Rahoveci kërkon ndihmën e Qeverisë për të përballuar dëmet e reshjeve

Rahoveci kërkon ndihmën e Qeverisë për të përballuar dëmet e reshjeve

Reshjet e shiut dhe breshrit që filluan pasditen e 14 qershorit, kanë shkaktuar miliona euro dëme në qytetin e Rahovecit dhe fshatrat përreth. Për të përballuar dëmet, nevojitet ndihma e Qeverisë, pasi që buxheti i kësaj komune nuk ka fonde të mjaftueshme.

Përveç dëmeve në vreshta dhe kultura bujqësore të shkaktuara nga breshëri dhe shiu i madh, ka pasur dëme edhe në amvisëri dhe biznese.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, deklaroi për KosovaPress se për të sanuar gjendjen është bërë krejt çka ka qenë e mundur nga ana e komunës, duke formuar shtabin për menaxhimin e krizës, ku pjesë e tij janë të gjitha instrumentet e pushtetit lokal. Porse ka theksuar se urgjentisht nevojitet fondi për investime të dëmeve dhe sistemi raketor antibreshër.

Latifi: Mbështetja e Qeverisë e domosdoshme për të sanuar pasojat 

“Realisht komuna jonë është goditur jashtëzakonisht shumë nga këto reshje që kanë filluar me 14 qershor, kanë vazhduar më 15 qershor e madje edhe ditën e djeshme. Ne hapin e parë e kemi bërë sigurt. Si institucione iu kemi dalë në ndihmë edhe qytetarëve, edhe fermerëve, edhe pronarëve, familjarëve, të cilët realisht kanë qenë të rrezikuar sepse kanë pasur ujë nëpër shtëpitë e tyre dhe janë dëmtuar amvisëritë. Nesër kemi seancë urgjente dhe aty do të kërkoj nga Kuvendi që të na lejohet përdorimi i një fondi emergjent, i cili ka të bëjë më shumë me intervenime emergjente, si sanim i pasojave të rënda, të cilat i kanë shkaktuar reshjet e fundit. Gjithashtu, do të bëjmë një thirrje drejtuar kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Bujqësisë dhe ministrive të linjës që të na përkrahin direkt përmes një fondi", tha ai.

Si pasojë e motit të lig, bujqësia në komunën e Rahovecit është goditur aq shumë sa që nuk dihet se si do të mbijetojnë fermerët të cilët kanë toka me qira, puna e të cilëve siç thotë kryetari Latifi pothuajse ka shkuar e tëra dëm.

Latifi: Dëmet janë milionëshe

“Fondi për investime të dëmeve është i domosdoshëm për t’i përkrahur fermerët, të cilët janë goditur jashtëzakonisht shumë në këto reshje të fundit që ishin të shoqëruara edhe me breshër e që ka shkatërruar kulturat e perimeve dhe vreshtat e në disa lokalitete përfshirë edhe kompani si ‘Stone Castle’ që ka diku rreth 700 hektarë, por që rreth 60 hektarë i ka shkatërruar 100 për qind. Siç ka shkatërruar edhe kultura të shumta perimtare kudo në Grexhë, Fortesë, Pataqan dhe një pjesë të qytetit të Rahovecit ku është vreshta. Ndërsa në Celinë, Xërxë dhe Krushë të Madhe, edhe breshëri edhe shiu i rrëmbyeshëm me vërshime të shumta përmbytjet e tokave. Dëmet janë milionëshe”, tha Latifi. 

Edhe kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti shpreh shqetësimet e tij për banorët e asaj ane, e të cilëve iu janë shkaktuar dëme të shumta pas vërshimeve. Për sanimin e kësaj situate dhe mënyrë që të zvogëlohen dëmet, Hoti thotë se nevojitet mbështetja e Qeverisë, pasi që ka familje që jetojnë ekskluzivisht nga bujqësia.

Hoti: Komuna ka buxhet të vogël, na nevojitet përkrahja e Qeverisë

 “Ne do te duhej të marrim kompensim sepse janë familje të tëra, të cilat ekskluzivisht varen nga bujqësia dhe se kanë bërë investime goxha të mëdha në sezonin  pranveror, me mbjellje, me perime të tjera. Apelojmë te qeveria që ta marrë këtë në konsideratë, sepse po qe se të dojë komuna jonë ka buxhet të vogël, gjithsesi ne jemi duke punuar ngushtë me kryetarin e komunës, Smajl Latifin, si dhe me stafin e tij për të bërë vlerësimin dhe presim në ndërkohë të dal një komision vlerësues dhe të futet derë më derë, arë më arë për ta bërë një vlerësim ekzakt në atë se çfarë ka ndodhur”, tha ai.

Banori i Krushës së Madhe, Muhamedali Hoti ka treguar për KosovaPress se shiu ka lënë pas vetes pasoja të mëdha për familjet e fshatit.

Hoti: Kemi pësuar dëme të mëdha

“Ka pasur dëme të mëdha. I kemi hedhur të gjitha çfarë ka pasur në lum, sepse ka qemë e pamundur me u shpëtuar. Depërtimi ujit në bodrumet e shtëpisë ka qenë mbi një metër e gjysmë dhe ka qenë e pamundur me heq ndonjë gjë, do të thitë dëmet kanë qenë shumë të mëdha. Kanalizimet kanë qenë të zëna krejtësisht, ndoshta, sepse kanë qenë vërshimet jashtëzakonisht të fuqishme. Uji nuk ka mundur të depërtojë në kanalizime dhe deri të nesërmen bodrumet kanë qenë të mbushura me ujë me nivel të ujit mbi 1.5 metra”, tha ai.

Ndryshe, qysh nesër në Rahovec do të mbahet seancë urgjente lidhur me situatën e krijuar, me qëllim të daljes nga kjo situatë e vështirë për banorët dhe bizneset e Rahovecit, si dhe fshatrave përreth.