I jepet lamtumira e fundit luftëtarit të UÇK-së Hajdin Rama

I jepet lamtumira e fundit luftëtarit të UÇK-së Hajdin Rama

Me nderime të larta ushtarake sot është varrosur veterani i UÇK-së dhe ish i burgosuri politik, Hajdin Rama në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë.

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe personalitete të larta politike dhe drejtues të institucioneve të shtetit të Kosovës, të cilët vlerësuan lart kontributin dhe sakrificën e Hajdin Ramës për liri dhe pavarësi.

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se bacën Dinë e ka njohur në vitet e 90-ta i cili ka qenë i vendosur për të realizuar qëllimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ish-bashkëluftëtari i Hajdin Ramës, deputeti Nait Hasani tha se Hajdin Rama i dha zemër dhe fuqi luftës së UCK-së, i cili ishte njeri i fjalës dhe besës që ishte rritur me vuajtje, të cilat kurrsesi si duronte. Sipas tij, Rama mezi priste t’i bashkohet luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe kryetari i komunës se Drenasit Ramiz Lladrovci vlerësoi lart kontributin dhe veprën e luftëtarit të UÇK, Hajdin Rama. Sipas tij, sot Drenasi, Drenica dhe Kosova humbi një nga bijtë më të devotshëm, bacën Dinë.

 

Ish-bashkëluftëtari Bislim Zogaj ka thënë se sot po ndahen prej një burri të madh të Kosovës dhe prej një njeriu që ka kryer punë të mëdha për atdheun.

Djali i Hajdin Rama, Muhamet Rama tha se babai i tij ishte një ideator i madh për çështje kombëtare.

“Kur them se ishte edhe një shtyllë më e madhe për çështje kombëtare, ai u mundua që me sakrificën e tij të lëvizë çdo guri që ne sot të gëzojmë pavarësinë e Kosovës. Unë do të mundohem me përkushtim të madh të mbroj dhe të vlerësoj vlerat edhe të babait tim. Ndihem shumë mirë sot, që në mesin tonë edhe veprimtarët e tij më të shquar që janë ende gjallë si Nait Hasani, Bislim Zogaj dhe familja e Xheladin Gashit, komandant Plakut”, tha Rama.

 

Ndërsa, në emër të shoqatave të dala nga lufta, Faton Klinaku duke ngushëlluar familjen e Hajdin Ramës, tha se kontributi për liri dhe pavarësi do të jetë i pa shlyer.

Ndryshe, luftëtari i UÇK-së, Hajdin Rama, i cili ishte i lindur në vitin 1938, ndërroi jetë dje.