Nesër premiera e shfaqjes “Arturo Ui” nga Bekim Lumi

Nesër premiera e shfaqjes “Arturo Ui” nga Bekim Lumi

Nesër në orën 21:00 në Teatrin Kombëtar, regjisori i njohur Bekim Lumi sjell premierën e shfaqjes “Arturo Ui”, e cila është krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht (1898 – 1956). Shfaqja është prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Me formën, përmbajtjen, frymën dhe me rolet e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit të tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame. Për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë ndërlidhet me shumë nga tendencat dhe zhvillimet e pazakonta nëpër botë. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat ma të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. “Arturo Ui” nuk është inskenuar asnjëherë deri tani në Kosovë.

Në shfaqje luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj. Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Dren Suldashi, i cili gjithashtu luan në kitarë. Asistent regjisor është Bashkim Ramadani. Koreografinë e shfaqjes e ka bërë Majlajdo Gala, ndërkaq skenografinë Mentor Berisha, përderisa kostumografinë Alma Krasniqi.

Sivjet, për t’u inskenuar, përveç qëllimeve artistike e estetike, janë edhe të paktën dy arsye më shumë: 120 vjetori i lindjes së Bertolt Brecht-it dhe 20 vjetori i artit dhe krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

Premiera e shfaqjes “Arturo Ui” është të enjten, më 14 qershor, në orën 21:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.