Promovohet libri “Nga Teoria në Praktikë” (Foto)

Promovohet libri “Nga Teoria në Praktikë” (Foto)

Është promovuar libri “Nga Teoria në Praktikë”, vepër e një grupi autorësh prej 31 pedagogëve universitar, i cili i përmban 28 studime rasti për kompani nga Kosova dhe ka për qëllim që të rrisë nivelin e studimeve në kuptim të lidhjes së teorisë me praktikën në fushën e Biznesit, Menaxhmentit, Marketingut, Ndërmarrësisë, Shkencave Kompjuterike si dhe Edukimit.

Koordinatori lokal i projektit, Profesori Ymer Havolli e ka quajtur këtë rast si ngjarje të rëndësishme për sistemin e edukimit.

Havolli: Për herë të parë studimet e rastit përmblidhen në një botim

“Për një projekt shumë specifik që është realizuar dhe ka dhënë rezultate, të prekshme dhe për kurikulat dhe për trajnimin e profesorëve tonë, në Shtetet e Bashkimit Evropian. Si rezultat i saj përveç të gjithë të arriturave të tjera, janë edhe studimet e rastit të cilat për herë të parë përmblidhen në një botim, studimet e rastit nga kompanitë e Kosovës”, tha ai.

Në botim janë përfshirë kolegji Riinvest dhe Universiteti i Zagrebit.

Profesori Iraj Hashi, i cili ka shkruar parathënien e librit, ka theksuar se këto raste studimore së pari janë shkruar në gjuhën angleze, sado që libri është botuar vetëm në gjuhën shqipe.

Hashi: Në Kosovë ka pak ose deri kohët e fundit ka pas shumë pak përdorim të rasteve studimore

“Në Kosovë ka pak ose deri kohët e fundit ka pas shumë pak përdorim të rasteve studimore, kjo është pjesërisht për shkak se në brezin e vjetër të akademikëve vet ishin të aftësuar në ish-Jugosllavi ose në vendet e rajonit dhe nuk i kishin të njohura këto metoda të mësimdhënies në Amerikë, në Britani, apo në vendet e tjera. Një arsye tjetër ishte mungesa e rasteve studimore me bazë në kompanitë kosovare, pra nëse përdoreshin rastet studimore bazoheshin në vendet e tjera apo në kompanitë e vendeve të tjera. Mirëpo, efektiviteti i këtyre për studentë ishte i kufizuar, për shkak se këto kompani ishin të huaja për këta studentë, dhe rrethanat ku kishin vepruar ata ishin po ashtu të huaja”, u shpreh Hashi.

Ai ka treguar se fillimisht kanë mbajtur punëtori për këtë metodë, duke përmendur edhe mbështetjen nga kolegji Riinvest dhe universiteti i Zagrebit.

Redaktori i këtij libri Muhamet Mustafa, u shpreh se projekti i kushtohet lidhjes më të fortë në mes të institucioneve dhe arsimit të lartë dhe kompanive kosovare.

Mustafa: Studentët nga auditori universitar t’i sjellim në jetën reale nëpërmjet studimeve të rastit

“Hartimi i studimeve të rastit nuk është një problem i lehtë, është një problem mjaft i ndërlikuar, për arsye se nëpërmjet studimit të rastit, studentët duhet të mësojnë, me studim të rastit studentët duhet të kenë informata që lidhen me një program, me një korikula, me një temë e cila shpjegohet, duhet të kenë mjaft informata, duhet të jenë të shtjelluara mirë, të shkruara mirë. Por, edhe të jepin përmbajtje në bazë të të cilave studentët konceptet teorike që i mësojnë prej teksteve mësimore, t’i lidhin me praktikën. Prandaj kjo ka qenë një sfidë e madhe për neve, edhe bashkë kur e kemi konceptuar projektin me profesorin Hashin, kemi menduar se meqenëse projekti i dedikohet krijimit të lidhjeve më të forta midis institucioneve të arsimit të lartë universitar në Kosovë dhe kompanive kosovare, atëherë patjetër që ne duhet të sjellim edhe një risi në Kosovë me këtë projekt, që ta afirmojmë përdorimi n e rasteve studimore apo praktikës, që studentët nga auditori universitar t’i sjellim në jetën reale nëpërmjet studimeve të rastit dhe t’i lidhim ata me njohjen e botës reale, dhe me verifikimin  se sa ata janë të aftë që konceptet që i mësojnë, t’i zbatojnë në praktikë”, tha Mustafa.

Ai ka thënë se qëllimi i këtij projekti është realizuar në masë të madhe.

Mustafa ka shtuar se rëndësia e studimeve të rastit qëndron sepse studentët testohet sa janë të aftë për mendim kritik, sa janë të aftë të përcaktojnë prioritetet, si dhe aftësinë e shkrimit.

600 kopje të këtij libri do të ndahen pa pagesë.