Haradinaj: Jemi në proces të draftimit të ligjit për ushtrinë

Haradinaj: Jemi në proces të draftimit të ligjit për ushtrinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se janë në proces e sipër të draftimit të ligjit për ushtrinë e Kosovës, derisa të martën, Qeveria do ta votojë zonën ekonomike amerikane, e cila do të vendoset në territorin e Gjakovës.

Këto komente kryeministri Haradinaj i bëri në Kuvendin e tetë zgjedhor i AAK-së, i cili nisi me nderime për Hilmi Haradinajn dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me rastin e hapjes së punimeve në kuvendin zgjedhor tha se AAK ekziston në zemra dhe në vlerë.

“Sot Aleanca shquhet edhe si vlerë e atdhedashurisë, dashuria për atdheun në AAK i ngjason rilindësve tanë  të cilët edhe me pendë edhe me pushkë ditën ta krijojnë lirinë, ne besoni jemi afër atyre vlerave, i ndjej në mesin e juaj dhe për ata ju dua shumë. Ne po ashtu sot në AAK e gjejmë demokracinë, një demokraci e re e sfiduar nga gjendja ekonomike, e sfiduar nga proceset e shumta, e sfiduar nga vet pozicioni i Kosovës në rajon e më gjerë dhe e sfiduar edhe nga e drejta jonë e pa përmbyllur në plotni, mirëpo e gjejmë këtë demokraci, ne aspirojmë demokracinë amerikane, është një demokraci e avancuar....Në AAK ka njerëz që besojnë se jo vetëm që do të jemi anëtar i BE-së, i NATO-së dhe OKB-së, por do të kemi edhe ekonomi të qëndrueshme, arsim cilësor, shëndetësi, rend dhe ligj, do të jemi vend ku jeta do të zhvillohet si i ka hije”, tha Hardinaj, duke shtuar edhe për arritjet në kohën e tij si kryeministë r së fundmi, i cili tha se ka të arritura në fushën e energjisë, shpronësimeve, demarkacioni, rritja e pagave së fundmi për gjyqtarët, por me nivelizimin e pagave do të ketë rritje të pagave edhe policët e të tjerë.

Ai ndër të tjera ka thënë se janë në proces të formimit të ushtrisë dhe kanë filluar procedurat për zonën ekonomike amerikane.

“Jemi në proces e sipër të draftimit të ligjit për ushtrinë e Kosovës, mos të bëjmë shumë zhurmë. Nisja e procedurave dhe në takimin e ardhshëm të qeverisë, pra këtë të marte, Kosova, Qeveria e vendit do ta votojë zonën e veçantë ekonomike amerikane, do të vendoset në territorin e Gjakovës, edhe kjo është një e arritur e Kosovës. Nëse i merreni këto pak zona ekonomike e të tjera që do të vinë, këto janë nxitje për zhvillimin ekonomik”, tha ai.

Kurse, nënkryetari i PDK, Enver Hoxhaj, i cili mori pjesë në këtë kuvend zgjedhor në emër të PDK-së, ka thënë se një aleancë që vazhdimisht e kanë çmuar te  Haradinaj dhe AAK, ka qenë edhe aleanca me perëndimin.

“Ju po mbani kuvendin e tetë zgjedhor në një kohë kur vendi jonë është para një faze më të rëndësishme të historisë së tij, ne e përmbyllëm dekadën e parë të shtetësisë, po lëvizim në dekadën e dytë të shtetësisë, por derisa po lëvizim në këtë dekadë, është përkushtim i të gjitha subjekteve politike, edhe i subjektit që unë përfaqësojë që mbi të gjitha ta përmbyllim shtet-ndërtimin e Kosovës, që mbi të gjitha ta kompletojmë sovranitetin e Kosovës dhe që askush nuk mund ta ndal rrugën tonë që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së dhe të arrijmë njohje të ndërsjellët me Serbinë, prandaj këto ditë ka shumë hapësirë për dialog të brendshëm por nuk ka shumë nevojë për dialog të brendshme ka nevojë për një qartësi strategjike se si të përfaqësohemi sa më mirë në Bruksel dhe se si ne të gjithë ta mbështesim procesin e dialogut, i cili do të duhej të përmbyllet vetëm me njohje të ndërsjell ët dhe anëtarësimin në OKB, asgjë tjetër më pak, askush në Kosovë nuk do të pranojë prej një procesi të tillë“, tha ai, duke shtuar se sikur AAK edhe Nisma dhe PDK, po mbajnë zgjedhjet e brendshme, pasi zgjedhje nacionale nuk do të ketë deri në përfundimin e mandatit të kësaj qeverie.

Ndërsa, Valdete Bajrami nga Nisma Socialdemokrate ka uruar AAK-në për kuvendin zgjedhor, nga ku shprehu besimin se AAK do të dal shumë më e fuqishme nga këto zgjedhje.

Përndryshe, janë 529 delegatë që përfaqësojnë nëndegët e AAK-së, do ta zgjedhin sot udhëheqjen e re të këtij subjekti për një mandat katër vjeçar. Delegatët pas votimit të ndryshimeve të statutit, dhe zgjedhja e kryetarit dhe këshillit drejtues, i cili do të bëhet me votë të fshehtë.

Në këtë Kuvend u tha se ky Kuvend do të shërbejë për të forcuar edhe më shumë AAK-në.