Dekada të punës së frytshme shkencore

Dekada të punës së frytshme shkencore

Rilindja kombëtare e shqiptarëve, të mbetur nën robërinë jugosllave, si një proces i pandalshëm e gjithëpërfshirës, nisi vetëm në dekadën e katërt të shekullit XX.

U dëshmua se ndërgjegjësimi kombëtar pa një shkollë kombëtare ishte i pamundur. U dëshmua se gruaja shqiptare ishte faktor i rëndësishëm në këtë ecje përpara, në këtë hapërim historik që kombin tonë e solli krah për krah kombeve moderne të kësaj hapësire evropiane.

Për këtë fakt biografitë e veçanta janë të rëndësishme për historinë tonë të përgjithshme. Prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha, me jetëshkrimin e saj të gjertanishëm, identifikon procesin e rëndësishëm të progresit tonë kombëtar të një epoke, është dëshmi bindëse e zotësisë së gruas shqiptare, e personalitetit që thyen klishetë për kinse rolin e kufizuar të gruas në një shoqëri.

Me një numër të vogël vajzash të kohës, ajo që në nismën e rrugës arsimore e krijoi modelin ndikues, i cili me admirim do të ndiqej nga breza të tërë të rinjsh dhe të rejash shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike. Në një mënyrë krejt të veçantë, duke kërkuar mundësitë e kualifikimit profesional përtej hapësirës sonë etnike, dëshmoi se gruaja shqiptare e kishte vendin e saj meritor në rrjedhat e emancipimit kulturor e social.

Krahas këtij fakti, profesoresha Sabile Keçmezi – Basha, kontributin e saj historiografik do t’ia dedikojë pikërisht kësaj periudhe dinamike e dramatike, në të cilën shkrihen në një tërësi unike ngjarjet tragjike kombëtare me zhvillimet e lavdishme, pësimet masive me arritjet historike, burgu me lirinë, vdekja me jetën. Profesoreshës i ra hise që të shkruante historinë dhe njëkohshëm të bëhej pjesë e kreative e kësaj historie, si dijetare, si intelektuale dhe si veprimtare.

Ndaj, të nderuar kolegë, nuk është një punë e lehtë as për ne që sot  do të përpiqemi ta konceptojmë një veprimtari kaq të begatë shkencore e përgjithësisht kombëtare në një paraqitje disa minutëshe. Megjithatë, do të bëjmë përpjekje të theksojmë disa nga veçoritë më karakterizuese të veprës shkencore të koleges sonë.

Së pari, duhet vënë në dukje parimësinë shkencore të kësaj vepre. Sabile Keçmezi – Basha, në punën e saj studimore, rezultatet historiografike i mbështet në referenca faktografike.

Pra, dokumentariteti është baza e konstatimeve të saja shkencore. Punimet e shumta studimore, kumtesat e paraqitura në aktivitete shkencore dhe në veprat monografike, në krye të herës, janë bazuar në burime arkivore, përkatësisht në dëshmi të qasshme dhe të vërtetueshme për komunitetin e historiografëve. Veçmas kjo është e nevojshme të pohohet sot, kur gjejmë histori të shkruara nga autorë që nuk kanë hapur qoftë edhe një dosje arkivore, që nuk kanë në shkrimet e tyre as edhe një referencë të besueshme dokumentare.

Profesoresha Sabile ka zgjedhur rrugën e vështirë të të bërit shkencë, pra atë të hulumtimeve e të kërkimeve arkivore, e vetëdijshme se rezultatet shkencore është e domosdoshme të jenë të bazuara në to. Njëkohshëm një pjesë e mirë e veprës së saj përbën një koleksion të rëndësishëm të dhënash arkivore, të cilat studiuesve të tjerë, të sotëm dhe sidomos atyre të nesërm, do t’ua lehtësojnë punën në aspektin e identifikimit dhe të gjetjes së burimeve.

Së dyti, në dyzet vjet kontributesh historiografike, Sabile Keçmezi – Basha është marrë me çështje të rëndësishme të historisë sonë të re. Për shumë arsye, të shkruash për ngjarjet më të reja të historisë së një kombi, një shteti, një shoqërie etj., është ku e ku më vështirë sesa të shkruash për periudhat e mëhershme. Kjo për faktin se ende nuk është bërë seleksionimi i qartë ndërmjet asaj se çfarë është zhvillim me peshë historike e çfarë është zhvillim i rëndomtë ditor dhe, në kontekstin tonë social, kjo çështje shfaqet si tejet problematike sidomos për faktin se shumë nga subjektet e ngjarjeve historike vijojnë të jenë të pranishëm, madje edhe faktorë përcaktues, në rrjedhat aktuale shoqërore. Në saje të formimit të saj profesional dhe të etikës shkencore, Sabile Keçmezi – Basha ia ka dalë që, pavarësisht vështirësive të përmendura, t’i identifikojë idetë, proceset, ngjarjet, strukturat organizative, personalitetet që kanë luajtur rol historik në zhvillimet që sollën ndryshimet e mëdha në Kosovë.

Kështu, në veprat e saja monografike dhe në punime shkencore e kumtesa të shumta, të cilat, si lëndë studimore shtrihen në harkun kohor të disa dekadave, ajo ka trajtuar organizatat më të rëndësishme politike, programet e tyre, veprimtarinë e mërgatës shqiptare, shtypin ilegal dhe atë të mërgatës, të burgosurit politikë shqiptarë, proceset gjyqësore ndaj organizatave atdhetare dhe ndaj anëtarëve të tyre dhe, ndonëse kryesisht është marrë me sinteza të mëdha, pra me përgjithësime historiografike, gjithashtu ka dhënë edhe dëshmi të portretizimit shkencor të individualiteteve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të konceptuar në dy modele monografish për Hyrije Hanën dhe për Sulejman Krasniqin.

Së treti, vepra shkencore e Sabile Bashës, e krijuar në një periudhë 40-vjeçare, është ndër më voluminozet në historiografinë shqiptare përgjithësisht. Vëllimi i saj prej rreth 7 000 faqesh është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm, e punës së palodhshme dhe të bërë me një ritëm të lartë angazhimi. Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin që një pjesë e madhe e këtyre kontributeve historiografike janë botuar në format fejtonesh në shtypin tonë, atëherë lirisht mund të përfundojmë se profesoresha Sabile Keçmezi – Basha është emri më i njohur i të sotmes në publicistikën tonë historike. Natyrisht nuk mund të lihen anash as botimet e shumta në periodikun shkencor të Kosovës dhe jashtë saj, sikundër edhe pjesëmarrja në shumë konferenca shkencore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar, shkruan prof. dr. Hysen Matoshi.

Së katërti, përveçse bëhet fjalë për një studiuese me parimësi shkencore, përveçse është marrë me çështje të rëndësishme të historisë sonë, se është ndër penat më produktive të historiografisë shqiptare, Sabile Keçmezi – Basha ka dëshmuar se e zotëron si materie, me një kompetencë të lartë, periudhën e saj studimore. Sintezat që ka bërë, veçmas ato për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe periodizimi që ia bën asaj, duke njohur si kufij kthesash ngjarjet dhe proceset e rëndësishme të gjysmëshekullit më dinamik në historinë e shqiptarëve, janë arritje të saja të qëndrueshme dhe rezultate orientuese për këdo që synon të merret me historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve përgjithësisht.

Së pesti, krahas punës së palodhshme për realizimin e projekteve shkencore, Sabile Keçmezi – Basha është dëshmuar edhe në sferën e shkrimeve letrare-artistike. Profesionalizimi i vazhdueshëm në shkencën e historisë nuk ia ka zbehur asnjëherë pasionin e lindur për letërsinë. Kam kënaqësinë të konstatoj se në letërsinë shqipe vjen si njëra ndër autoret më tona më të spikatura me 16 vepra letrare. Talentin dhe mjeshtërinë e saj i ka dëshmuar në gjini të ndryshme letrare, si në prozë, dramë dhe veçmas në poezi, ku edhe është vlerësuar më shumë dhe madje edhe është shpërblyer me çmime letrare.

Të nderuar kolegë,

Ndonëse jetojmë në një shoqëri, në të cilën  institucione më të larta të dijes fatkeqësisht udhëhiqen nga mendësi skajshmërisht të tribalizuara, në të cilat nuk vlerësohet në mënyrë meritore as edhe kalibri i një dijetareje të tillë, nuk vlerësohet profili intelektual i gruas e cila si e para e mori gradën e doktorit të shkencave në Kosovë, e cila e ka pasuruar me vlera e rezultate dijen dhe kulturën shqiptare me dhjetëra libra dhe qindra studime shkencore, i ka kontribuar zhvillimit të dijes institucionale në Kosovë nëpërmjet punës së palodhshme në Institutin e Historisë “Ali Hadri”, megjithatë është një fat i madh që Sabile Keçmezi – Basha vjen në këtë përvjetor me një ritëm të lartë prurjesh shkrimore, përkatësisht me disa botime shkencore e letrare.

I bindur se shumëçka lidhur me vlerat e veprës dhe lidhur me aspekte të personalitetit të Profesoreshës Sabile Keçmezi – Basha ka mbetur pa thënë, dua ta përmbyll këtë fjalë të shkurtër, me urimin që arritjet e saja të vijojnë edhe për shumë e shumë vite.

Njëkohshëm këtij urimi, do t’ia bashkoja edhe urimet e kolegëve të Institutit Albanologjik, me dëshirën që ta vijojmë edhe më tej bashkëpunimin e gjertanishëm.

Urime profesoreshë, urime familjes Basha dhe Institutit të Historisë!