Diplomacia e Trumpit

Diplomacia e Trumpit

Presidenti Donald Trump është duke luajtur me dy granata të rrezikshme në skenën botërore derisa ai njëkohësisht konfrontohet me regjimet e Koresë Veriore dhe Iranit. Politika e tij përbëhet nga dy elemente: ngacmimin dhe diplomacinë – ajo që quhet rutina e “policit të keq, policit të mirë”, ku Trumpi ndonjëherë i luan që të dy rolet.

Janusz Bugajski, analist i politikave

Lidhur me Korenë Veriore, retorika e Trumpit e bombardimit të vendit deri në shkatërrim nëse ai hedh mjete nukleare në territorin e SHBA-së, është përcjellë me diplomacinë e pacipë të sekretarit të sapoemëruar të shtetit Mike Pompeo.

Në një vizitë befasuese në Pjongjang, ai i vendosi themelet për një samit ndërmjet Trumpit dhe Kim Jongut në qershor. Përkrahësit e Trumpit besojnë që këto fjalë kërcënuese të kombinuara me sanksionet ndëshkuese ekonomike e kanë bindur Pjongjangun që të hyjë në bisedime. Korea Veriore dyshohet të ketë një rezervë prej 60 kokave bërthamore dhe marrëveshjet e mëparshme për të ngrirë ose pezulluar programin e saj nuklear kanë dështuar.


Te rasti i Iranit, Trumpi deklaroi që Amerika është duke u tërhequr nga marrëveshja e cila supozohet të frenojë programin e armëve nukleare të Teheranit. Ai shprehu kundërshtim të fuqishëm ngase marrëveshja nuk e adreson programin e predhave balistike të Iranit ose nuk e parandalon Teheranin nga krijimi i jo stabilitetit në Lindjen e Mesme.

Mbetet e paqartë nëse tërheqja e SHBA-së do ta pezullojë plotësisht marrëveshjen me Iranin nënshkruese së cilës janë edhe Franca, Britania, Gjermania, Rusia dhe Kina. Skenari më optimist është që tërheqja e SHBA-së mund të nxisë negociata të reja mes Teheranit dhe Uashingtonit. Por në praktikë, qëndrueshmëria e marrëveshjes do të testohet kur sanksionet ekonomike amerikane do të rivendosen.


Iranianët i janë përmbajtur marrëveshjes kryesisht shkaku i përfitimeve ekonomike që ka sjellë ajo. Nëse kompanitë evropiane tërhiqen nga Irani për t’iu shmangur sanksioneve të Uashingtonit, atëherë Teherani nuk do të ketë motiv për të qëndruar në marrëveshjen ndërkombëtare dhe është e mundshme që ta ringjallë programin e saj nuklear.


Kjo do të mund të përshpejtojë një konfrontim më të drejtpërdrejtë ushtarak me SHBA-në.
Është paradoksale që çdo koncesion i mundshëm i fituar nga Korea Veriore nga Uashingtoni, në fakt do të mund ta minonte politikën amerikane ndaj Iranit.

Vendimi i Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja nukleare e Iranit mund t’i bindë kryeqendrat e tjera që është më mirë të negociohet me Uashingtonin kur tashmë janë në posedim të armëve nukleare se sa të detyrohen të mos i prodhojnë ato.

 


MË SHUME NGA Aktuale