anëtarësohen në një BE që funksionon. Këto dy gjëra nuk janë në kundërshtim mes vete. Zoti Macron ka krijuar një bindje të këtillë, por mendoj se kjo është e gabuar dhe afatshkurtër.

E përmendët Selanikun, por nga Selaniku kanë kaluar 15 vjet dhe nuk ka ndodhur shumë. Çfarë nuk ka shkuar si duhet në këtë periudhë?

Së pari, premtimi i asaj kohe ka qenë shumë i guximshëm, e BE me premtimet e veta ka pasur përvoja të mira. Por procesi i zgjerimit është i komplikuar dhe Evropa është bërë më e kujdesshme. Kjo është logjike, sepse gjërat janë zhvilluar dhe duhet të bëhen më shumë reforma. Gabim është që ne nuk e kemi përcjellë si duhet gjendjen dhe nuk jemi angazhuar sa duhet. BE duhet të jetë e përkushtuar ndaj këtij rajoni në mënyrë që të mos ketë dyshime se angazhimi është i kotë.

Së fundi keni qenë edhe në Beograd dhe keni biseduar me pushtetmajtësin Vuçiq, i cili edhe me këtë rast ka dhënë deklarata të këndshme. Si duket kur flisni me një person i cili mban në duar të gjithë pushtetin, kontrollon mediat dhe nuk lejon kurfarë kritike, me një person që po krijon një shtet partiak?

Parimisht ne flasim gjithmonë me të gjithë partnerët. Në Beograd kemi biseduar me përfaqësuesit e qeverisë, presidentin, por edhe me ata të opozitës, shoqërisë civile dhe mediave kritike, sepse duam të kemi një pasqyrim të plotë të gjendjes. I kemi thënë zotit Vuçiq se funksionimi i shtetit juridik dhe demokracia janë shumë të rëndësishme për Serbinë. Këto janë parakushte dhe për këto kemi biseduar. Mendoj se duhet të kemi dialog të hapur dhe të sinqertë. Roli klasik i BE është që të përpiqet të ndihmojë. Mendoj se Serbia mund t'ia dalë në realizimin e detyrave të veta.

A janë të vërteta pohimet se kancelarja Merkel e ka pranuar Vuçiqin dy herë kohët e fundit, madje edhe gjatë fushatës elektorale, sepse mendohet se ai po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës?

Më duhet të them se politika gjermane dëshiron që procesi i normalizimit të çojë sa më parë drejt një rezultati që nënkupton përparimin e Serbisë dhe Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Presidenti i Serbisë këtu luan një rol shumë të rëndësishëm dhe nuk mund të injorohet. Situata e brendshme në Serbi është po ashtu e rëndësishme. Ndaj Serbia sipas mendimit tim duhet të arrijë rezultate në politikën e brendshme por njëkohësisht të përparojë edhe në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën. Por unë nuk mund të vlerësoj takimet e zonjes Merkel me Vuçiqin…

Pushteti në Serbi ka të drejtë kur thotë se pala kosovare nuk e ka realizuar obligimin për krijimin e Asociacionit të komunaveme shumicë serbe. Pse Gjermania nuk po bën presion në këtë drejtim?

Ka presione nga Gjermania ndaj të dy palëve që të vazhdohet me procesin e normalizimit. Ka shumë tema kontestuese. Në Beograd kemi insistuar p.sh. që të arrihet partneritet në sektorin e energjisë, ndërsa Kosovës i kemi thënë qartë se duhet të realizojë obligimin për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që parashikohet me Marrëveshjen e Brukselit.

A kanë Bosnja dhe Kosova perspektivë evropiane, kur kemi parasysh bllokadat në këto vende?

Parimisht perspektiva ekziston. Por në situatën e tanishme, perspektiva nuk është e pjekur sa duhet, për të filluar negociatat për anëtarësim. Hapi tjetër është liberalizimi i vizave për Kosovën dhe më pas shpresojmë zgjidhjen e konflikteve rajonale. Për Bosnjen zgjedhjet në tetor janë një test me rëndësi.

Ish-ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel ka thënë se Gjermania do të angazhohet që Spanja dhe vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë. Si e paramendoni këtë proces?

Kam shpresuar se në samitin e Sofjes do të gjenden fjalë më të qarta edhe për këtë çështje. Ishte e dëmshme që kryeministri Rajoy nuk mori pjesë në samit. Mendoj se qeveria spanjolle gjendet para problemeve të mëdha të brendshme. Nuk ka ndonjë strategji të qartë se si të zgjidhet ky problem në një afat të shkurtër./DW

*Manuel Sarrazin, 1982, është politikan ekologjist dhe deputet që nga viti 2008. Anëtar i Komisionit për politikë të Jashtme dhe i Komisionit për BE në Bundestagun gjerman.